13 milionë euro sekuestrime për kompanitë e naftës

Sektori i tregtimit të naftës po rezulton ndër më problematikët së fundmi në drejtim të kthimit të kredive. Vetëm në janar, janë dy kredi të mëdha, me vlerë totale 13 milionë euro, duke i detyruar bankat t’i drejtohen gjykatës dhe përmbarimit për të ekzekutuar pasuritë e lëna peng.
Së fundmi, një bankë e nivelit të dytë i ka kërkuar shoqërisë së tregtimit me pakicë A.S. Petroleum sh.p.k. të paguajë detyrimin e kredisë prej 279,452,593.81 lekësh apo rreth 2 milionë euro. Kredia është marrë në janar të vitit 2015. Për këtë titull ekzekutiv është lëshuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, vendimi i Urdhrit të Ekzekutimit që në prill të vitit 2016.
Ndërkohë që ka kaluar afati për ekzekutimin në mënyrë vullnetare të titullit ekzekutiv, tashmë përmbarimi po vijon me sekuestron mbi pasuritë e paluajtshme që pala kredimarrëse ka lënë si garanci në hipotekë në momentin e marrjes së kredisë, ku përfshihen disa toka dhe ndërtesa në Borakë në Durrës. Pasi nuk është arritur të caktohet me mirëkuptim një çmim për këto prona, përmbaruesi ka vendosur për caktimin e një eksperti të pasurive të paluajtshme.
Krahas bankës, kompania ka detyrime dhe ndaj të tretëve, si për shembull, kompanisë Fit-Mek-Oil, me këtë të fundit që i është drejtuar gjithashtu përmbarimit për titullin ekzekutiv faturë tatimore.
Për vitin 2015, kompania A.S. Petroleum kishte të ardhura prej rreth 400 mijë eurosh dhe fitim para taksave prej 35 mijë eurosh, sipas bilancit të dorëzuar në QKB.
Ky është rasti i dytë brenda pak ditëve që kompanitë e naftës nuk kthejnë kreditë në banka. Banka Kombëtare Tregtare ka kërkuar në janar 2017 sekuestron e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të kompanisë Bolunmez Petrol, pasi kjo e fundit nuk i ka kthyer kredinë, ndërkohë që banka ka vënë në ruajtje pronat e hipotekuara, teksa kompania ka ndalur punën dhe i ka braktisur këto prona. Kompania nuk ka kthyer 11 milionë euro kredi dhe kjo e ka detyruar BKT-në që të çojë çështjen në përmbarim dhe të kërkojë ekzekutimin e pronave të shumta që janë vënë në hipotekë. Nga raporti rezulton se të gjitha pronat janë braktisur. Pronat e vëna në hipotekë janë pesë depozita karburanti në Shëngjin, një depozitë uji, një depozitë dekantimi, tubacione nafte, si dhe truall e ndërtesa, të gjitha në Shëngjin.
Tregtimi i naftës është një sektor që ka lëvizje të mëdha, me mbyllje të kompanive apo rritje stratosferike të tyre brenda një periudhe të shkurtër kohore. Aktorët e tregut pohojnë se tregu i naftës ka luhatje shumë të mëdha, duke qenë dhe sektori që ka më shumë falimentime. Çdo vit falimentojnë 2-3 kompani.
Nga ana tjetër, ka shumë sipërmarrje, që hyjnë në treg, ndërkohë që mungon kontrolli dhe informaliteti është shumë i lartë. Mund të ndodhë që një operator të hyjë në treg, të xhirojë deri në 10 milionë dollarë dhe të dalë vitin tjetër, duke shkarkuar kështu një pjesë të xhiros së pafaturuar të një kompanie tjetër, një formë e përdorur rëndom evazioni mëse një dekadë më parë, por që duket se është kthyer sërish në modë. Borxhet e kreditë e ndërsjella apo shitblerjet mes kompanive janë një formë tjetër e shmangies. Mjafton që një sipërmarrje të blejë disa bote me naftë dhe xhiron shuma të larta.
Ky informalitet dhe luhatshmëri e madhe në tregun e naftës tashmë po reflektohet dhe në sistemin bankar, ku shumë kredimarrës po rezultojnë problematikë.

Artikulli paraprakKLSH zbulon kaosin në menaxhimin e parqeve kombëtare
Artikulli tjetërOSHEE 370 milionë euro borxh ndaj KESH