Hetimet, një histori mafioze me plehrat

Më 28 shkurt portali “Pianeta Italia”, do ishte i pari që do të publikonte shkrimin rreth skandalit të zhdukjes në Shqipëri të gati 1300 konteinerëve me 22 ton secili të dyshuara me mbetje toksike. Portali do hidhte dritë mbi disa dokumenta të autoriteteve portuale të Goia Taura, ku flitej për gati 2500 konteinerë të nisur nga ky port drejt Maqedonisë po vetëm 1200 kanë mbërritur atje. Në fakt bëhej fjalë për mbetje, të cilat do të shkonin në landfillin e Drisla, në rrethinat e Shkupit. Nga mënyra se si u zhdukën, dyshohet që të jenë mbetje të rrezikshme, dhe vendi ynë sipas saj të jetë përdorur si vend i asgjësimit ose i groposjes së tyre. Në lidhje me këtë çështje, Pianeta Italia, e drejtuar nga Sergio De Gregorio, ish-gazetar me një karrierë gati 40-vjeçare, por edhe senator i të djathtëve i Forzza Italia të Berluskonit. Sergio De Gregorio, ka qenë dhe kryetar i Komisionit të Mbrojtjes në Senat, pra një njeri me goxha akses në informacion. Por jo vetëm kaq. Media në fjalë kish pyetur për këtë çështje dhe një zyrtare të lartë të Maqedonisë, Eva Netkovska, e cila ka hedhur jo pak akuza në drejtim të qeverisë për këtë çështje, duke e akuzuar si të lidhur me mafien e plehrave. “Hetimi i zhvilluar nga policia italiane ka arritur në përfundimin se ato janë varrosur në Shqipëri. Sipas informacioneve tona, Shqipëria është e përzierë në biznesin e plehrave. Në disa zona të vendit ato groposen ose digjen…shpesh bashkë me plehrat normale futen edhe ato të rrezikshme…qarkullojnë sasi të mëdha parash…trafiku kontrollohet nga mafia”, thotë zyrtarja maqedonase.

Hetimet shqiptaro-italiane

Më datë 1 mars, do njoftohej se Parlament italian prej kohësh kish nisur një hetim rreth mbetjeve që eksportohen nga Italia, drejt vendeve të tjera e kryesisht tek ato të Lindjes. Në datën 2 mars, investigimin e nisur nga ana e portalit “Pianet Italia”, e çon më tej dhe gazeta më e vjetër italiane “Roma”. Sipas kësaj gazete kjo çështje është diskutuar dhe mes Kryeprokurorit të Shqipërisë, Adriatik Llalla dhe Prokurorin kombëtar Antimafia, Franco Roberti. Sipas kësaj gazete, Prokurori italian është pyetur rreth kësaj çështje në vendin tonë nga një gazetar, por i është shmangur pyetjes,”Hetime të rezervuara do të arrijnë shpejt fazën thelbësore”, pëshpëritet në korridoret e Pallatit shqiptar të Drejtësisë, por askush – mes të pranishmëve në konferencën për shtyp – nuk merr mundimin të ngrejë hipoteza mbi interesa të përbashkëta investigues. Asnjë pakujdesi, përveç një pyetjeje “tendencioze” për trafikun e paligjshëm të mbetjeve që vijnë nga Italia e hidhen, shpesh ilegalisht, në territorin e gadishullit ballkanik. “Prokuror, mijëra konteinerë që vijnë nga porti kalabraz i Gioia Tauro e me destinacion Maqedoninë kanë zbarkuar në Durrës dhe janë zhdukur gjatë rrugës… Duket se mbajnë mbetje urbane dhe industriale. Shqipëria është bërë koshi i plehrave të Evropës?”, pyet një gazetar. Prokurori i gjatë rrotullon sytë dhe ngre shpatullat. Driblon pyetjen, por e bën thjesht për respekt të sekretit mbi proceset në vazhdim e sipër, i cili duhet ruajtur”, citon “Roma” në numrin e saj të datës 2 mars 2017.

Në Shqipëri

Një ditë më pas e njëjta gazetë do të jepte një tjetër se, hetimet tashmë i ka marrë në dorë dhe Antimafia italiane. Sipas “Roma”, drejt Shqipërisë janë nisur prokurorë të vendit fqinj, ndërkohë që vjen dhe njoftimi se Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për këtë çështje. Aleanca Kundër Importit të Plehrave, do i drejtohej me një letër Kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe Ministrisë së Financave në varësi të të cilës janë dhe doganat shqiptare nga mendohet se kanë hyrë konteinerët me mbetje kontaminuese. Një dëshmi e një të penduari të mafias e procesit hetimor “Pinochio” do të hidhte dritë dhe më tej mbi skandalin se si transportoheshin mbetjet toksike nga mafia drejt shteteve të tjera. Sipas tij, trafikantët përdornin anijet e transportit të mermerëve ose pllakave të betonit për t’u ruajtur nga rrezatimi. “Në qoftë se institucionet nuk mbyllin sytë, trafikimi i mbetjeve nuk vazhdon. Ky trafik bëhet nga shumë shtete, nga qeveritë dhe jo nga trafikantët”, thotë trafikanti i penduar.

Vendimi i qeverisë në duart e Prokurorisë së Krimeve të Rënda

Ndërkohë, dosja e hetimit të trafikut të mbetjeve ka kaluar në dorë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi Prokuroria e Durrësit shpalli moskopetencën, për shkak se hetimi po bëhet në dy zona. Më datë 7 mars, pas një deklarate të ambientalistit Sazan Guri, mediat publikuan faktin, se një vendim i qeverisë në lidhje me transportin e mbetjeve kimike i kish lehtësuar dhe më tej punën trafikantëve të këtij lloji. Me anë të këtij vendimi qeveria i hapte rrugën eksportit, transportit dhe tranzitit të lëndëve të këtij lloji në vendin tonë. Një vendim i cili, ishte pezulluar që prej 15 vitesh. Nga ana e tij ambjentalisti Guri, në një intervistë do të thoshte se ky lloj vendimi është fare i panevojshëm, pasi Shqipëria nuk ka industri që punon me lëndë kimike. Atëherë, përse duhej ky lloj vendimi i qeverisë? Mediave italiane më tej iu bashkua dhe rrjeti CNN, dega Greqi. CNN grek shkruan, që jo vetëm se mbetjet janë në Shqipëri, por përcakton edhe 5 qytetet shqiptare se ku janë groposur këto mbetje të rrezikshme, të cilat kishin destinacion Maqedoninë. Televizioni shkruan se, lëndët kimike që kanë ardhur nga Italia janë groposur pikërisht në Durrës, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Dibër.

Eksperienca mafioze e Rumanisë, historia e fshatit Glinë

Plehrat e Bukureshtit, shtresë pas shtrese formuan një kodër në Juglindje të kryeqytetit, duke mbuluar pothuajse plotësisht fshatin e vogël. Ka njerëz që marrin frymë duke thithur atë erë të keqe që nga 1976, kohë në të cilën ish-lideri komunist Nicolae Ceausescu vendosi që në këtë vend të hidheshin mbeturinat e Bukureshtit. Ashtu si Glina, janë edhe një mori vend-mbledhjesh të tjera të shpërndara. Drejtimin e tyre, paçka që në fasadë janë rumunët, e kanë italianët. Fenomeni i fundit, i cili ka alarmuar Interpolin, është lulëzimi i një morie kompanish që merren pikërisht me plehrat. Projekti filloi para tre vjetësh, kur biznesi drejtohej nga ortakë të don Vito Ciancimino (dënuar me 13 vjet burg për bashkëpunim mafioz), që morën me firmën e qeverisë rumune fushën e Glinës, krematorin në Ploiesti dhe një sërë vendgrumbullimesh të mëdha në Mures dhe Baicoi. “Ecorec” që drejton biznesin në Glina, u fitua nga grupi “Valente”. Dy vjet më parë, ata vendosën që të luanin “ndeshjen” e tyre të parë për plehrat, duke zbatuar një plan modern për transformimin e “Ochiul Boului”, duke mbyllur kontratat me një pjesë të madhe të vendeve të Unionit Evropian: plehrat e tyre, drejt Rumanisë. Shumë prej korporatave tentakula të Vëllezërve Pileri, që drejtonin grupin me në krye Gianni Lapis e Romano Tronci, operojnë akoma në Bukuresht në sektorin e plehrave, në fushën e pasurive të patundshme dhe në biznesin e modës. Konteinerët e plehrave vijnë nëpërmjet detit dhe kalojnë lehtësisht kufirin nga Porti i Kostancës (Costanza). Ka raste që vijnë edhe nga Odessa dhe Illichivs’k në Ukrainë. Gjatë muajve të nxehtë janë shtuar kontrollet në kufij dhe gazetat rumune flasin për “caracativa”, (oktapodi italian), rrjeti i shoqërive që ndajnë “llomkat” e plehrave. Është e lehtë ta luash këtë lojë, këtu ku mafia dhe kamorra kanë kohë që janë stabilizuar. Mjafton të mendosh që në 5 vitet e fundit janë arrestuar të paktën dhjetë super të arratisur italianë të gjetur në këtë zonë: që nga Francesco Schiavone, kushëriri i Sandokan, kamorristi Mariano Pascale i kapur në Dubraveni, Ignazio Nicodemo etj., etj. Ndërkohë janë trefishuar kompanitë italiane që marrin pjesë në garën për plehrat dhe që prezantohen në Romenvirotec, panairi më i madh që zhvillohet për këtë biznes. Nëse në Jug të vendit mbizotëron mafia kineze, rusët janë organizuar në kufi me Moldavinë për të drejtuar trafiqet e mbeturinave toksike nëpërmjet republikave ish-sovjetike. Më të fortët në këtë fushë janë dhe mbeten italianët. Ata kontrollojnë Veriperëndimin, zonën e Bukureshtit dhe deri poshtë në Detin e Zi. Për ata, mbeturinat nuk bëjnë pis, ato pastrojnë. Mbeturinat pastrojnë para, dhe thithin fonde publike. Bashkimi Evropian është dorëlëshuar për sa i përket financimeve për modernizimin e sistemit të mbeturinave dhe kjo i mbush llogaritë monetare të kriminelëve. Si rrjedhojë, “emergjenca Napoli”, për disa, është një pulë që bën vezë të arta. Paguan qeveria, paguan Brukseli, paguajnë të gjithë. Firmosen kontrata me korporata italiane, dhe plehrat ecin në “rrugët” e Kamorrës, të përziera me plehra që në Itali është e pamundur t’i zhdukësh. Nuk është fanta-shkencë, ky është rregulli: Plehrat janë tashmë një biznes që sjell fitime më shumë se sa droga. Kriminaliteti ka bërë një “kapërcim cilësor”, duke u hedhur në të ashtuquajturat “sipërmarrje ekologjike”. Është e qartë që strategjia bazë e riciklimit të plehrave shikon drejt Lindjes. Mjafton të bësh vetëm një kalim të shtunave në “Bambo”. Është një nga diskotekat më të mëdha të Europës Lindore, parajsë e ndërtuar nga muzika, vajza të bukura dhe meshkuj biznesmenë. Pronarët janë dy italianë që kanë ndërtuar një perandori të vogël në kryeqytetin rumun: Xhiosu e Çiro Kastelano, nipërit e Pupeta Mareskas, mikja e njohur e bosit Umberto Amaturo, gruaja e parë mes Kamorrës. Një tavolinë në zonën VIP ta japin vetëm ata personalisht dhe pastaj paguan edhe 1000 euro për të pirë vodkë komerciale. Jashtë vijnë rrotull “Ferrari”, “Audi”, BMW të reja fringo. Në Bukuresht, seksi dhe biznesi janë shumë të përziera. Në atë pistë vallëzojnë jo vetëm njerëz, por edhe miliarda, që nga Italia kalojnë tranzit në Ballkan. Një inxhinier lombardez vitin e kaluar ishte bërë pjesë e lojës, duke dashur të bëhej pjesë e xhiros së shkarkimeve. Dhe rezultati i vetëm që arriti ishte vajtja në spital me kocka të thyera. “Shoqëritë pas të cilave fshihet krimi i organizuar, marrin nga shteti (komunat) autorizimin për shkarkimet e plehrave”, tregon ai për “L’Espresso”. Është parashikuar zgjerimi i biznesit tashmë.  Pak javë më parë, policia rizbarkoi në Glina. Ndaloi disa kamionë. Brenda? Ajo që pritej. Transportonin sasi substancash ilegale. Pak më në Jug arrestuan një shofer me një ngarkesë mërkuri. Këta janë arsyeja që plehrat e Napolit për popullin rumun mbeten një ankth që rikthehet. Pikërisht për këto mbeturina Presidenti Traian Besesku vendosi një JO të prerë në 2007. Po të shkosh sot në Glina ose në rrethina të tjera e të flasësh italisht rrezikon jetën. Para disa muajsh të rinjtë e zonës i përzunë të gjithë nga shkarkimet. Me ta është edhe Alin, një i ri që ka punuar në Napoli në kantierin e pafund të “metropolitans”. E njëjta gjë ndodh nëse shkon në Jug, drejt Kostancës, ku një mori shkarkimesh abuzive e kanë trazuar zonën. Banorët rrahën edhe një gazetar, reporter i huaj. E konfirmon policia rumune dhe zyrat diplomatike. Këto të fundit këshillojnë të mbrosh veten. Nga kush? Nga këta të dëshpëruar apo nga ekomafia ballkanike?

Lespresso 2009

Artikulli paraprak5 skandale botërore që nuk kanë lidhje me Donald Trumpin
Artikulli tjetërMegaskandali që fshin Ramën, Basha: Genocid