50 ditët e parë të Trump, përse po e bllokojnë

100 ditët e para në detyrë të një presidenti amerikan janë zakonisht një periudhë kur propozimet kryesore të administratës së tij dërgohen në Kongres ku ndeshin pak rezistencë mbi baza partiake. Madje disa prej propozimeve gjatë kësaj periudhe marrin formën e ligjeve të firmosura. Por siç njofton korrespondenti i “Zërit të Amerikës” Bill Gallo gjërat nuk po rrjedhin aq mirë për administratën Trump kur kanë kaluar pothuaj 50 ditë prej marrjes zyrtarisht të detyrës.
Gjatë kësaj periudhe presidenti Trump ka qenë shumë i zënë duke ndërmarrë veprime të ndryshme, nga nënshkrimi i urdhrave ekzekutivë tek takimet me ligjvënësit për të diskutuar rreth propozimeve të administratës së tij.
“Kemi bërë shumë më tepër, ndoshta më shumë se çdokush në këto 50 ditë në Shtëpinë e Bardhë”, thotë presidenti Donald Trump.
Por përpjekjet për zbatimin e axhendës së tij kanë ndeshur në pengesa. Zoti Trump është sprapsur në prioritetet kryesore të tij, duke nisur prej emigracionit, shërbimit shëndetësor e deri tek buxheti, thotë analisti republikan Evan Siegfried.
“Pas dy muajsh në detyrë kjo ende është një administratë që po përpiqet të gjejë ekuilibrin, si dhe të ndërmarrë veprime afatgjata që do ta bëjnë atë të suksesshme”.
Një prej pengesave më të fundit ndodhi kur dy gjyqtarë federalë bllokuan përpjekjen e zotit Trump për të ndalur përkohësisht udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara të vizitorëve nga 6 vende me shumicë myslimane.
Zoti Trump po ndeshet me probleme në Kongres edhe nga vetë partia e tij lidhur me planin për shërbimin shëndetësor. Analistë të qeverisë vlerësojnë se ky plan do të lërë dhjetëra milionë amerikanë të pasiguruar.
Shtëpia e Bardhë ka dalë në mbrojtje të buxhetit të presidentit Trump që do të shkurtojë programe federale me synimin për të paguar një nga rritjet më të mëdha që kanë patur ndonjëherë shpenzimet ushtarake.
“Kishim një kandidat që vendoste Amerikën të parën, tashmë një president që e bën këtë dhe nuk ka asnjë suprizë që do të kemi një buxhet që vendos Amerikës të parën”, thotë Mick Mulvaney, drejtori për buxhetin në Shtëpinë e Bardhë.
Zoti Trump thotë se propozimet janë faza e parë e negocimit dhe se ai pret mosmarrëveshje mes ligjvënësve derisa të mbërrihet tek një marrëveshje. Por deri tani, ish-biznesmeni miliarder, që e quan veten si mjeshtër të marrëveshjeve ka dështuar të kapërcejë shumë prej ndasive.

Artikulli paraprakBarcelona rikthehet tek fitorja
Artikulli tjetërHungari, hapet një bazë ushtarake për ndalimin e imigrantëve