Fondet e investimeve ngecin, individët pakësojnë depozitat me 45 milionë euro

Aktiviteti i fondeve të investimit u ngadalësua, si rezultat i rënies së investimeve në titujt e borxhit të qeverisë më 2016. Investimet e individëve në gjashtëmujorin e dytë ranë me 6.3 miliardë lekë ose 45 milionë euro, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë. Normat e kthimit nga pjesëmarrja e investitorëve në fondet e investimit është zakonisht më e lartë se ajo e depozitave në banka, duke reflektuar profilin më të lartë të rrezikut që përmban investimi në fond. Në sistemin financiar shqiptar bëjnë pjesë 3 fonde investimi aktive, njëri prej të cilëve e nisi veprimtarinë në mes të vitit 2016. Aktivet e fondeve investohen kryesisht në bono thesari dhe obligacione të emetuara nga qeveria e Republikës së Shqipërisë në lekë dhe të tjera në euro. Në vitin 2012, fondet e investimeve numëronin 7,149 anëtarë, ndërsa në fund të vitit 2016, ky numër ishte rreth 4 herë më i lartë (29,267 anëtarë). Vlera e aktiveve neto në shtator 2012, rezultonte 16.9 miliardë lekë, ndërkohë që në vitin 2016, vlera neto e aktiveve ishte 65.4 miliardë lekë (4.4% e PBB-së së vendit). Tek fondet e investimeve, ndjeshmëria ndaj rrezikut të luhatshmërisë së normave të interesit reflekton nevojën për vlerësimin e rregullt me vlerën e tregut të kuotave të pjesëmarrjes në fond, si rezultat i mundësisë së tërheqjes së tyre në çdo kohë. Aktivet e fondeve investohen në instrumente financiare, të cilat janë lirisht të tregtueshme dhe çmimi i të cilave mund të ndryshojë vazhdimisht. Kur normat e interesit rriten, çmimi i instrumenteve financiare bie. Kjo rënie sjell ulje të vlerës së portofolit të investimeve e për rrjedhojë rënie të kthimit nga investimi, që reflektohet në rënien e çmimit të kuotës dhe rritjen e mundësisë për tërheqje. Fondi mund të jetë i detyruar të ndryshojë strukturën dhe kompozimin e portofolit të aktiveve të tij, në mënyrë që të plotësojë kërkesën për shlyerje. Ky veprim mund të ketë një efekt negativ në performancën e fondit, duke qenë se shitja e instrumenteve financiare, në mënyrë të parakohshme, mund të rezultojë në humbje dhe në rënie të mëtejshme të çmimit të kuotës. Për sa i takon rrezikut të kursit të këmbimit, fondet kanë një rrezik të ulët duke qenë se sigurojnë një përputhje më të mirë të zërave të bilancit sipas monedhave. Fondet e investimeve mund të ekspozohen edhe ndaj rrezikut reputacional të lidhur me performancën e shoqërisë që administron fondin. Gjithashtu, një rrezik i mundshëm është edhe ai i pamundësisë së shlyerjeve në shuma të mëdha, kur ka tërheqje të konsiderueshme të kuotave nga anëtarët e fondit. Fondet e pensionit privat suplementar përgjithësisht mbështeten në plane të përcaktuara kontributi. Lëvizja e normave të interesit do të sillte luhatshmëri në nivelet e kthimeve nga investimi dhe ndoshta më pak përfitime. Ky rrezik mund të zbutet vetëm nëse punonjësi apo punëdhënësi kontribuon më shumë në fond. Në një rast ekstrem që lidhet me lëvizjet e pafavorshme në treg dhe/ose keqmenaxhimin e një fondi, e tërë vlera e investuar nga investitori në një fond mund të humbasë. Në një rast të ngjashëm në banka, kursimet e depozituesit janë të mbrojtura të paktën deri në vlerën 2.5 milionë lekë (sipas parashikimeve në Ligjin “Për sigurimin e depozitave”). Në çdo rast, si fondet e investimit, ashtu edhe bankat, i nënshtrohen kërkesave rregullative për treguesit financiarë të veprimtarisë së tyre, me qëllim që mundësia e dështimit të tyre të jetë sa më e vogël.

Artikulli paraprakBankat, 67 miliardë lekë kredi për bizneset jashtë vendit
Artikulli tjetërAlitalia zhytet në kaos pas votës kundër të stafit