Afera, KESH zyrtarizon fituesin e tenderit të dyshuar për manipulim

Pasi ka përjashtuar nga tenderi të gjithë konkurentët e tjerë, KESH ka shpallur kompaninë S.M.O. Union shpk fituese të tenderit për pastrimin e liqenit të Fierzës nga mbetjet e grumbulluara para hyrjes së një prej turbinave të hidrocentralit. KESH ka njoftuar se fituesi është shpallur për shkak se ai ka paraqitur çmimin më të ulët. Është një argumentim cinik, pasi KESH ishte kujdesur që të skualifikonte nga konkurimi ofertat e të gjitha kompanive të tjera veç asaj fituese me pretekstin e mosplotësimit të kritereve të përcaktuara për pjesëmarrje. Kjo do të thotë se fituesi praktikisht nuk ka konkurruar me askënd tjetër, as me çmim dhe as me kriteret e tjera.
Argumentimi i zgjedhjes së fituesit për shkak të çmimit më të ulët është akoma më cinik po të kihet parasysh se oferta financiare e fituesit ishte e dyta më e lartë nga katër ofertat e paraqitura dhe vetëm pak më e ulët se fondi limit i përcaktuar për kontratën—ofertat e fituesit S.M.O Union ishte rreth 299 milionë lekë, ndërsa tre ofertat e tjera ishin rreth 256 milionë lekë, rreth 269 milionë lekë dhe rreth 307 milionë lekë. Exit ka siguruar dokumentat e tenderit dhe vlerësimin e komisionit të tenderit dhe konstaton një sërë arsyesh që ngrejnë pikëpyetje për procedurë të manipuluar. Është e çuditshme që vetëm një nga shtatë kompani që shprehën interes fillestar dhe nga katër që paraqitën ofertë plotësoi kushtet e tenderit.
Aq më tepër shtohet dyshimi kur një ndër kompanitë e skualifikuara është kompania Viante Konstruksion shpk, e cila para pak muajsh ka fituar me tender nga KESH një kontratë për punime identike në Hidrocentralin e Komanit-pastrimin e pjesës së liqenit para hyrjes së turbinave. Mjaft që kjo kompani të riprodhonte dokumentacionin e tenderit të mëparshëm dhe nuk do të skualifikohej. Nga sqarimet e dhëna nga KESH kuptohet që kompania me ofertën më të ulët-rreth 326 mijë euro më të ulët se oferta e kompanisë fituese-është skualifikuar për arsye krejtësisht të parëndësishme, përfshi që tre kamionë vetëshkarkues kanë kapacitet më të madh se specifikimet e dokumentave të tenderit dhe se dokumentat që japin përshkrimin teknik të një prej pajisjeve gërrmuese është pjesërisht në gjuhën angleze.
Sikurse është shpjeguar në artikullin e referuar më sipër, vlera e kostos së punimeve, rreth 2,5 milionë euro, është disa herë më e lartë se vlerësimet e ekspertëve për llojin dhe volumin e punimeve. Kjo vlerë është shumë më e lartë se ajo e punimeve të krahasueshme të kryera nga KESH në rastet të tjera. Exit nuk mund të vlerësojë me siguri që ky tender është manipuluar, por beson se ka mjaft dyshime të arsyeshme për këtë gjë. Kryeministri është duke bërë thirrje çdo ditë për të përcjellë tek ai çdo dyshim apo informacion për abuzime nga punonjësit e administratës. KESH duhet të jetë një kandidat i mirë për t’u konsideruar.

Artikulli paraprakDështimi i marrëveshjes me FMN-në rrezikon edhe 50 milionë euro të BE-së
Artikulli tjetërInformaliteti dhe korrupsioni, kritika e BE për ekonominë shqiptare