Kuvendi nuk reflekton vullnetin e lirë të zgjedhësve, por manipulimet

Kryetari i opozitës, Basha deklaroi dje se, Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit nuk përfaqëson vullnetin e lirë të zgjedhësve shqiptarë, por shitblerjen e votave. Kjo mund të konsiderohet një nga deklaratat më të forta për procesin e 25 qershorit dhe është e barabartë me mosnjohjen e zgjedhjeve.
Deklarata e Bashës erdhi pas përfundimit të raportit përfundimtar të zgjedhjeve nga Task Forca dhe ministrat teknikë të PD, të cilët kanë paraqitur me detaje të gjitha provat e krimit elektoral. Kryetari i opozitës ka denoncuar Ramën si autorin e manipulimit të zgjedhjeve të 25 qershorit. Deklarata e tij është një mosnjohje e rezultatit zyrtar të zgjedhjeve, ndërsa Basha paralajmëron se vendi ka të domosdoshme reformat e thella politike që do të garantojnë zgjedhje të lira.
“Është fakt: Zgjedhjet u dhunuan dhe manipuluan nga Edi Rama dhe makineria e tij e pushtetit e ndihmuar nga krimi i organizuar dhe paratë e drogës dhe të korrupsionit”, shprehet Basha në deklaratë. Një detaj tjetër nga deklarata e Kryetarit të opozitës ka të bëjë me minimin që Rama i ka bërë punës së ministrave teknikë të PD. Basha shkon më tej, duke deklaruar publikisht Ramën si shkelës të premtimit që u kishte dhënë ndërkomëbtarëve në lidhje me përfshirjen në qeveri të ministrave teknikë dhe rolin e tyre në procesin zgjedhor.
“Ministrat teknikë u sabotuan, u lanë pa fonde dhe pa burime; drejtuesit e lartë refuzuan bashkëpunimin dhe nuk ju bindën udhëzimeve të tyre; institucionet përgjegjëse vepruan sa për sy e faqe ose nuk u angazhuan fare. E gjitha kjo ndodhi për mungesë totale të vullnetit politik nga Edi Rama për të përmbushur detyrimet që mori përsipër përpara shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar”, shprehet Basha.
Kryetari i opozitës deklaron se vota u ble me para dhe favore, u kërcënuan direkt dhe indirekt votuesit me dhunë fizike, psikologjike dhe presion ekonomik, u manipulua numërimi i votave. Në zgjedhje u aktivizuan kriminelët, u përdorën paratë e drogës, dhe paratë e korrupsionit qeveritar. U përfshi administrata dhe u përdorën mjetet dhe burimet publike.

3600 emërime në zgjedhje dërgohen në Prokurori

Punësimet në shkelje të Kodit Zgjedhor, i hapet rrugë shkresës për adresimin e çështjes në Prokurori.
Gjatë fushatës zgjedhore sipas të dhënave zyrtare nga ana e organeve tatimore janë kryer rreth 3600 lëvizje të burimeve njerëzore në administratën publike në kundërshtim me nenin 88 të Kodit Zgjedhor. Në të gjitha rastet e verifikuara nga Task Forca ka rezultuar që vetdeklarimet nga institucionet e monitoruara kanë qenë të rreme. Kjo çështje është adresuar në Prokurori që në fillim të muajit korrik nga zv/Kryeministri, por rezultoi që zyra e protokollit të Kryeministrisë pa shkak të ligjshëm nuk e kishte dërguar pranë këtij organi. Pas sqarimit, përfundimisht zyra e protokollit e dërgoi dje duke i hapur rrugë hetimeve të mëtejshme nga ana e organit të Prokurorisë.
Shqetësimi rreth punësimeve të bëra nga institucionet shtetërore, ministritë, shoqëritë me kapital 100% shtetëror që janë varësi e ministrive, bashkive për periudhën 25 maj deri me 22 qershor, u ngrit në mbledhjen e pestë të Task Forcës.
Referuar informacioneve të ardhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Task Forca verifikoi punësimin gjatë periudhës zgjedhore të 3580 punonjësve së administratës të bërë në kundërshtim me nenin 88 të Kodit Zgjedhor, me Urdhër të Kryeministrit nr.65 si dhe me Vendimin nr.473 të Këshillit të Ministrave.

Arben SHAHINI

Artikulli paraprak43 mijë nga Shqipëria kërkuan azil në BE në 2016
Artikulli tjetërSkënderbeu dhe dimensioni i tij europian