Zyrtare: 25 persona të rrëmbyer për trafik droge pas 80 të zhdukurve në Vlorë

Për tre vitet e fundit, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka hetuar rrëmbimin e 25 personave të zhdukur në mënyrë të çuditshme dhe pa asnjë gjurmë. Dosjet janë referuar nga prokuroritë e rretheve pas elementeve shtesë, dëshmive dhe kqyrjes së mjaft kamerave që i ka bindur hetuesit se njeriu për të cilin nuk kishte asnjë gjurmë ishte rrëmbyer nga të tjerë.
Rrëmbimi i 25 personave nga 2015 në 2018 ju konfirmua “Top Channel”-it pas interesimit pranë prokurorit të medias. Vendin e parë për rrëmbime e mban viti 2015, me hetimin e 15 çështjeve, mes të cilave më e rënda ishte ajo e zhdukjes së Enver Stafukës. I zhdukuri ishte i dyshuari kryesor si njeriu që kishte grabitur automjetin nga ku u qëllua për vdekje komisari Dritan Lama.
Por çështja që u kthye edhe në një objekt gjykimi është rrëmbimi i Ridvan Lamajt në mes të Sarandës dhe në mes të ditës, ngjarje për të cilën u gjykuan tre persona. Për këtë ngjarje në fakt prokuroria ka dyshime se i zhvukuri ishte përdorur nga trafikantët për të transportuar drogë drejt Greqisë.
“Top Channel” u interesua pranë prokurorit të medias për të marrë një version zyrtar se sa është numri i dosjeve që janë nën hetim për rrëmbim. Në 2016, Krimet e Rënda kanë regjistruar procedimin për 4 rrëmbime dhe dy vitet e fundit për 6 rrëmbime.

Në vend të parë qëndrojnë rrëmbimet në qytetin e Vlorës, disa prej të cilave janë transferuar për hetime të mëtejshme në Tiranë, siç është zhdukja e Leonard Mehmetit, Adriano Jahajt dhe Ariseld Mazes. Por ndërkohë, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda janë nën hetim edhe dy rrëmbime të ndodhura njëra në Shkodër dhe një tjetër në Tiranë.
Në faqen e Interpolit, në këndin e të zhdukurve Shqipëria ka të shpallur fotografitë e 145 personave të humbur, për fatin e të cilëve prej dekadash nuk dihet asgjë. Që nga Lorenc Kaca, i zhdukur në 1991, në moshën 13-vjeçare, por edhe fëmijë të tjerë siç janë Endri dhe Eva Dumani, të rrëmbyer nga i ati e të dërguar në Siri, apo Julian Çela. Deri tek të rinj që thanë se po largohen në emigracion apo vajza që nuk kanë ikur befas nga shtëpia.
Por, vitet e fundit, disa prej tyre po mungojnë për shkaqe më të sofistikuara, sepse njëri ndër ta ishte dëshmitar në një krim, sepse disa të tjerë i ka gjetur pala kundërshtare para se t’i gjejë shteti apo sepse pazaret e drogës u prishën. Dhe nëse për të zhdukurit do vazhdohet të mos zbulohet asgjë nga autoritetet, së paku për pjesën që mbetet, kuptohet se cili është portreti i krimit të organizuar.
“TCH”

Artikulli paraprak“Superclasicos” i bashkohen edhe CR7 me Messin
Artikulli tjetërArrestohet trafikanti që u fsheh në makinën e ish deputetit të Ramës