3.5 tonë drogë dhe armë nga Shqipëria bllokohen në Itali

3.5 tonë marijuanë me vlerë prej 35 milionë eurosh, një kallashnikov, një skaf, dy gomone dhe një mjet rimorkio u sekuestruan dje gjatë një operacioni të gjerë të Policisë italiane. Droga është futur nga Shqipëria në Itali përmes Adriatikut. 14 persona janë vënë në pranga nga Policia italiane, si anëtarë të një bande që merrej me trafikun e drogës mes Salentos dhe Shqipërisë. Midis 14 të arrestuarve nga operacioni i ndërmarrë, katër janë shqiptarë, përkatësisht Vase Mekshi, 39 vjeç, Shefik Muho, 33 vjeç, Leonard dhe Emiljano Bufi, 36 dhe 31 vjeç.
Urdhër arrestimi u ekzekutua nga Policia financiare e Brindizit në bashkëpunim me atë të Leçes. Sipas hetimeve të Policisë italiane, kjo organizatë kriminale ishte e ndarë në dy grupe; grupi i trafikantëve shqiptarë që transportonin marijuanë përmes detit nga Shqipëria drejt territorit të Puglias dhe grupi i italianëve të aftë për të trafikuar lëndën narkotike në territorin italian.
Shqiptarët dhe italianët nga Salento kishin një partneritet të hekurt për të menaxhuar tregtinë e drogës përmes detit Adriatik. Hetimet 10 mujore nga Policia financiare e Brindisit kanë grumbulluar elementët e nevojshëm për të treguar se transportimi i marijuanës nga brigjet e Shqipërisë drejt Pulias jugore është menaxhuar nga një organizatë e vetme ndërkombëtare, ku sipas “La Republica-s”, shqiptarët kanë luajtur rolin e prodhuesit të drogës, organizatorë të transportit dhe shitësit, ndërsa italianët kanë ofruar logjistikën, udhëtimin në det dhe strehimin në tokë pas mbërritjes nga korrierët.
Gazeta shkruan se muajit e fundit nuk kanë qenë të shumta rastet e kapjes së marijuanës, por në total janë kapur më shumë se tre ton e gjysmë marijuanë, vlera totale e të cilës vlerësohet në 35 milionë euro. Përveç 14 personave të arrestuar, nga gushti i vitit 2016 janë arrestuar edhe 21 persona, ndërsa dy të tjerë janë ndjekur penalisht në gjendje të lirë.
Ndër të arrestuarit janë dhe shtetas shqiptarë, të cilët akuzohen se sillnin drogën nga Shqipëria për në Pulia. Sipas hetimeve organizata kriminale me bazë në Itali koordinonte punën me furnizuesit shqiptarë si dhe transportin e drogës nëpërmjet detit, futjen në territorin italian dhe shpërndarjen e saj. Si drejtues të bandës janë akuzuar italianët Valeria Farina Valaori dhe Guliemo Kataldi të moshës 52-vjeçare.
Në një hark kohor prej 11 muajsh, që nga gushti i 2016-ës deri më sot, janë denoncuar gjithsej 23 persona që i përkasin organizatës kriminale, 21 prej tyre janë arrestuar. Gjatë operacionit të policisë u sekuestruan 3.508 kilogramë marijuanë, për një vlerë prej 35 milionë eurosh, një kallashnikov, një skaf, dy gomone dhe një mjet rimorkio.
Sipas hetimeve të zbuluara nga njerëzit e Guardia di Finanza, të koordinuara nga koloneli Tiziano Lagrua, partneriteti italo-shqiptar ka gjurmuar metodat operative të përdorura gjatë viteve ’80 dhe ’90 për kontrabandën e cigareve.
Nuk është rastësi, shkruan gazeta italiane, që shumica e të arrestuarve në të vërtetë janë ish-kontrabandistë të ricikluar në trafikun e drogës. Ata kanë qenë të caktuara në detyra të posaçme për të drejtuar anijet e shpejta dhe të vogla në Detin në Adriatik, por edhe për të vepruar si vrojtues në porte, nga ku vijnë mjetet e Policisë bregdetare e më pas njoftoheshin bashkëpunëtorët.
Ata ishin të kujdesshëm me inspektimet në det dhe për të monitoruar vendndodhjen e mjeteve të transportuar për të shmangur surprizat. Italianët kujdeseshin për ruajtjen e drogës, duke e fshehur në të çara dhe në shpella të vogla të plazhit dhe më pas ua jepnin shqiptarëve që kryenin rolin e korrierëve. Më pas, ishin italianët që menaxhonin transportin në rajone të tjera të Italisë si dhe marketingun e shitjes me pakicë.

R.POLISI

Artikulli paraprakNeukirch: Fondet për bashkitë s’duhet të kenë orientim politik
Artikulli tjetërZbardhet skema, si u blenë votat e emigrantëve nga PS