5 skandale botërore që nuk kanë lidhje me Donald Trumpin

Ian Bremmer

Debatet e shumta që rrethojnë presidentin Donald Trump vazhdojnë të gjenerojnë tituj kryesorë nëpër botë. Por ka shumë skandale të tjerë politikë në botë që kanë nevojë për vëmendje. Ja disa që duhen pasur kujdes gjatë vitit 2017.

Skandal i kandidatit konservator të francezëve
Zgjedhjet presidenciale franceze të këtij viti ngrenë një pikëpyetje kryesore: kush do të sfidojë të djathtën ekstreme të Marine le Pen në raundin e dytë? Sondazhet e kanë shfaqur Le Pen si fituese në raundin e parë (aktualisht me 26 për qind), por e kanë shfaqur po aq humbëse në raundin e dytë.
Kjo është arsyeja përse Francois Fillon i qendrës së djathtë të Les Republicains, favoriti për të fituar presidencën vetëm dy muaj më parë, nuk ka ndërmend të heqë dorë, pavarësisht skandalit të vazhdueshëm. Fillon është akuzuar se ka punësuar gruan e tij si ndihmëse parlamentare dhe e paguan atë 900 mijë euro, pa pasur asnjë provë se ajo ka bërë ndonjë punë të vërtetë.
Por dobësia e dukshme e Le Pen e ka bindur Fillon se nëse arrin të kapërcejë stuhinë e skandalit, presidenca do të jetë e tij. Fillon aktualisht ka rënë në vend të tretë në sondazhe. Sa më gjatë që ai të qëndrojë në garë dhe të luftojë kundër rivalëve, veçanërisht kandidatit të qendrës Emmanuel Macron, aq më shumë gjasa ka të forcojë pozicionin e Le Pen.

Skandalet e Japonisë
Debati lidhur me Japoninë nisi me kryeministrin Shinzo Abe dhe lidhjet e tij të mundshme me një kopsht privat në Osaka, që thuhet se ka promovuar qëndrime degraduese për persona të etnisë kineze dhe koreane. Edhe pse Abe i ka mohuar menjëherë lidhjet, fakti se e ka përshkruar drejtorin e shkollës si një person, i cili “ndan të njëjtën ideologji me të” në të kaluarën është duke ia rënduar shumë situatën.
Për ta ndërlikuar situatën, e njëjta organizatë edukative ka blerë një tokë për të ndërtuar shkollën fillore “Shinzo Abe Memorial”. Shkolla ka paguar 1,2 milionë dollarë për tokën. Kritikët e Abe e kanë akuzuar kryeministrin për korrupsion – gruaja e tij, Akie Abe, e cila duhet të ishte drejtoresha e shkollës, dha dorëheqjen javën e kaluar. Kryeministri ka premtuar se do të japë dorëheqjen nëse ai ose gruaja e tij shpallen fajtorë të ndonjë akuze.

Destabilizimi i rendit politik në Korenë e Jugut
Më pas kemi skandalet që transformojnë politikën e një vendi. Për dekada me radhë, politikanët e Koresë së Jugut kanë pasur marrëdhënie të ngushta me “chaebols”, konglomerate të drejtuara nga familje të mëdha që nxisin ekonominë e vendit. Presidentja Park Geun-hye nuk përbën përjashtim. Asaj iu dha një votë mosbesimi nga Parlamenti në muajin dhjetor të vitit të kaluar dhe u pezullua përkohësisht nga detyra në mënyrë që një prokuror special të zhvillonte një hetim 90-ditor. Këtë javë ky hetim kërkoi një ndjekje të mirëfilltë kundër Park për akuzën e mitmarrjes së 38 milionë dollarëve nga Samsungu.
Gjykata Kushtetuese vendosi ditën e premte ta linte në fuqi pezullimin e saj dhe e rrëzoi atë nga detyra, një vendim i mbështetur nga 77 për qind e publikut, sipas sondazheve të fundit. Zgjedhjet do të mbahen brenda 60 ditëve dhe reforma për “chaebol ” do të jetë tema dominante e fushatës. Kjo mund të gjenerojë më shumë trazira dhe destabilizim në rajon.

Mungesa e presidentit të Nigerisë
Ky nuk është një skandal në kuptimin tradicional, por historia po gjeneron debate në nivelet më të larta të qeverisë. Bëhet fjalë për mungesën e vazhdueshme të presidentit Muhammadu Buhari. Ish-diktatori ushtarak 74-vjeçar, i cili fitoi në vitin 2015 ka qenë në Londër për kurimin e një sëmundjeje që nuk është bërë publike që më 19 janar. Thashethemet rreth shëndetit të tij janë të shumta që atëherë dhe deklaratat e zyrës së tij nuk i kanë qartësuar gjërat. Një pjesë e problemit me historinë e Nigerisë – kur u rivendos demokracia në vitin 1999, u arrit një lloj marrëveshjeje që pushteti do të mbahej me rotacion nga veriorët myslimanë dhe jugorët kristianë. Që atëherë ka pasur vetëm 2 veriorë myslimanë në pushtet.

Skandali i korrupsionit në Amerikën Latine
Skandali më destabilizues në botë në ditët e sotme buron nga Amerika Latine. Hetimi antikorrupsion  “Lava Jato” (Larje makinash) në Brazil – i cili zbuloi prova se kompania shtetërore e naftës së Brazilit Petrobras po shpërblehej me kontrata qeveritare në këmbim të ryshfeteve – e ka trazuar prej vitesh politikën braziliane dhe ka hequr nga pushteti presidenten Dilma Rousseff. Por tani rezulton se skandali nuk përfundon në kufirin e Brazilit. Odebrecht, gjiganti i ndërtimit në Brazil që i paguan Petrobrasit miliona dollarë ryshfete, ka pranuar se ka paguar në të gjithë Amerikën Latine dhe disa pjesë të Afrikës.
Qeveria e Venezuelës, e implikua në hetim, ka probleme edhe më të mëdha se ky skandal, madje kjo është vetëm një pikë në oqean për të. Argjentina ka emëruar liderë të rinj që pas shpërthimit të skandalit.

Artikulli paraprakEvropa, Turqia dhe fushata elektorale
Artikulli tjetërHetimet, një histori mafioze me plehrat