3 nga 29 kandidatët e përzgjedhur për Komisionin e Vettingut me precedentë

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani nuk ndalet me akuzat duke shigjetuar vazhdimisht qeverinë ‘Rama’. Me anë të një mesazhi në faqen e tij zyrtare në ‘Facebook’, Manjani tha se 3 nga 29 kandidatët e përzgjedhur për Komisionin e Vettingut kanë precedentë penalë, ndërsa një e katërta e tyre nuk ka punuar asnjë ditë si juristë. “Nga 29 kandidatët e filtuar për t’u zgjedhur në komisionet e Vetting, 3 prej tyre kanë qenë ose janë në ndjekje penale! Një e katërta ska punuar asnjë ditë juristë! Nuk e di a i ka parë OMN..!”, citohet në mesazhin e Manjanit. Mbrëmjen e së premtes, Avokati i Popullit ka bërë publike dy listat me personat që kanë plotësuar kriteret dhe ata që nuk i kanë plotësuar ato, për pjesëmarrje në organet e “vetting”-ut. Avokati i Popullit verifikoi për një javë 192 aplikime, nga të cilat 29 aplikime kanë përmbushur kriteret formale për një pozicion në KLGJ apo KLP, ndërsa 163 aplikime nuk i kanë përmbushur kriteret për secilin pozicion. Menjëherë Avokati i Popullit ia ka dorëzuar listat e kandidatëve Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që ka dy javë kohë t’i shqyrtojë këto lista dhe më pas të krijojë një listë të tretë, që është një “listë e zezë”, ku mund të përfshihen edhe ata që përmbushin kriteret. Më pas listat i shkojnë sërish Avokatit të Popullit.

Artikulli paraprakQeveria braktis të papunët
Artikulli tjetërVajza e Azem Hajdarit në sheshin e protestës për zgjedhje të ndershme