Afera e by pass, si i kërcënuan njerëzit e Ramës kontraktorët e firmës “Serenissima”

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar një status në rrjetet sociale ku denoncon lidhjen e kompanisë “Serenissima”, që është paguar për ndërtimin e by pass-it të Fierit, me kreun e qeverisë, Rama. Ai i kërkon Prokurorisë që të fillojë hetimet lidhur me skandalin e kësaj kompanie, e cila edhe pse i ka marrë paratë nga Thesari i Shtetit, nuk i ka paguar kompanitë nënkontraktore për punën e bërë. Sipas Berishës, shefja e kabinetit të Ramës, Vali Bizhga, i ka kërcënuar disa herë me telefon nënkontraktorët që kërkonin paratë që u takonin. Më tej në statusin e tij Berisha përmend edhe lidhjen mes kompanisë “Serenissima” dhe kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për pastrimin e mbeturinave të kryeqytetit. “Prapa skandalit të kompanisë ‘Serenissima’ qëndron vetë direkt Edi Rama! Të dashur miq, prapa skandalit të fundit me kompaninë ‘Serenissima’ të ndërtimit të by pass-it të Fierit qëndron direkt Edi Rama. I bëj thirrje prokurorit të Përgjithshëm të hapë me urgjencë hetimet për këtë skandal të paprecedent. Kompania ka marrë paratë nga Thesari dhe nuk ka paguar nënkontraktorët për punën e tyre. Kompania në betejën e pandershme me nënkontraktorët, të cilët nuk i paguante për punën që bënin, ka patur mbështetje direkt Edi Ramën. Shefja e kabinetit të Ramës, Vali Bizhga ka kërcënuar disa herë me telefon, sigurisht me urdhër të Ramës, nënkontraktorët që kërkonin paratë për punën e kryer. Presion i madh ndaj tyre është bërë për të mos paditur kompaninë që i mashtronte, e cila mesa duket ndante paratë e rrugës me Edvinin. Ekziston një lidhje problematike midis kompanisë ‘Serenissima’ dhe kompanisë që Lal Plehu ka kontraktuar për plehrat e Tiranës. I bëj thirrje prokurorit të Përgjithshëm të nisin menjëherë hetimet për skandalin që ndodh vetëm në shtete të falimentuara që vidhen natë e ditë nga qeveritarët e vet!”, shprehet Berisha në postimin e tij.

Konflikti me kontraktorët

“Serenissima Costruzioni S.p.A.”, qysh kur fitoi tenderin në Shqipëri, vendosi t’ia nënkontraktojë një pjesë të punimeve disa shoqërive, ndër të cilat “CAE” Sh.P.K. “Serenissima” kontraktoi për punimet tetë kompani. “Në rastin e ‘CAE’ sh.p.k., që në bazë të detyrimeve kontraktuese duhet të kishte kryer punimet me mjetet dhe punëtorët e saj, përvoja ka provuar të kundërtën dhe ‘Serenissima Costruzioni’ është detyruar, edhe pse pa dëshirën e saj, të zgjidhë kontratën e nënkontraktimit me këtë të fundit për arsye të mospërmbushjeve të mëdha të detyrimeve kontraktuese, ndër të cilat, vonesat e rëndësishme të kësaj në dorëzimin e veprës, përkundër kërkesave të vazhdueshme”, sqaroi “Serenissima Costruzioni” në një njoftim të posaçëm për mediat në verë të vitit që shkoi. “Serenissima” pretendonte se nënkotraktori “C.A.E.” kishte harxhuar 15.8 mln euro, të cilat nuk i ka përfshirë në punime. “Si rrjedhojë, ‘CAE’ sh.p.k., në vend që të plotësojë vonesat e dukshme, vendosi që në datën 07 mars 2016, të ndalojë totalisht në mënyrë arbitrare aktivitetin e punimeve në kantier, edhe pse këto aktivitete ishin modeste, duke provokuar dëme të mëdha ‘Serenissima Costruzioni’, si rrjedhojë shtetit dhe popullit shqiptar”, njofton “Serenissima Costruzioni”.

Falimentimi i kompanisë

Kompania italiane “Serenissima”, e cila duhet të ndërtonte by pass-in e Fierit dhe atë Vlorës ka falimentuar, qeveria shqiptare ka sekuestruar dy kantierët e ndërtimit dhe ka kërkuar dorëzimin e dokumentacionit përkatës brenda afatit ligjor prej dy javësh.
Në fillim të prillit, autoriteti rrugor njoftoi shoqërinë se nëse brenda datës 6 prill 2017 kantierët nuk do të rihapeshin plotësisht, kontratat do të shfuqizoheshin në mënyrë të njëanshme. Kantierët nuk u hapën dhe të dyja kontratat u shfuqizuan në mënyrë të njëanshme nga autoriteti kontraktues, me arsyen e vonesave të gjata në përfundimin e punimeve. Kontrata e parë, për realizimin e by pass-it të Fierit, iu dha kompanisë “Serenissima Construzioni” s.p.a në vitin 2013 dhe punimet duhet të përfundonin në tetor 2017. Por deri tani ajo mundi të kryente vetëm një pjesë të vogël të punimeve. E njëjta gjendje vazhdon edhe me by pass-in e Vlorës, kontrata tjetër e fituar nga “Serenissima” në fillim të vitit 2015. Kompania hyri në tregun shqiptar në vitin 2013 në sajë të mbështetjes politiko-diplomatike dhe arriti të fitojë dy kontrata të mëdha në Shqipëri dhe arriti të sigurojë dy kontratat e mësipërme me vlerë totale prej 80 milionë eurosh. Mënyra se si kompania fitoi tenderat për këto dy kontrata shkaktoi shumë debate ndërmjet ndërtuesve shqiptarë, sepse ajo i fitoi garat duke ofruar një vlerë shumë më të ulët se sa vlera fillestare e ankandit. Madje, vlera e ofruar nga kompania ishte më e ulët se sa kostoja e vërtetë e punimeve. Vlerat shumë të ulëta dhe ndjekja e një politike vetëvrasëse në marrëdhëniet me nënkontraktorët krijoi një sërë mosmarrëveshjesh, të cilat sollën bllokimin e punimeve, bllokimin e llogarive bankare dhe pamundësinë për të përfunduar ndërtimin e veprave publike. Pas një sërë negociatash të kota, në të cilat morën pjesë edhe përfaqësues të politikës italiane, qeveria shqiptare vendosi të shfuqizojë kontratat.

Artikulli paraprak300 artistë nga të gjitha trojet shqiptare në Festivalin Multikulturor “Kamza 2017”
Artikulli tjetërPunësimi në Kosovë