5 tonelatat e drogës në Itali në pronësi të ish-Shefit të Antidrogës të Ramës në Vlorë

Policia e Shqipërisë është përfshirë në një tjetër skandal. Sekuestrimi i 5 ton kanabis në Itali, ditën e sotme, dhe arrestimi i 25 personave, ka nxjerrë në pah lidhjet e krimit të organizuar me kupolën drejtuese të uniformave blu.
Mediat italiane raportojnë se në prangat e policisë kanë rënë 10 shqiptarë dhe midis tyre është edhe Adrian Liçaj, 51 vjeç, nga Vlora. Adrian Liçaj ka mbajtur deri pak kohë më parë postin e shefit të Antidrogës në Policinë e Vlorës.
Liçaj dyshohet si i përfshirë në rrjetin e trafikut të kanabisit nga Shqipëria për në Itali. Ai ka mbajtur postin e lartë në Policinë e Shtetit gjatë kohës që ministër i Brendshëm ishte Saimir Tahiri.
Arrestimi i Adrian Liçajt në Itali ndodh në një kohë kur tre ish-drejtues të tjetër të policisë shqiptare vijojnë të jenë në kërkim. Jaeld Cela, Gjergj Kohila dhe Sokol Bode, të akuzuar nga Prokuroria e Krimeve te Renda per përfshirje ne trafikun e drogës, ndodhen prej disa muajsh në arrati.
Jaeld Çela, ish-Drejtor i Policisë së Vlorës, është liruar nga detyra dhe i nxjerrë në dispozicion që prej muajit prill 2017. Ai dyshohet për “kultivim të bimëve narkotike” dhe “trafikim të narkotikëve”, të kryer në bashkëpunim në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal.

Gjergj Kohila, ish-shef i Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Vlorë, liruar nga detyra dhe nxjerrë në dispozicion që prej muajit maj 2017; i dyshuar për të njëjtat vepra penale.
Vendimi i Gjykatës në mungesë për masën e sigurisë “arrest në burg” është nxjerrë për Sokol Boden, ish-shef i Postës së Policisë Kufitare Dhërmi. Ai është pezulluar nga detyra në 25 Tetor 2017, si i dyshuar për trafik droge dhe krijim të grupit kriminal.
Të tre këta ish-oficer dyshohet se kanë qenë bashkëpunëtorë të bandës së Habilajve, me të cilët dyshohet se ka bashkëpunuar edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri
Policia italiane publikon emrat e shqiptarëve të arrestuar për 5 tonelatat
Policia italiane ka bërë publik emrat e tre shqiptarëve, mes 25 të arrestuarve në Katanzaro të Italisë për trafik ndërkombëtar droge. Gjatë operacionit u sekuestrua dhe 5 ton marijuanë që vinte nga Shqipëria.
Prokurori i Katanzaros Nikola Grateri ka bërë public emrat e të arrestuarve mes të cilëve tre janë shqiptarë. Ata janë: Indrit Buja 37 vjeç, Elvis Hajdini 25 vjeç dhe Shefik Muho 34 vjeç.
Operacioni i mëngjesit së të enjtes erdhi si rezultat i hetimeve që kanë nisur që në janar të një viti më parë, për drogën që vjen nga Shqipëria në Itali.

Denoncimim i PD në 2014: Ushtari i bandës së Zani Çaushit drejton antidrogën
Edi Rama dhe Saimir Tahiri emërojnë specialist të antidrogës në Vlorë, Ardian Liçin, një nga ushtarët e bandës së Zani Çaushit. Denoncimin e bëri dje Partia Demokratike, e cila publikoi edhe videot e bandës famëkeqe të 1997, ku në pamje duket qartë specialisti i Tahirit me xhupin e zi të lëkurës, që Zani e urdhëron të kontrollojë makinat në urën e Mifolit, në postbllokun që banda e Vlorës ka ngritur. Videoja ndodhet në YouTube dhe mund të shihet nga të gjithë.
Specialisti i antidrogës u emërua në Policinë e Vlorës pas vitit ‘97, por është shkarkuar në vitin 2003, sepse gëzhojat e pistoletës që mbante prej detyrës, u gjetën në vendngjarje, në një plagosje të rëndë. Kreu i Grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, në një konferencë për mediat denoncoi skandalin e emërimit në Policinë e Vlorës të anëtarit të bandës së vitit ’97.
“Sot jemi këtu për të denoncuar një prej skandaleve më të mëdha të kësaj qeverie në këto 4 muaj. Nëse doni të dini se si rilind Policia e Shtetit me këtë qeveri, shihni kush është emëruar së fundmi specialist i antidrogës në Vlorë. Ardian Liçi, ky emër mund të mos tregojë gjë për publikun masiv. Po për vlonjatët do të thotë shumë, sepse ata ende nuk i kanë harruar kohët e vështira të vitit 1997. Ardian Liçi ka qenë një nga ushtarët e Zani Çaushit, dhe kushdo mund të futet në YouTube e ta verifikojë këtë që po themi ne.

Ky person me xhupin e zi të lëkurës, që Zani e urdhëron të kontrollojë makinat në urën e Mifolit, në postbllokun që banda e Vlorës ka ngritur, është Ardian Liçi, dhe është vlerësuar nga ministri i Brendshëm, dhe nga drejtuesit e policisë si specialist i përshtatshëm për të luftuar trafiqet e drogës. Por kjo nuk është hera e parë që ushtari i Zanit shpërblehet nga socialistët. Mësohet se ai është emëruar në Policinë e Vlorës pas vitit ‘97, por është shkarkuar në vitin 2003, sepse gëzhojat e pistoletës që mbante prej detyrës, u gjetën në një vendngjarje, në një plagosje të rëndë”, theksoi Paloka.
Ky fakt, sipas tij, justifikon edhe rritjen e sasisë së drogës me origjinë nga Shqipëria, të kapur në vendet fqinje. “Tani, me Edi Ramën, erdhi koha që ushtari i Zanit të rilindë. Dhe rilindi, në radhët e antidrogës së Vlorës. Tashmë nuk ka asgjë për t’u habitur pse sasia e drogës së kapur në vendet fqinje me ne, që vjen nga Shqipëria, është rritur. Sepse luftën e drogës në vendin tonë, Edi Rama dhe Saimir Tahiri ia kanë besuar ushtarit të Zani Çaushit. Kjo është rilindje e vërtetë”, theksoi Paloka.

Artikulli paraprakBasha: Paratë e drogës, kërcënim për stabilitetin e vendit, po pastrohen me ndërtimet nga Bashkia e Tiranës, largim i Ramës
Artikulli tjetërSkandali me pastrimin e parave/ Jo një por plot 6 kulla do të ngrihen tek Teatri Kombëtar