BE: 2120 të vdekur në Shqipëri nga ndotja më 2016, 6 çdo ditë

Sipas Raportit të Cilësisë së Ajrit në Europë 2016, në Shqipëri vdiqën prej ndotjes së ajrit 2120 persona. Pjesa më e madhe e tyre, 2010, janë shkaktuar prej pranisë së lartë të grimcave në ajër, 10 prej tyre prej dioksidit të nitrogjenit dhe 100 prej ozonit. Në vitin 2013 numri i vdekjeve të shkaktuara nga ndotja ishte 776.
Në rajon numrin më të lartë të vdekjeve e ka Serbia, ku prej ndotjes së ajrit më 2016 humbën jetën 10,730 persona, ndërsa numrin më të ulët të vdekjeve të shkaktuara nga ndotja e ka Mali i Zi, ku ndotja shkaktoi 660 vdekje sipas Raportit të Cilësisë së Ajrit më 2016.
Në Ballkanin Perëndimor, ndotja e ajrit po shndërrohet në një problem fatal, veçanërisht prej politikave energjetike të këtyre vendeve, shkruan “Euractive”.
BE, e cila po punon vazhdimisht me qeveritë e Ballkanit Perëndimor për të përditësuar politikat e tyre mjedisore dhe energjetike, ka një rol të rëndësishëm.
Në vendet fqinje, Maqedoni, Malin e Zi dhe Bosnje, njerëzit kanë nisur protestat për cilësinë e ajrit që thithin.
2.4 milionë njerëz vdesin çdo vit si rezultat i ndotjes së ajrit, ndër të cilët vetëm 1.5 milionë vdekje i atribuohen ndotjes së ajrit në vende të mbyllura, që pretendohet të kenë ajër të pastër. Ky është raporti vjetor i OBSH-së, Organizata Botërore e Shëndetësisë, mbi cilësinë e ajrit në botë, ndotjen dhe pasojat e tij mbi njeriun. Fakte të tilla tronditëse e vënë botën përballë një sfide globale, siç është ndotja e mjedisit që më së shumti shkaktohet nga shtimi i dioksidit të karbonit CO2.
Dioksidi i karbonit është identifikuar si faktori më i fuqishëm i ndotjes së ajrit në botë dhe për rrjedhojë sjell numrin më të lartë të vdekjeve nga kanceri i mushkërive. Ajri që ne thithim çdo ditë është i ndotur nga një përzierje substanciale, e padukshme, që shkakton kancerin në mushkëri. Kështu, sipas statistikave vjetore të OBSH-së, 223 000 njerëz në vitin 2010 kanë vdekur si pasojë e kësaj sëmundjeje. Krahas saj, një numër i lartë sëmundjesh lidhen drejtpërdrejt me ndotjen e ajrit, si: sëmundjet e zemrës, sëmundjet e mushkërive, astma, pneumonia, bronkiti, alergji të frymëmarrjes, dhembje koke, migrenë etj. Në zonat urbane nivelet e PM-së janë më të larta. Ekspozimi i tepërt ndaj grimcave të larta të PM-së rrit rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare dhe problemeve me frymëmarrjen, po ashtu edhe kancer në mushkëri.
Ndotësit e ajrit mund të jenë grimca pluhuri, kimikate apo materiale biologjike, të cilat kanë efekte mbi organizmin e njeriut, mjedisin apo atmosferën.

Zyrtare, si u rritën vdekjet nga kanceri më 2016

Sëmundjet ishemike të zemrës dhe neoplazmat (tumoret) ishin përgjegjësit kryesorë për vdekjet në Shqipëri vitin e kaluar.
INSTAT publikoi dje se, numri i vdekjeve më 2016 në Shqipëri është 21.388, duke rezultuar me një normë vdekshmërie prej 74,3 për 10.000 banorë.
Në numrin e vdekjeve gjatë vitit 2016, femrat zënë 47,2% dhe meshkujt 52,8%.
Krahasuar me vitin 2015, numri i vdekjeve ka rënë me 4,6%.
Vdekjet natyrale zënë 87,4% të totalit në vitin 2016, pasuar nga vdekjet e shkaktuara nga aksidentet me 2,1% dhe ato nga vetëvrasjet 1,1%. Koeficienti i vdekshmërisë amtare më 2016 ka rënë në 3,2 për 100.000 lindje të gjalla nga 9,0 që ishte më 2015.
Në vitin 2016, rreth 52,0% e vdekjeve janë shkaktuar nga “sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut”, të cilat për këtë periudhë janë ulur me 4,2%, në krahasim me 2015.
Ndër shkaqet e tjera që zënë peshë të rëndësishme në numrin e vdekjeve janë “tumoret” me 15,8% të totalit. Në vitin 2016, vdekjet e shkaktuara nga tumoret janë rritur me 2%, krahasuar me një vit më parë, ku nëngrupi i sëmundjeve “tumor në mushkëri” përbën 20,4%.
Në vitin 2016, grupmosha 50 vjeç e lart zë 92,5% të vdekjeve dhe grupmosha 85 vjeç e lart zë 25%. Numrin më të lartë të vdekjeve në grupmoshën 85 vjeç e lart e zënë femrat me 63,8%.
Në vitin 2016, janë regjistruar 277 vdekje nën 1 vjeç, që përbëjnë 1,3%, të totalit. Krahasuar me 2015, numri i vdekjeve të fëmijëve nën 1 vjeç është rritur me 18,9%.
Më 2016, për grupmoshën 70-74 vjeç ka rënie të numrit të vdekjeve me 15,7%, krahasuar me 2015.
Duke analizuar vdekshmërinë sipas qarqeve, norma më e lartë regjistrohet në Gjirokastër me rreth 121 vdekje për 10.000 banorë. Numri më i lartë i vdekjeve në këtë qytet vjen prej faktit se ka popullsinë më të plakur në Shqipëri.
Nga ana tjetër, vlera më e ulët regjistrohet në Qarkun e Tiranës me rreth 60 vdekje për 10.000 banorë.

OBSH: Ndotja e ajrit, kancerogjene

Organizata Botërore e Shëndetit të enjten klasifikoi ndotjen e ajrit në mjedisin e jashtëm si një ndër shkaqet kryesore të kancerit tek njerëzit. “Ajri që thithim është ndotur me një sërë substancash kancerogjene”, thotë Kurt Straif i Agjencisë Ndërkombëtare të Kërkimeve mbi Kancerin (ANKK), agjenci e OBSH-së.
“Tashmë dimë se ndotja e ajrit është jo vetëm një risk për shëndetin në përgjithësi, por dhe një ndër shkaqet më të rëndësishme mjedisore të vdekjeve nga kanceri”.
Konkretisht, thotë drejtori i ANKK-së, Christopher Wild, ndotja e ajrit në mjediset e jashtme është klasifikuar si risk i “Grupit A”, kategoria më e rrezikshme në një shkallë me 4 kategori.
ANKK nënvizoi se një grup me ekspertët më të mirë ka gjetur prova të mjaftueshme se ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit shkakton kancer në mushkëri dhe rrit rrezikun e kancerit në veshka.
Wild nënvizoi se ndotja e ajrit nuk është shkaku kryesor i sëmundjes.
“Kemi mbi 1 milion raste me kancer mushkërie në vit, shumica e të cilave shkaktohen nga duhani, kurse ndoshta rreth 10% e tyre shkaktohen nga ndotja e ajrit”, u tha ai reporterëve.
Megjithëse substancat ndotëse dhe niveli i ekspozimit mund të ndryshojnë mjaft midis vendeve, agjencia deklaroi se konkluzionet e saj janë të vlefshme për çdo rajon të botës.
Ndotja e ajrit dihet tashmë se rrit rrezikun e sëmundjeve të frymëmarrjes dhe të zemrës.
ANKK thotë se nivelet e ekspozimit ndaj ndotjes janë rritur shumë në disa pjesë të botës në vitet e fundit, kështu në vendet me industrializim të shpejtë dhe popullsi të mëdha.
Të dhënat më të fundit, të vitit 2010, tregojnë se 223,000 vdekje nga kanceri në mushkëri në të gjithë botën janë pasojë e ndotjes së ajrit.
Të dhënat nuk u mundësuan ekspertëve të përcaktojnë nëse grupe të veçanta njerëzish ishin më të prekura, por Straif thotë se rreziku nga kanceri rritet me rritjen e ekspozimit ndaj ndotjes.
Në të kaluarën, ANKK ka matur praninë e substancave kimike dhe të përzjerjeve kimike në ajër- përfshirë të tymrave të automjeteve, të solventëve, metaleve dhe pluhurit.
Emetimet nga djegia e naftës janë të klasifikuara si kancerogjene nga ANKK.
Zbulimet e fundit janë bazuar mbi cilësinë e ajrit në përgjithësi dhe mbi studimin e thelluar të mijëra projekteve kërkimore mjekësore të realizuara nëpër botë përgjatë dekadave.
“Detyra jonë ishte të vlerësonim ajrin në përgjithësi, se sa të fokusoheshim në ndotës specifikë të ajrit”, thotë Dana Loomis, e ANKK.
“Rezultatet e studimeve të shqyrtuara tregojnë në të njëjtin drejtim: rreziku i kancerit të mushkërisë rritet ndjeshëm tek njerëzit e ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit”, shton ajo.
“Nuk ka ajër privat. Jemi të pafuqishëm të ndryshojmë ajrin që thithim. Duhet një aksion kolektiv për të zgjidhur këtë problem”, thotë ajo.
Burimet kryesore të ndotjes së ajrit janë transporti, termocentralet, fabrikat dhe fermat, ngrohja dhe gatimi në ambientet e banimit, thotë agjencia.
“Klasifikimi i ndotjes së ajrit si kancerogjen është një hap i rëndësishëm”, thotë Wild.
“Ka mënyra efektive për të pakësuar ndotjen e ajrit dhe për shkak të shkallës së gjerë të njerëzve të prekur, ky raport duhet të nisë një sinjal të fortë që të merrren masa pa vonesë”.
ANKK do të botojë konkluzionet e zgjeruara në sitin e specializuar “Onkologjia Lancet”.
Ajo ka bërë dhe një vlerësim të veçantë mbi “grimcat”, duke i klasifikuar si shkaktar kanceri i grupit 1. Grimcat përfshijnë grimcat e ngurta dhe grimcat e lëngëta të gjendura në ajër- si bloza -të cilat mund të penetrojnë thellë në aparatin e frymëmarrjes.
Përveç kancerit, pasoja shëndetësore të ndotjes së ajrit janë dhe vështirësi në frymëmarrje, bronshiti kronik dhe vdekja e parakohshme në njerëzit me sëmundje zemre ose mushkërie. Përpos këtyre, grimcat kanë dhe pasoja mjedisore, si gërryerja, papastërtia, dëmtimi i bimësisë dhe mjegullimi i pamjes nga smogu.

Artikulli paraprakBien eksportet, defiçiti tregtar 162 miliardë lekë
Artikulli tjetërBE publikon shifrat zyrtare të Triestes: Asnjë projekt Ramës