Korrupsioni me tenderat, ish-vartësi fundos Zoton: Të solla 20 milionë lekë në zyrë

Korrupsioni me tenderat e ushqimeve në burgje ka vënë përballë për herë të parë ish-drejtorin e këtij institucioni, Artur Zoto dhe zëvendësin e tij, Iljaz Labi. Në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj Zotos, ka dëshmuar ish-numri dy i Burgjeve. Labi ka deklaruar në gjykatë se korrupsioni me tenderin e ushqimeve kishte ndodhur dhe për këtë 20 milionë lekë ia kishte dorëzuar Artur Zotos. Dy ish-funksionarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të akuzuar për korrupsion me tenderat e ushqimeve janë vënë përballë njëri-tjetrit në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Ish-drejtori Artur Zoto dhe ish-zv/drejtori Iljaz Labi, janë vënë përballë njëri-tjetrit për herë të parë pas prangosjes nën akuzën e korrupsionit. Seanca u zhvillua e tensionuar, ku është dashur ndërhyrja e gjykatës për të qetësuar situatën mes familjarëve të të pandehurve. Labi ka deklaruar se për sa i përket tenderit të vezëve, nuk ka qenë asnjëherë kryetar i Komisionit, por me këtë çështje është marrë administrata.
Gjatë dëshmisë së tij para trupës gjykuese, Labi ka deklaruar se ka marrë 20 milionë lekë nga biznesmeni Shemsi Sinani, të cilat ia ka dorëzuar në zyrë Artur Zotos. Labi tha se Zoto i kishte kërkuar të fliste me një biznesmen për tenderin e vezëve dhe bylmetit dhe kërkonte 20% të shumës. Sipas Labit, biznesmeni Sinani ia kishte dhënë 20 milionë lekë te një lokal tek Blloku dhe ato ia kishte çuar në zyrë Zotos.
Labi i kërkoi Zotos ta pranonte korrupsionin ashtu si dhe ai. Ndërsa Zoto nga ana e tij i kërkonte ish-vartësit vetëm detaje në lidhje me takimet dhe a kishte kamera në momentet kur ishin takuar.

Artikulli paraprakRama emëron drejtor Porti në Shëngjin mikun e Arben Ndokës
Artikulli tjetër863 mijë eurot dhe patentat e Tahirit, shtyhet seanca ndaj Orest Sotës