30 mijë qytetarë nga Kosova kaluan fundjavën në Shqipëri

Rreth 30 mijë qytetarë të Kosovës e kanë kaluar të premten dhe të shtunën në Shqipëri. Kurse, ata që nuk e kishin këtë mundësi, kanë shfrytëzuar parqet e sheshet për të kaluar ditët e ngrohta. Kosova, nga 7 prilli ka filluar zbatimin e masave të reja për mbrojtjen ndaj COVID-19.

Zbutja e masave anti-Covid në Shqipëri e ashpërsimi i tyre në Kosovë ka bërë që rreth 30 mijë qytetarë nga Kosova të kalojnë fundjavën në Shqipëri.

Vetëm në 24 orët e fundit, 15 mijë qytetarë të Kosovës kanë kaluar kufirin Kosovë-Shqipëri.

Përveç qytetarëve, edhe shumë zyrtarë qeveritarë e deputetë të Vetëvendosjes, kanë kaluar fundjavën në Shqipëri, në përkrahje të Boiken Abazit, Iliaz Shehut dhe Kreshnik Merxhanit, kandidatë të pavarur në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri, por që janë propozuar nga dega e Vetëvendosjes në Tiranë.

Sipas Policisë së Kosovës, vetëm në 24 orët ndërmjet së shtunës dhe së dielës, mbi 28 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova, drejt shteteve fqinje (Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia).

Nga ky numër, 15 mijë qytetarë, gjatë këtyre 24 orëve, kanë kaluar kufijtë perëndimorë të Kosovës, ku gjendet edhe pikëkalimi kufitar i Morinës, që lidh Kosovën dhe Shqipërinë.

Në territorin e Kosovës, në këtë interval kohorë kanë hyrë mbi 21 mijë persona. Vetëm në kufijtë perëndimorë kanë hyrë mbi 9 mijë e 500 persona.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka reaguar për dyndjen e kosovarëve për në Shqipëri gjatë kësaj fundjave, kur në vendin tonë janë aktive masat kundër COVID-19, të vendosura nga Qeveria Kurti.

Rukiqi ka thënë se zyrtarët nga Qeveria ishin paralajmëruar se mund të ndodhte kjo dukuri, kur në rajon, e sidomos në Shqipëri ka masa më të relaksuara.

Me anë të një shkrimi në Facebook, ai vë në pah faktin se Kosova është e ndërlidhur shumë me ekonomitë e vendeve të rajonit, për shkak të kohës së shkurtër që duhet për arritur atje.

“Ne takim me zyrtaret nga Qeveria, i kemi paralajmëruar për atë se çka mund te ndodh nëse ne Kosove ka mbyllje te pjesshme, ndërsa ne rajon, sidomos ne Shqipëri ka masa me te relaksuara. Kosova është shume e ndërlidhur me ekonomitë e rajonit. Shkupi është larg vetëm 1 ore nga Prishtina, Durrësi/Tirana jo me shume se 3 ore. Çdo vendim qe merret, për çfarëdo çështje, jo vetëm për COVID, duhet ta këtë parasysh këtë ndërlidhje. Kemi mësuar shume për 1 vit duke u ballafaquar me pandeminë, prandaj na duhen vendime racionale te cilat prodhojnë efekt ne menaxhimin e pandemisë dhe nuk e dëmtojnë ekonominë”.

Ky fluksi i qytetarëve të Kosovës drejt Shqipërisë, gjatë fundjavës, është bërë në kohën kur në Kosovë janë duke u aplikuar masat e Qeverisë për parandalimin dhe luftimin e koronavirusit, ku janë të përfshira edhe kufizimi i i lëvizjes së lirë prej orës 22:00 e deri në 5:00, përveç në raste urgjente.

Ndërkaq, shërbimet e gastronomisë janë obliguar që të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri me datë 18 prill, si dhe është ndaluar veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre.

Në kuadër të vendimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me masat parandaluese në luftë kundër pandemisë së koronavirusi, në pikën e katërt, thuhet që “të gjithë qytetarët e Kosovës, gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin vërtetim për testin RT-PCR negativ, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në Kosovë. Në të kundërtën, ata duhet të vetizolohen për shtatë ditë.

Përjashtim nga pika katër e vendimit të qeverisë, bëjnë vetëm qytetarët e Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 24 orët e fundit.

Policia e Kosovës nuk ka dhënë sqarime nëse është duke i zbatuar këto masa në kufi, gjatë hyrjes apo kthimit të qytetarëve të Kosovës nga Shqipëria, në rast se ata kanë qëndruar atje më shumë se 24 orë.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, të dielën, më 11 prill, Kosova regjistroi 12 viktima dhe 529 raste të reja me sëmundjen COVID-19.

Kosova ka regjistruar rastet e para me koronavirus më 13 mars, 2020. Që atëherë, në tërësi janë regjistruar 97.996 raste, ku prej tyre 1.988 raste kanë përfunduar me fatalitet. Aktive vazhdojë të jenë 13.944 raste.

Artikulli paraprakShkencëtarët identifikojnë vitet gjatë të cilëve plakemi më shumë
Artikulli tjetërDokumenti sekret i Ramës: Xhafaj, Tahiri dhe Lleshi nuk do votojnë PS-në