Masakër turistike dhe mjedisore në Sarandë

Një video e publikuar në rrjetet sociale shfaqte pamje horror të asaj që po ndodh në bregdetin e Sarandës. Ujëra të zeza me fekale dhe aroma mbytëse tmerroi pushuesit, të cilët nisën largimin e menjëhershëm nga shezlongët ku po pushonin
Kjo është hera e tretë që ndodh brenda 10 ditësh, ku shpërthimi i tubacioneve njëherë në Ksamil e dy herë në Sarandë ka pushtuar detin duke tmerruar pushuesit
Një video e publikuar në rrjetet sociale shfaqte pamje horror të asaj që po ndodh në bregdetin e Sarandës. Pas shpinës së pushuesve, të cilët po merrnin rrezet e para të diellit në bregun e detit të Sarandës një tubacion i madh i ujërave të zeza vijonte të rridhte pa pushim, duke nxjerrë si një kanal ujërat e zeza të qytetit, fekale e aromë mbytëse, të cilat të gjitha përfundonin në det.
Në video shihet qartazi se si pushuesit kanë braktisur vendin e pushimeve, duke zbazur tërësisht bregun, duke i lënë rrugë të lirë ujërave të zeza, të cilat vrullshëm i bashkoheshin ujit të detit duke e pushtuar tërësisht artë. Një pamje sa e dhimshme aq terrorizuese që të bën të mendosh se në çfarë vendi jetojmë dhe me çfarë kushtet kafshërore kujdesen strukturat shtetërore për vendin tonë.
E ndërsa kryeministri Rama zgjohet përditë me iluzionet e një turizmi perfekt e të përsosur, duke postuar shkrime të sponsorizuara dhe të blera me paratë e taksa paguesve shqiptarë për mrekullinë e turizmit shqiptar, pushuesit janë duke u larguar nga sytë këmbët për shkak të tmerrit që po shohin me sytë e tyre teksa deti që kanë përballë po pushtohet tërësisht nga ujërat e zeza. Të paktën ky është rasti i pakundërshtueshëm i bregdetit të Sarandës.
Kjo është hera e tretë që ndodh brenda 10 ditësh, ku shpërthimi i tubacioneve njëherë në Ksamil e dy herë në Sarandë ka pushtuar detin duke tmerruar pushuesit. Nuk ka ndodhur kurrë më parë, që në kulmin e sezonit turistik, i cili pavarësisht gjithë të metave të tjera që ka për shkak të mungesës së investimeve që janë stopuar këto katër vite të jetë masakruar në një mënyrë të tillë për shkak të papërgjegjshmërisë totale të autoriteteve përkatëse në mirëmbajtjen e tubacioneve të ujërave të zeza.
Prej një jave bregdeti i Sarandës është shndërruar në një makth të vërtetë për pushuesit që kanë zgjedhur këtë qytet për të kaluar pushimet. Të hënën që kaloi më 14 gusht, në Sarandë tubacionet e ujërave të zeza u çanë duke shkaktuar ndotjen e detit pranë Kanalit të Çukës. Sipas njoftimit të Bashkisë Sarandë, në faqen zyrtare në Facebook, “rrjeti i ujërave të zeza është investim i kryer në vitin 2013”. Por e vërteta është krejt ndryshe. Punimet për Ujësjellës-Kanalizimet në Sarandë u inauguruan më 6 prill 2017, nga ministri i Infrastrukturës Sokol Dervishaj, ambasadorja gjermane Susanne Schutz dhe kryetarja e Bashkisë Sarandë, Floriana Koka.

Ujërat e zeza nga shpërthimi i vjedhjeve me investimet e pakryera

Projekti për shtrimin e 55 kilometrave tubacione uji, rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve, ndërhyrje në rezervuarin e ujit dhe ndërtimin e një godine të re ujësjellësi, pjesë e master-planit të zhvillimit të Bregdetit të Jugut, ka kushtuar rreth 7,6 milionë euro. Fondet për këtë projekt janë miratuar në vitin 2010 si pjesë e programit IPA të BE-së me bashkëfinancim të Bankës Gjermane për Zhvillim (KFW) për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit dhe të kanalizimeve të ujërave të zeza në Fier, Korçë, Berat, Lushnjë.
Sipas dokumentave të projektit IPA, tenderi për punimet duhet të niste 2 vite pas nënshkrimit të marrëveshjes financiare, ndërsa punimet duhet të përfundonin 4 vite pas nënshkrimit të kontratës. Dhe më pas, bashkisë i jepej një vit kohë si periudhë prove për të parë nëse rrjeti ka defekte. Punimet u realizuan nga kompania shqiptare “Trema Engineering 2”, e njëjta kompani që ka rikonstruktuar edhe stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.
Problemi me çarjen e tubacioneve pranë Kanalit të Çukës nuk është i vetmi i ndodhur gjatë muajve të fundit. Në mes të korrikut, një tub që dërgon ujërat e zeza tek impianti i përpunimit, u ça dhe u derdh në liqenin e Butrintit, jo vetëm duke ndotur ujërat, por dhe duke shkaktuar dëme serioze në vaskat e midhjeve. Specialistët e Ujësjellës–Kanalizimeve Sarandë dhe Inspektoriati i Mjedisit pranë Bashkisë, me synimin për të shmangur largimin e turistëve, nuk e bënë publik rastin. Sipas Saranda News Capital, pas prishjes së këtij tubacioni, ujërat e zeza për të paktën 2 javë janë derdhur në lumin e Bistricës.
Po ashtu vetëm një javë më parë, banorët e Sarandës janë ankuar për mungesë të furnizimit me ujë prej disa ditësh, problem edhe më serioz po të kihet parasysh se qyteti është në pikun e sezonit turistik. Gjithashtu, 2 muaj më parë, në maj 2017 KLSH paditi kryebashkiaken Floriana Koka për “shpërdorim detyre”. Sipas auditimit të KLSH, kryebashkiakja ka bërë likuidime pagesash për investime të pakryera, thënë ndryshe punë fiktive për “përmirësimin e rrjetit të ujërave të zeza në zonën e Hotel “Butrinit” deri tek Kanali i Çukës në vlerën e 30 milionë lekëve”.

Ujërat e zeza ndotin edhe plazhin e Malit të Robit

Deti nga Durrësi deri tek Mali i Robit është i mbushur plot me ujëra të zeza. Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar në faqen e tij në Facebook një video të dërguar nga një pushues ku shihen se si derdhen ujërat e zeza në det tek Mali i Robit. Një mirëmëngjes për Noriegën me një video nga pushuesi dixhital!”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje zoti Berisha! Kjo ka ndodhur sot në plazhin Mali i Robit rreth orës 5:30 të mëngjesit ku po kaloj pushimet ndaj ju lutem a mund ta postoni këtë video si një mirëmëngjes nga Mali i Robit nga pushuesi dixhital për kryeministrin Rama”, shkruan pushuesi.
Thuajse çdo mëngjes, Edi Rama përshëndet ndjekësit e tij në rrjetet sociale me video apo foto nga bukuritë natyrore të vendit apo projektet e qeverisë. Të njëjtën formulë ka përdorur edhe një prej ndjekësve të Berishës që i sugjeron Ramës të shohë një video nga Mali i Robit, kur ujërat e zeza derdhen në det.
Në një kohë kur plazhi i Durrësit ka numrin më të madh të pushuesve, bregu i detit është ndotur keq. Edhe pse kjo situatë shqetësuese është bërë prezent në Bashkinë e Durrësit, nga ana e saj nuk është marrë asnjë masë. Leshterikët që nuk pastrohen e kanë bërë të pamundur qëndrimin në plazh. Leshteriket kanë dalë në breg, kurse koshat e mbushur me mbeturinat janë aty në këmbët e pushuesve. Në kilometrin e parë të bregdetit të Durrësit është e pamundur të bësh plazh.
Brezi i rërës dhe ujërat e detit në disa metra thellësi janë ndotur. Mbeturinat urbane janë hedhur mbi rërë, duke e ndotur masivisht atë, kurse mirëmbajtësit nuk duken prej kohësh. Një situatë e tillë është në pikun e sezonit turistik, në një kohë kur plazhi është i mbipopulluar nga pushuesit. Ata tregojnë për neglizhencë të autoriteteve, duke lënë pas dore këtë bregdet, i cili për vite me radhë është identifikuar si epiqendra e turizmit shqiptar.
Por, ky nuk është i vetmi plazh që ofron për pushuesit mungesë të theksuar higjiene dhe pamje aspak të denja për një qytet bregdetar turistik. Në një gjendje akoma më të keqe ku ujërat e ndotura shkarkohen direkt e në det, ofron edhe plazhi nga shëtitorja “Taulantia” në drejtim të Currilave.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetër43 mijë nga Shqipëria kërkuan azil në BE në 2016