Absurdi/Arta Marku kërkon 200 punonjës shtesë, shumica sekretarë

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, i ka drejtuar Kuvendit të Shqipërisë një kërkesë, e cila nga deputeti Bashkim Fino u konsideruar “tërësisht absurde”. Marku, nëpërmjet përfaqësuesit të saj, kërkoi nga Komisioni i Ligjeve miratimin e një shtese prej 200 personash në stafin e institucionit.
Prokuroria Shqiptare, prej të paktën 10 vitesh funksionon me një total prej 850 punonjësish, ku përfshihen prokurorë dhe staf administrativ. Ndërsa Arta Marku, përkohshmëria e të cilës duket se nuk ka mbarim, kërkon vetëm me një goditje të shtojë 200 punonjës. Për më tepër, pjesa më e madhe e kësaj shtese që kërkohet është për sekretarë, të cilët nuk kanë lidhje dhe nuk ndikojnë aspak në rritjen cilësore të hetimeve.
Deputeti socialist i Komisionit të Ligjeve, Bashkim Fino, duke përdorur ironinë, u shpreh se “kërkesa për këtë numër kaq të lartë punonjësish është si të krijosh nga e para institucionin e Prokurorisë. Mua më duket absurde”.
Arta Marku, gjatë 9 muajve të deritanishëm në krye të institucionit të Akuzës, është karakterizuar nga lëvizjet kaotike të stafit. Këto lëvizje janë kritikuar edhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i cili, gjatë procesit të vetingut për Arta Markun, kërkoi informacione mbi bazën ligjore dhe kriteret mbi të cilat ajo ka riorganizuar stafin drejtues të Prokurorisë. Kjo kërkesë e vëzhguesit ndërkombëtar mbeti pa përgjigje, pasi Kryeprokurorja e Përkohshme, nëpërmjet përfaqësueses së saj, vlerësoi të mos jepte llogari për këtë çështje, e cila përfshihej në vlerësimin e kriterit profesional.

Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, rezulton se e ka shndërruar institucionin në “zyrë qokash” për miqtë e mikeshat e saj, të cilët i ka vendosur në poste kyçe të Prokurorisë. Në Prokurorinë për Krime të Rënda, emëroi si drejtuese, në kundërshtim me ligjin, Donika Prelën. Fillimisht, po në kundërshtim me ligjin, Prelën e kishte caktuar si drejtuese në Durrës për një periudhë 5-mujore, para se ta katapultonte në strukturën më të rëndësishme të Prokurorisë Shqiptare, tek ajo e Krimeve të Rënda.
Prokuroria e Durrësit drejtohet nga një tjetër mikeshë e Arta Markut, Anita Jella. Kjo e fundit ishte prokurorja që nuk kreu asnjë hetim ndaj Arta Markut, pas kallëzimit të prokurorit Dritan Gina, i cila e akuzonte për “shpërdorim detyre”. Bashkëshorti i Jellës, gjithashtu prokuror, u afrua në Prokurorinë e Përgjithshme, si pjesë e grupit që po kontribuon në procesin e Vetingut.
Në Prokurorinë e Elbasanit, Arta Marku emëroi që në ditët e para të detyrë së saj prokurorin Ardian Nezha, njohje e vjetër dhe nga e njëjta zonë gjeografike me Kryeprokuroren. Nezha dha dorëheqjen nga posti drejtues pas 3 muajsh. Në vend të tij u caktua si drejtuese një tjetër mikeshë e Arta Markut, Enkelejda Millonai.
Në Prokurorinë e Shkodrës është caktuar drejtues Ylli Pjetërnika, me një përvojë tejet modeste si prokuror, por me “kriterin e nevojshëm”, mik dhe nga e njëjta zonë gjeografike me shefen e tij.
Në Prokurorinë e Kukësit, Arta Marku caktoi si drejtuese mikeshën e saj, Alketa Nushi, e cila më parë ishte prokurore në Burrel dhe pa ndonjë element të spikatur në punën e saj.
Miq të tjerë të Arta Markut janë afruar në Prokurorinë e Përgjithshme, duke luajtur rolin e verifikuesit paraprak të kolegëve të tyre, të cilët po përballen me Vetingun.

“Boldnews.al”

Artikulli paraprakKush do të jetë pasuesi i Merkel? Në CDU ka nisur një luftë e fortë
Artikulli tjetërSherr Rama-Veliaj, Manastirliu përgatitet për Bashkinë, lali drejt largimit