5 aleatët e Amerikës në epokën e Trumpit

Ian Bremmer

Pas zgjedhjeve më të pazakonta të historisë moderne të Shteteve të Bashkuara, u zgjodh edhe presidenti më pak tradicional. Elita globale shumë shpejt kuptoi se masat që kishte nëpërkëmbur prej kohësh, tashmë ishte ngritur kundër në përpjekje për të ndryshuar botën.
Donald Trump erdhi në pushtet pas një fitoreje të jashtëzakonshme që pak e kishin parashikuar. Ai premtoi se do ta shkundte të gjithë botën dhe çdo politikë e tij do të ishte në favor të interesit amerikan. Një muaj pas zyrtarizimit të presidencës së tij, Donald Trump ka arritur vërtet t’i shkundë të gjitha dhe disa nga aleatët tradicionalë të Shteteve të Bashkuara janë ende duke u përpjekur të kuptojnë se çfarë drejtimi do të marrë Amerika me administratën e re.

Izraeli
Përveç presidentit rus, Vladimir Putin, nuk kishte lider tjerër në botë që u gëzua aq shumë pas fitores së madhe të Donald Trump në garë kundër Hillary Clinton se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu. Kryeministri prej kohësh kishte marrëdhënie veçanërisht të tensionuara me ish-presidentin Barack Obama, kryesisht për shkak të ndërtimit të vazhdueshëm të vendbanimeve izraelite në territoret e pushtuara nga palestinezët.
Gjatë mandatit të qeverisjes Obama, vendbanimet izraelite në West Bank u rritën nga 300 mijë deri në 400 mijë. Kandidatja demokrate, Hillary Clinton, shihej kryesisht si një vazhdimësi e politikës aspak miqësore të administratës Obama kundrejt aleatit tradicional të Shteteve të Bashkuara, Izraelit. Procesi i paqes që ndiqej nga ish-administrata Obama dështoi në mënyrë spektakolare dhe arriti vetëm të tensionojë akoma më shumë marrëdhënien ndërmjet Washingtonit dhe Tel Avivit.
Pas një vale të theksuar optimizmi në dy javët e para të administratës Trump, Izraeli deklaroi ndërtimin e mbi 5,500 njësive të reja vendbanimesh. Lëvizja ishte mjaft agresive dhe presidenti Trump u detyrua të mbante një deklaratë për shtyp ku thuhej se vendbanimet e reja izraelite mund të mos ta ndihmonin procesin e paqes, duke kërkuar kështu një lloj vetëpërmbajtjeje nga aleati i vjetër i Shteteve të Bashkuara.
Netanyahu nga ana e tij tashmë përballet edhe me probleme të tjera brenda vendit dhe me një akuzë antikorrupsion dhe një fushatë që ka nisur kundër tij, madje sondazhet tregojnë se 44 për qind e izraelitëve mendojnë se ai duhet të japë dorëheqjen. Çështja në fakt ka pak gjasa të ndikojë në vazhdimësinë e qeverisë aktuale izraelite dhe nuk do të ndikojë kurrsesi në mbarëvajtjen e marrëdhënies së ngushtë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit në të ardhmen.
Marrëdhënia tradicionale ndërmjet dy vendeve është thellësisht strukturore dhe nuk duhet të bazohet në preferenca personale ndërmjet liderëve të ndryshëm. Përshkrimi i tensionuar që i bëhet shpesh marrëdhënies ndërmjet dy vendeve mund të jetë politikisht e dobishme për shumë shtete të tjera, por realiteti është se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli tashmë kanë një marrëdhënie më të qëndrueshme dhe më pak të trazuar se më parë.

Kanadaja
Për presidentin Donald Trump, Kanadaja është e ngjashme me Kaliforninë – një ekonomi tepër e zhvilluar me punë të paguara mirë dhe elektorat tepër liberal. Nuk është plotësisht demografia e tij e preferuar, por në Kanada ka më pak mospërputhje se sa në Meksikë. Gjërat bëhen akoma më të lehta nga fakti se deficiti tregtar me Kanadanë është vetëm një e katërta krahasuar me atë me Meksikën.
Kështu, qëllimi kryesor i kryeministrit kanadez, Justin Trudeau gjatë vizitës së tij në Washington ishte i thjeshtë: buzëqesh, shtrëngo duart, flit për gjërat mbi të cilat jeni dakord (si bashkëpunimi tregtar dhe naftësjellëset), shmang gjërat mbi të cilat keni mendime të kundërta (si refugjatët dhe ndryshimi i klimës). Në këtë aspekt, misioni u realizua me sukses pasi vizita prej 9 orësh e kryeministrit kanadez në Shtetet e Bashkuara, 4 prej të cilave i kaloi me presidentin Trump, gjeneroi shumë pak lajm. I vetmi lajm që u theksua ishte se ana kanadeze e marrëveshjes NAFTA do të “ndryshohej”.
Por Justin Trudeau tani duhet të tregohet i kujdesshëm. Pas zgjedhjes së presidentit Trump ai ka tentuar të kthehet në promovuesin e kauzave liberale si tregtia e lirë, toleranca fetare, shqetësimet për ndryshimin e klimës, mikpritjen e refugjatëve e kështu me radhë. Kryeministri kanadez mund të tundohet të ngacmojë Trump dhe qëndrimet e tij konservatore mbi këto çështje dhe të luajë rolin e liderit liberal. Por një lëvizje e tillë nuk do të ishte aspak e zgjuar nga ana e tij. Treçereku i eksporteve kanadeze dhe mbi 2.5 milionë vende punë të kanadezëve vazhdojnë të varen kryesisht nga mbarëvajtja e tregtisë së vendit me Shtetet e Bashkuara.

Japonia
Vizita e kryeministrit japonez, Shinzo Abe në Washington në fillim të muajit janar qartësoi më së miri një pikë shumë të rëndësishme: Nëse Amerika do të ketë një “marrëdhënie të veçantë” me ndonjë vend gjatë vitit 2017, ky vend do të ishte Japonia. Kryeministrit Abe i duhet njohur një zgjuarsi e theksuar diplomatike për këtë deklaratë, në një kohë kur shumica e liderëve botërorë janë ende duke u menduar se si duhet të reagojnë pas zgjedhjeve presidenciale të Shteteve të Bashkuara. Abe në të kundërt, nxitoi menjëherë të takohej me presidentin e zgjedhur në Kullën Trump, përpara se të zyrtarizohet presidenca e tij. Ishte një lëvizje mjaft e zgjuar që i dhuroi kryeministrit japonez një respekt dhe kredibilitet të shtuar përballë Donald Trumpit dhe mund të themi me bindje se presidenti nuk e ka harruar kortezinë e tij.
Abe është shfaqur mjaft i kënaqur me presidencën Trump dhe mezi pret zgjerimin e bashkëpunimit midis Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara, një gjë është mëse e pritshme duke marrë në konsideratë përpjekjet e Kinës për të rritur influencën e saj në Azi, si dhe sjelljen e saj agresive në Detin e Kinës së Jugut dhe Detin e Kinës së Lindjes.
Por Japonia duhet të sigurohet gjithashtu që titujt kryesorë të lajmeve të vazhdojnë të përqendrohen në marrëdhëniet tregtare ndërmjet Japonisë dhe Kinës, jo në qëndrimin e tyre ushtarak, sepse e ardhmja e Abes si kryeministër dhe e Japonisë, varet nga dinamizmi ekonomik, jo nga pushteti ushtarak. Për këtë hyn në lojë edhe vlera e jashtëzakonshme që kanë 49 mijë trupat e Shteteve të Bashkuara të pozicionuara në Japoni.

Mbretëria e Bashkuar
Barack Obama si president nuk ishte shumë i dhënë pas marrëdhënies speciale me Britaninë e Madhe. Lidhja romantike ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe që i bën fansat e Churchillit t’u mbushen sytë me lot, ishte tërësisht e parëndësishme për ish-presidentin. Obama ishte më i dhënë pas globalizmit dhe gjithnjë tepër i zënë me strategjinë që ndiqte në Azi për t’u kujdesut për aleatin e vjetër anglez. Donald Trump është tërësisht ndryshe. Presidenti i ri amerikan e ka shumë për zemër Britaninë e Madhe, ndërsa Bashkimi Europian e mërzit. Brexit për të është gjesti më i bukur i vullnetit popullor.
Presidenti Trump është i vendosur për të arritur një marrëveshje tregtie sa më shpejt të jetë e mundur me Britaninë e Madhe. Si një biznesmen i zoti, marrëveshjet, negociatat janë pika e tij e fortë dhe këtë do ta demonstrojë me bujarinë për aleatët e tij britanikë.
Zgjedhja e presidentit Trump për sekretar të Tregtisë, Wilbur Ross, ka shkaktuar zhurma dhe debate të ndryshme për sa i përket divorcit të Britanisë së Madhe me Bashkimin Europian – të paktën përpara se ai të nominohej zyrtarisht në kabinetin e ri. Por pjesa tjetër e ekipit të Trumpit duket se e mbështet dhe përgëzon fuqimisht Brexit.
Kur Boris Johnson vizitoi New Yorkun në fillim të këtij muaji, ai u takua me këshilltarët më të besuar të presidentit Trump: dhëndrin e tij, Jared Kushner dhe kryestrategun Steve Bannon. Kushner, i cili duket se është figura influencuese në ekipin të Trumpit, nuk hezitoi të theksonte se priste që marrëveshja e tregtisë me Britaninë e Madhe do të përfundohej shumë shpejt. Ai u shpreh mjaft entuziast për idenë e arritjes së shpejtë të marrëveshjes dhe sugjeroi se do të nevojiten vetëm pak ditë për të përcaktuar principet mbi të cilat do të ngrihet ajo.

Arabia Saudite
Më pas vijnë sauditët, partnerët e vjetër tregtarë të Shteteve të Bashkuara, edhe pse dy shtetet nuk kanë mendësi të ngjashme. Deri tani, gjëja më e këndshme që Trump ka bërë për sauditët është që i kanë lënë ata jashtë urdhrit ekzekutiv të ndalimit të udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara. Duke qenë se figurat terroriste saudite që kanë zhvilluar sulme në Amerikë nuk janë të paktë, ky vendim i presidentit duhet të konsiderohet vërtet kortezi.
Është e vërtetë se Shtetet e Bashkuara janë shumë herë më pak të varur nga nafta saudite në krahasim me vitet e kaluara – në vitin 2003, Shtetet e Bashkuara importonin 648 milionë fuçi nga nafta e Arabisë Saudite. Falë rritjes së jashtëzakonshme të prodhimit që ka pësuar revolucionalizim në Amerikë, kjo shifër është reduktuar në 387 milionë fuçi deri në vitin 2015. Në ditët e sotme shifrat sa vijnë e ulen çdo vit dhe ky realitet i ka lënë sauditët të dobët.
Megjithatë, armiqësia e shfaqur hapur nga presidenti Trump kundrejt Iranit (armiku i betuar i Aranisë Saudite) është një qëndrim mëse i mirëpritur nga aleati i vjetër arab i Shteteve të Bashkuara. Presidenti Trump dhe Mbreti Salman kanë diskutuar lidhur me “aktivitetet destabilizuese rajonale” të Iranit gjatë bisedës së tyre të parë telefonike. Pyetja e vërtetë për sauditët do të jetë si do të reagojë presidenti Trump në rast se Shtetet e Bashkuara goditen nga një tjetër sulm terrorist. Sa i përmbajtur do të tregohet presidenti ndaj sauditëve? A do të gjendet Arabia Saudite në mes të një vale inati kundër vendeve myslimane? Përgjigjja është ende e paqartë.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakVladislav Surkov dhe “putinizmi”
Artikulli tjetërFMN: Ulni borxhin në 60%, masa shtesë për kreditë e këqija