Meritokracia dhe nepotizmi

Hamit TAKA

Termi meritokraci u përmend shumë në kohën e qeverisjes së zotit Nano. Bile shkrimtari i madh, Dritëro Agolli, atë lloj meritokracie, me të drejtë apo pa shumë të drejtë, e quajti shkërdhatokraci, kuptimi i së cilës u përvetësua mirë në atë kohë, por që ka mbetur shumë për ta shpjeguar edhe sot.

Meritokracia nuk është gjë tjetër veç vlera që i njihen personit, nisur nga vërtetësia e tyre, sundim i aftësisë. Merita është e barabartë me talentin ose si masë të vetën ka talentin. Kur dikush kryen një funksion, qoftë politik, shoqëror, drejtues në ekonomi e kudo, këtë duhet ta bëjë në bazë të talentit, i cili nxjerr në pah edhe meritat në fushën përkatëse ose çliron aftësitë e duhura. Nëse futemi thellë fjalës meritë, zbulojmë në thelbin e saj bazën e demokracisë ose, e pakta, mund të krahasohet me të nga përmbajtja. Në fakt, në kushtet e Shqipërisë së sotme, meritokracia do të ndeshet shumë shpejt me klasat që sundojnë, me forcat politike, me paditurinë e tyre dhe me pandërgjegjen e tyre – Këneta e Stigjes(Komedia hyjnore e Dantes, rrethi i pestë), që e mbyt me avuj helmues meritokracinë.
Meritokracia ndesh me nepotizmin. Kuptimi i fjalës nepotizëm kërkohet tek solidariteti me të afërmit. Historikisht si fjalë lindi në shek XV-XVI kur disa papë të periudhës u bënin favore (dhe shkëmbenin) familjarëve të tyre, veçanërisht nipërve (Nipote), nga ka rrjedhur edhe fjala nepotizëm! Përvoja në vendin tonëështë e citur me shembuj të veprimit nepotik, trashëgiminë dhe këtu përvoja ka treguar sejo rrallë djali i filanit bëhet shef atje ku ka qënë i jati ose në atë fushë. Shkoni në ambasadat apo konsullatat tona dhe do të gjeni vetë punonjë tëfërm, shok apo miq të politikanve… Kjo gjë ngre më e pakta dy pyetje:
Fëmija i punëtorit, a mund të bëhet kryeministër?
Fëmija i një politikani, a duhet të jetë kryeministër?

Në Shqipëri, sistemi politik, ai qeveritar e ka zëvendësuar meritën me atë besues– shkërdhatokracia –(ky është i partisë sime).Përvoja ka treguar dhe shembuj mund të sillen sa të duah, kur i paafti, i forti, vetëm se ka qënë në ballë të mitingjeve apo ka regjistruar prurje votuesish për partinë fituese, zë pozicione të pamerituara në administratën shtetërore dhe lokale. Persona besues e votues, që s’kanë mbaruar as shkollën 9- vjeçare në qëndërbanimin e tyre, çojnë në zyrën e personalit dëftesa mature nga shkolla të thella, shumë larg qendrës së banimit të tyre dhe diploma universitetesh pa emër, bile preferojnë të shkruajnë në Facebook, të deklarohen në shtyp apo në radio e televizione lokale, se janë me UT(Universiteti i Tiranës). Bile për punësime të thjeshta shkohet deri te parimi: je votues, shko në punë, shpesh punë të sajuara –tund derën, siç shprehet populli në raste të tilla dhe merr rrogën minimale, nga lekët e taksapaguesve.
Meritokracia – edhe pse s’është i partisë sime, i përket pozicioni drejtues, sepse ka talent dhe njohje profesionale të thellë, tenton të zhduket pa dëshirën e vet. Duke gërvishtur paksa në sipërfaqe këtë plagë të trashëguar shqiptare, them të trashëguar, sepse s’mund të përjashtohet koha që e ka përpunuar: lidhjet fisnore, krahinore, politike, ekonomike, ideologjike, etike, fetare etj, spostohen vetiu në fund dhe, nëse dalin në krye të listës, atëhere shpaloset një pamje tjetër. Nuk besojnë ata që s’mbushin barkun me bukë, por ata që e frynë plëncin aq sa u pëlcet. Asnjë varfanjak, përshëmbëll, një që s’ka të hajë bukë në darkë, nuk mendon me zemërim fqinjin e tij, i cili ka dhe nuk i shkon ndërmend se tjetrit po i ha kafshatën e gojës që i takon atij.

Në rastin në fjalë rrëshqasim drejt zilisë, merita këtu qëndron shumë larg horizontit. Një trup i uritur nuk ka kohë fiziologjike për mendime dhe ndjenja mefistofelike, sepse duhet të luftojë për ekzistencën. Ndërsa një politikan, i cili nga ana tjetër është mirë nga gjendja ekonomike, dmth nga ata që gjithë ditën mendojnë të përvetësojnë diçka sepse e “meritojnë” – për ç’arsye?!… Pra ky politikan mund dhe e eliminon meritokracinë – akti në veprim, duke e zëvendësuar me Plutokracinë – ja arsyeja.

Plutokracia,konsiderohet si fuqi politike e matur me dhe në vartësi të fuqisë ekonomike, pavarësisht nga aftësia profesionale dhe intelektuale e politikanit në fjalë. Mund të jetë një copë i paditur, por ka pasuri, e natyrisht dikton edhe politikën. Në Shqipëri ky është një fenomen tmerrësisht i rrezikshëm, i konkretizuar çdo ditë me ngjarje të ndryshme, ku nuk sundon ligji, por vullneti i politikanit, i ministrit, i nëpunësit doganor, I të fortit, që mund të jetë dhe kriminel etj.

Është për t’u shënuar se, historikisht, ardhja në fuqi e nazizmit u pasua edhe nga lufta që i bëri Plutokracisë, duke e lidhur këtë fenomen të shëmtuar me vendet demokratike, për të justifikuar diktaturën dhe si mjet ai(nazizmi) përdori pakënaqësinë e masave. Pra, kur Plutokracia zëvendëson meritokracinë, do të thotë, as më shumë dhe as më pak, mbytje e demokracisë. Një fenomen i tillë lehtëson përpunimin e pakënaqësisë.

Por merita përbën dhe bazën e pakënaqësisë.
Çfarë ndodh me pjesmarrësit e një konkursi i cili ka si rrjedhojë edhe çmime? Ja një pyetje që zbulon diçka shumë interesante. Thuajse të gjithë, përjashto fituesin e çmimit ose vendit parë, janë të pakënaqur. Ndodh ngaqë, të gjithë mendojnë se u është bërë një padrejtësi. Ata që nuk fituan asgjë, janë të pakënaqur, ata që fituan një çmim të tretë besonin se meritonin të dytin, ndoshta të parin (dëshira është maksimale, kurrë një rrugë e mesme), dhe ai që fiton çmimin e dytë sepse besonte se meritonte të parin.

Pse ndodh kjo? Sepse të gjithë e konceptojnë sikur u është bërë një padrejtësi. Në fakt çmimet janë diçka që vetëm fitohen, asnjëherë nuk humben.Kështu, përshëmbëll, ndodhe edhe në portalet e punësimit. Shumë prej atyre, që nuk janë renditur në vendet e para, mendojnë se u është bërë padrejtësi, se meritonin të ishin ata i pari.

Mosaplikimi i meritokracisëi ka kushtuar shumë demokracisë dhe popullit në vendin tonë. Unë mendoj se në zgjedhjet e ardhëshme do të fitojë ajo parti, e cila do ta interpretojë më mirë para elektoratit kuptimin e meritokracisë dhe do ta bind se ajo do të udhëhiqet vetëm nga parimi i meritokracisë, duke i dhënë shkelmin shkërdhatokracisë(falë edhe shkrimtarit të madh Dritëro Agolli, i cili me këtë term të ri në fondin e gjuhës shqipe, ndriçoi shumë kuptimin e mëritokracisë dhe të kundërtën e saj)

Artikulli paraprakKoronafobia/ Sa ekziston dhe si ta shmangim?
Artikulli tjetër“Rrugëhumburit e së vetmes rrugë”