“Rrugëhumburit e së vetmes rrugë”

Ardit GJINALI

Slogani elektoral famëkeq “ E vetmja rrugë” i përdorur nga opozita e kohës gjatë fushatës së vendoreve 2011 ishte parathënia për mendësinë absolute të enturazhit politik që do të fitonte të drejtën për të qeverisur pas dy vitesh nën sloganin mashtrues “Rilindje”; evokim i një periudhe historike ku elita e vërtetë kombëtare kontribuoi thelbësisht duke sakrifikuar gjithçka përfshirë dhe të mirat personale në funksion të misionit kombëtar;- një pasqyrë e kundërt e akteve së pseudo-elitës së Rilindjes së gënjeshtërt që e ka shndërruar sfidën e qeverisjes nga mision dhe angazhim në një garë për të përmbushur orekset e grykësisë të segmenteve të veçanta politike dhe ekonomike, gjithashtu.

Rrugëtimi i mbrapshtë qeverisës për qytetarin dhe Shqipërinë është në përpjestim të zhdrejtë me mbarësinë që ka kapluar element të shtet-pushtetit duke u imponuar përdhunshëm si “të vetmit” që mund të qeverisin pavarësisht humbjes së rrugës. Rruga e humbur nuk mund të gjehet përmes kilometrave të përshkuar nga KryeKreu nën rehatinë e logjistikës së bollshme qeveritare; kilometrat për propagandën dhe imponimit të konsideruarit si të prekshëm realitetin në 3-D janë të ndryshëm nga rradha e vërtetë kilometrike e Kakavijë/Kapshticës; rradhët kilometrike dhe metrike në secilën pikë kufitare të Republikës ku bashkëqytetarët me fytyra të zbehta dhe të trishtuara, me ankthin dhe pasigurinë e së ardhmes presin vulosjen e vrazhdë së mjetit të identifikimit që shënon largimin e padëshiruar nga vendi i tyre; largim në kërkim të një jete më të mirë, në kërkim të gjetjes së rrugës që nuk e kanë humbur ata, por keqqeverisja.

E sotmja është pasqyra e “të vetmëve” që kanë humbur “të vetmen rrugë” – Shqipëria e së sotmes nuk ngjason me të njëjtën e së djeshmes së afërt; është shumë më pak demokratike, tregues ekomomikë të përkeqësuar, nivel demokracie të renditur nën mesataren, profesionistë të secilit zë ekspertize të larguar, besim i munguar i segmenteve të shoqërisë ndaj segmenteve të politikës, angazhim dhe pjesëmarrje e shkurajuar në proçeset demokratike;- shumëçka e premtuar ka mbetur në sirtarët e dyllosur të harresës, të tillët të hedhur diku rrugëve për të çliruar ndopak shpinën e kërrusur të një pushteti të përhumbur në mëkatet e tij.

Historia njerëzore ka dëshmuar urtësisht që mëkati nuk fshihet dhe fshehja e të parit të shtyn djallëzisht drejt kryerjes së një spiraleje të tillësh që të vrasin “gjumin politik” dhe atë njerëzor, gjithashtu. “Retorika e gjumit” e përdorur nga ekipi i mëkatarëve për të shigjetuar dhe stigmatizuar opozitën politike dhe liderin e saj është treguesi i qartë i dëshirës së pashprehur për të gjetur sërish gjumin e vrarë prej misionit të tradhëtuar dhe rrugës së humbur qëllimshëm, por të pagjetur prej qetësisë së prishur që të shkakton vrasja e gjumit ; “retorika e gjumit” është rikthyer duke u rrekur që ti japë zë një ekipi pa zë, pa ide, pa përmbajtje dhe formë të cënuar.

Virusi kombëtar i keqqeverisjes ka dëmtuar dhe kanosur trupin e Shqipërisë, por pavarësisht tentativave të vazhdueshme nuk mund të tjetërsojë shpirtin e së njëjtës;- shpirtin e qëndresës, rezistencës, besimit, shpresës dhe vullnetit për ndryshim .

Vullneti për ndryshim qëndron në shpirtin e çdo shoqërie të shëndetëshme demokratikisht dhe i tilli tejkalon plagët të shkaktuara nga mekanizmi djallëzor i qeverisë; garanton një shërim kombëtar dhe shoqëror duke krijuar kundëtrupat e nevojshëm kundër autokracisë dhe prirjeve të autoritarizmit. Bashkimi i madh i faktorëve politikë dhe shoqërorë do të materializonte vullnetin për ndryshim dhe do të ishte fillimi i vërtetë i ndërtimit së udhës së shpresës, besimit dhe ndryshimit të qënësishëm; i rrugës së gjetur dhe shpresës së fituar , i angazhimit dhe përfshirjes aktive në një Shqipëri të ditëve më të mira. Bashkë sepse ka ende shpresë….

Artikulli paraprakMeritokracia dhe nepotizmi
Artikulli tjetërTrump apo Biden, kush do ta fitojë debatin sonte?