Abrashi: Të mundim Zvicrën!

Amir Abrashi është një tjetër kuqezi i lindur në Zvicrër, por hapin më të madh të karrierës do ta hedhë si kuqezi. Mesfushori 26-vjeçar, ashtu si Veseli, ka bërë xhiron e plotë në ekipet zinxhir të Zvicrës, por tashmë ai është pjesë e Kombëtares Shqiptare dhe e ndjen veten 100% pjesë e ekipt të drejtuar nga Gianni De Biasi. Xholi i mesfushës së Shqipërisë e nis konferencën e shtypit nga “Perros-Guirec” me një koment për miqtë e tij te Kombëtarja Helvete, duke u shprehur se ka kontaktuar me ta përpara dy javësh, ndërsa më pas u përqendrua te puna që po bën me ekipin kuqezi.
“Gjendja fizike është shumë e mirë. Unë personalisht nuk kam, asnjë problem fizik. Kemi dy javë që punojmë e jemi bashkë. Çdo lojtar është stërvitur shumë mirë dhe qëndrojmë të gjithë bashkë edhe pas stërvitjes”, u shpreh Abrashi.
Abrashi është një nga njohësit më të mirë të skuadrës së Zvicrës dhe shpreson që me kontributin e tij të ndihmojë sadopak Shqipërinë në sfidën e parë europiane. “Zvicra ka elementë të fortë, por ne jemi të fortë si ekip dhe do të japim 100% deri në minutën e fundit. Për mua nuk është një derbi, sepse unë jam pjesë e Shqipërisë dhe synoj një rezultat pozitiv”, tha ai.
Mesfushori i lindur në Bischofszell nuk kursen një koment edhe për punën që po bën trajneri Gianni De Biasi, duke e pranuar se ai është një perfeksionist. “Çdo trajner ka taktikën e vet, por De Biasi punon deri në detaje në këtë aspekt. Ai kërkon që të jemi të përqendruar në çdo seancë stërvitore”, përfundoi Abrashi.

Artikulli paraprakStudimi: Masat e larta ndëshkuese nxitën informalitetin, presioni çoi deri në mbyllje biznesesh
Artikulli tjetërTramezzani: Të luajmë me zemër dhe grintë