58 milionë euro të humbura në një vit nga gjyqet e pafituara të shtetit

Largimet nga puna në administratën publike kanë çuar qindra ankime në gjykata kundër shtetit shqiptar. Këto konflikte bashkë me të tjera që individë dhe biznese kanë pasur me shtetin kanë çuar një faturë për të shlyer nga buxheti në vitin 2016 në mbi 8 miliardë lekë, vlerë kjo e barabartë me 58 milionë euro. Shifra është bërë publike nga Avokatura e Shtetit në kuadër të një analize që ka zhvilluar për aktivitetin e vitit 2016. Mirëpo avokati nuk e ka zbardhur vlerën e detyrimeve që vijnë nga çështjet ndërkombëtare qoftë të humbura apo të fituara.
Sipas të dhënave zyrtare nga Avokati i Shtetit, vlera totale e çështjeve që janë diskutuar në gjykime brenda vendit në vitin 2016 është afërsisht 120 miliardë lekë ose afërsisht 1 miliard $ amerikanë nga të cilat 93% janë fituar nga shteti shqiptar në gjyqe të përfaqësuara nga avokatët e shtetit në gjykatat kombëtare. Mirëpo e keqja është se çështjet e pafituara ndonëse janë vetëm 7% e totalit, kanë një vlerë prej 8 miliardë lekësh, që qeveria shqiptare duhet të shlyejë ndaj palëve të treta nga taksat e shqiptarëve.
Teksa vlerat e detyrimeve për gjykatat ndërkombëtare mungojnë, ish-pronarët që u janë drejtuar atyre kanë lajmëruar se, zhvillimet janë në favor të tyre. Ky vit, nëse përfundon siç ka nisur, do të jetë një katastrofë për financat kombëtare. Myrshit Vorpsi, nga Shoqata Pronësi me Drejtësi pohoi se, qeveria shqiptare rrezikon të paguajë një faturë të kripur për kompensimin e 82 dosjeve për kompensim prone në Gjykatën e Strasburgut, pohoi se Gjykata e të Drejtave të Njeriut nuk ka pranuar kërkesën e qeverisë shqiptare për të kompensuar dosjet në proces në bazë të zërit kadastral 1944, ku toka truall kompensohet si tokë bujqësore.
Gjykata ka kthyer kërkesën e qeverisë shqiptare për të paktën pesë dosje dhe nuk ka pranuar versionin e saj për kompensimin duke sjellë shumë pranë një kolapsi fiskal. Vlera e 82 dosjeve që po trajtohen është mbi 550 milionë euro, një faturë kjo e papërballueshme për arkën e shtetit. Rasti Rista (çështja nr. 24468/10) është ilustrimi i asaj që pritet të ndodhë me kompensimin e ish-pronarëve. Duke pasur parasysh faktin se në kohën e konfiskimit ngastra e tokës kishte qenë bujqësore, qeveria propozoi që çmimi i referencës për tokën bujqësore dhe në bazë të hartave të vlerësimit të vitit 2014 që duhet të zbatohet, vlera e tokës është 230 lekë për metër katrorë.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërRaul rikthehet te Real Madridi