43 mijë nga Shqipëria kërkuan azil në BE në 2016

Papunësia, varfëria, lufta e pamundur për mbijetesë në kërkim të një jete më të mirë e ka shndërruar largimin nga Shqipëria në të vetmen rrugëzgjidhje të shqiptarëve për të garantuar jetesën e familjeve të tyre. Numri i kërkesave për azil nga shqiptarët në vendet e BE-së në 2016-ën arriti në 43,265 kërkesa, por vetëm 3.17% e tyre janë pranuar. Për çdo 32 kërkesa të paraqitura nga shqiptarët në zyrat e emigracionit të BE-së, pranohet vetëm 1, shkruan “Monitor”. Vendi që ka raportin më të lartë të kërkesave të pranuara për azil nga shqiptarët është Italia, ku në 225 kërkesa gjatë 2016-ës janë pranuar 100 prej tyre, ndërsa më të ulëtin e ka Gjermania, që edhe pse ka marrë 32 mijë e 100 kërkesa ka pranuar vetëm 170 prej tyre. Italia për 2016-ën ka pranuar vetëm 39% të totalit të kërkesave për azil. Sipas të dhënave nga Eurostat, numri i kërkesave për azil në Itali ka qenë shumë herë më i ulët se në Gjermani. Për çdo 150 kërkesa për azil në Gjermani, bëhej një kërkesë në Itali. Por mundësia që kërkesa të pranohet në Gjermani është shumë e ulët. Në çdo 190 aplikime, vetëm njërit i është pranuar kërkesa.

Vendet me raportin më të lartë të pranimit të kërkesave

Pas Italisë numrin më të lartë të pranimit të kërkesave për azil e mban Anglia, ku në 1090 kërkesa janë pranuar 235 prej tyre apo 21.5 për qind e totalit. E treta në renditje për kërkesat e pranuara është Franca, i cili është dhe vendi i dytë me numrin më të lartë të azilkërkuesve shqiptarë. Nga 5,330 kërkesat për azil janë pranuar 750, apo rreth 14 për qind e totalit. Më pas renditen, Austria (3.5% të kërkesave të pranuara), Suedia (3.41%) dhe Irlanda (2.9%). Në çdo pesë persona që kërkojnë azil në Europë, tre iu realizohet kërkesa, sipas të dhënave për përgjigjet e para të kërkesave për azil. Gjermania ka pasur numrin më të lartë të kërkesave, afërsisht 607 mijë, prej të cilave janë pranuar 68%.

Dëshpërimi i shqiptarëve

Megjithë deportimet, paralajmërimet deri edhe tek kërcënimet e shteteve të BE, asgjë nuk i ndal dot shqiptarët drejt braktisjes së Shqipërisë dhe nisjes së një jete të re jo të lehtë, por me shpresa larg vendlindjes. Për të katërtin vit radhazi, shqiptarët vijojnë të përplasen dyerve të Europës në kërkim të një vendi pune e strehe për të jetuar normalisht. Zyra europiane për Azilin ka publikuar raportin vjetor, sipas të cilit vendi ynë është një ndër 10 vendet me numrin më të lartë të kërkesave për azil në vendet e Bashkimit Europian. Shqipëria për 2016 ka pasur rreth 3 për qind të totalit të aplikacioneve, duke u radhitur pas Sirisë, Afganistanit dhe Irakut, por në krah me Somalinë dhe Eritrean. Megjithatë, Shqipëria është edhe vendi me reduktimin më të lartë të shifrave të azilantëve krahasuar me 2015, por kjo nuk na zbret nga lista e dhjetëshes me numrin më të lartë të aplikimeve për azil. Në krahasim me tre vjet më parë numri i azilkërkuesve në Europë ka pësuar rënie, ndërkohë që Siria mbetet ende vendi me numrin më të lartë të azilkërkuesve. 1.3 milionë kërkesa azili janë paraqitur më 2016 në Bashkimin Europian, ku përfshihet edhe Norvegjia, Zvicra, Islanda dhe Lichtenstein. Ndërkohë, muajt e parë të 2017 tregojnë një rënie krahasuar me të njëjtën periudhë në tre vitet e shkuara. Siria mbeti vendi kryesor i origjinës së aplikantëve të regjistruar në BE+, duke përfshirë edhe periudhën midis janarit dhe majit 2017, e ndjekur nga Afganistani, Iraku, Pakistani dhe Nigeria. Por Shqipëria renditet në dhjetë vendet kryesore me numrin më të madh të aplikantëve për azil në BE vitin e shkuar. Këto të dhëna janë bërë publike gjatë prezantimit të raportit vjetor të zyrës europiane të mbështetjes për azilin (EASO) në Bruksel për situatën e azilit në Bashkimin Europian. Dhjetë vendet me numrin e aplikantëve më të mëdhenj për 2016 përfshijnë Pakistanin, Nigerinë, Iranin, Eritrean, Shqipërinë, Rusinë dhe Somalinë.

Penalizimi me rikthimin e vizave

Shtatë vite pas lëvizjes së lirë, qeveria Rama riktheu vizat për shqiptarët kjo për shkak të paaftësisë së saj për të frenuar fluksin e lartë të azilit të shqiptarëve drejt vendeve të BE. Ndonëse Shqipëria nuk është ende pjesë e Bashkimit Europian, qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të udhëtojnë në zonën Shengen pa pasur nevojë për viza. Megjithatë, ata duhet të respektojnë disa rregulla, ndaj të cilave duket se nuk ka tolerancë. Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar disa informacione me rëndësi, të cilat duhet t’i keni parasysh përpara se të nisni udhëtimin tuaj në Shengen. Kjo masë e BE ndodh për shkak të largimit masiv të shqiptarëve drejt vendeve të BE për shkak të varfërisë ekstreme dhe papunësisë që ka përfshirë vendin në katër vitet e qeverisjes Rama. Pjesë e njoftimit janë edhe dënimet e BE-së për këdo që shkel këto rregulla. Vlerësohet se të paktën në tre vitet e fundit janë mbi 200 mijë shqiptarë që janë larguar drejt vendeve të BE për të kërkuar azil, ndërkohë përpjekjet për të braktisur vendin vijojnë me të njëjtin intensitet.

Artikulli paraprakMasakër turistike dhe mjedisore në Sarandë
Artikulli tjetërKuvendi nuk reflekton vullnetin e lirë të zgjedhësve, por manipulimet