A po blihet Veneto Bank në Tiranë nga ABI Bank që drejtohet nga gruaja e Edi Ramës?

Banka Veneto, një nga bankat më të mëdha në Itali, e pranishme në Shqipëri që në vitin 2009 dhe prej kohësh në qendër të polemikave dhe hetimeve gjyqësore do të shitet. Filiali shqiptar ishte së fundmi objekt i një inspektimi nga Banka e Shqipërisë që kërkoi uljen e volumit të kredive dhe rritje të madhe kapitali. Në korrik 2016, Banka Veneto sh.a mori vendimin, për rritjen e kapitalit me 30 milionë euro, shumë e garantuar nga banka mëmë në Itali, duke larguar çdo dyshim mbi qëndrueshmërinë financiare të filialit shqiptar.
Por pavarësisht këtyre veprimeve dhe deklaratave për qëndrueshmërinë financiare të bankës, filiali shqiptar po shitet. Në mjediset bankare në vend flitet hapur, se Banka Amerikane e Investimeve, ABI Bank, ka filluar procedurën e verifikimit të llogarive. Ky veprim ndodh vetëm pasi firmoset kontrata e shitjes me qëllim përcaktimin e vlerës së saktë të transaksionit, raporton “Exit”. Por nëse është e vërtetë që blerësi do të jetë banka më e re, që ka fuqizuar vrullshëm aktivitetin në Shqipëri, ABI Bank, atëherë rihapet roli i kryeministrit Rama në gjithë këtë aferë, pasi bashkëshortja e tij Linda Rama është edhe kryetare e bordit të saj. Opozita dhe një pjesë e mirë e medias, pas lajmit për zgjedhjen e bashkëshortes së kryeministrit në krye të kësaj banke me kapital të dyshimtë hodhën akuza, se nëpërmjet saj Edi Rama, po pastronte 200 milionë eurot e fshehura në parajsa fiskale, akuzë kjo e bërë direkt nga OSBE, nëpërmjet një raporti konfidencial, pak vite më parë.
Sipas të dhënave që u zbuluan pas hyrjes në vendin tonë të ABI Bank, pronarët indirekt të saj janë regjistruar në një zonë offshore në ishujt Cayman, një parajsë fiskale e njohur kjo, ku është e lehtë të pastrohen paratë e korrupsionit dhe evazionit fiskal. Problemet e Veneto Bank kanë ardhur nga administrimi i diskutueshëm i saj, që kanë çuar në probleme, të cilat kanë filluar të hetohen si nga Prokuroria italiane, ashtu dhe autoritetet e mbikëqyrjes financiare.

Artikulli paraprakDule: Shtyrja e zgjedhjeve është e pashmangshme
Artikulli tjetërTë ardhurat nga Arsimi i Lartë, në shifrën rekord të 8 milionë eurove!