Aksidentet, asnjë sinjalistikë në autostradën Fier-Vlorë

Për 1 muaj përfundon afati që kompania, që ka fituar tenderin 13 milionë euro për të mirëmbajtur akset e jugut, duhet të kishte rehabilituar dy urat në autostradën Fier-Vlorë. Por në këto dy ura ku autostrada ka pësuar dëmtime që janë shndërruar në burim aksidentesh, nuk është vendosur as sinjalistika e nevojshme, si detyrimi kryesor për sigurinë e qytetarëve, para nisjes së punimeve.
Puna për mirëmbajtjen e autostradës së “Pavarësisë” duhet të kishte nisur në shkurt, sipas kontratës, por teksa po mbyllet muaji i 6, është bërë vetëm asfaltimi i njërit krah. Dy nyjet lidhëse në të dyja krahët e autostradës vazhdojnë të krijojnë barriera të forta, të cilat në disa raste detyrojnë makinat të dalin nga rruga për shkak të frenimit të fortë.
Dy javë më parë në këtë rrugë ishte kjo sinjalistikë, ku tabela paralajmëruese për të ulur shpejtësinë nga 110 km/h në 20 km/h nuk të le hapësirë më shumë se 50 metra. Ndërsa në anën   tjetër të aksit nuk ka asnjë sinjalizues përveç kësaj tabele që tregon se ka ganxha në rrugë.
Për ekspertët vendosja e sinjalistikës duhet të ishte mbyllur që në muajin maj, ndërsa teknikisht, rregullimi i nyjeve të dy urave mund të bëhej brenda dy javësh. Teksa rreziku mbetet i njëjtë, ekspertët thonë se dikush duhet të mbajë përgjegjësi për mungesën e sigurisë në këtë rrugë.
Tenderi për mirëmbajtjen e rrugëve në jug të vendit është fituar nga bashkimi i kompanive “Elikatechnical Commerce” dhe Salillari dhe zbatimi i kontratës ka nisur në 15 shkurt. Fondi është dhënë nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore, por siç shihet në realitet, këto para nuk janë përdorur aty ku ka nevojë edhe më shumë për mirëmbajtjen dhe sigurinë, në aksin e vetëm që lidh Shqipërinë me qytetin e Vlorës, më të frekuentuarin gjatë pushimeve të verës.
Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë se në qershor rezultojnë 185 aksidente me një rritje 2.2% krahasuar me qershor 2016.
Por në të kundërt ka qenë tendenca e të aksidentuarve. Ky numër është ulur me 4.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të njëjtin trend ka pasur edhe pjesa e aksidenteve me pasojë vdekjen e personave të përfshirë. Në qershor rezultojnë 12 persona që kanë humbur jetën nga aksidentet një shifër kjo 46.4% më e ulët se i njëjti muaj i një viti më parë. INSTAT verën se të rinjtë mbeten kontingjenti që ka kryer edhe numrin më të lartë të aksidenteve.

Artikulli paraprakDrogë nga Shqipëria, goditet organizata kriminale në Greqi
Artikulli tjetërKompania denoncon vjedhjen me video, policia nuk ndërhyn