Zola jep “recetën”

Gianfranco Zola po mbështet ish-klubin e tij të mëparshëm për të bërë një surprizë kundër Barcelonës në Ligën e Kampionëve. Skuadra e drejtuar nga Antonio Conte udhëton për në “Camp Nou” me barazimin 1-1 të ndeshjes së parë të 1/8 finale të Ligës së Kampionëve, me synimin për t’u kualifikuar në çerekfinale, edhe pse goli i Lionel Messit në “Stamford Bridge” e vështirëson misionin e kampionëve të Anglisë në fuqi. Zola shënoi gol në fitoren 3-1 ndaj Barcelonës, në çerekfinalen e vitit 2000, përpara se gjigantët katalanas të përputheshin me atë rezultat në ndeshjen e dytë dhe të “kalonin lumin” në kohën shtesë. Këtë herë, Zola shpreson që Chelsea nuk do të vuajë aq shumë në “Camp Nou” dhe beson se Conte me lojtarët e tij mund t’ua bëjnë jetën të vështirë udhëheqësve të La Liga-s. “Nuk do të jetë e lehtë, duke luajtur në Barcelonë është një lojë e vështirë, por Chelsea është një ekip i fortë, me lojtarë të mirë, tha Zola për ‘Omnisport’. Unë mendoj se blutë mund të shkojnë atje dhe ta befasojnë Barcelonën, ata e kanë aftësinë ta bëjnë këtë. Chelsea ka llojin e lojtarëve që Barcelona nuk i pëlqen shumë, kështu që, sipas mendimit tim, është ende një lojë e hapur. Chelsea do të duhet të mbrohet mirë. Ndeshja e parë përfundoi 1-1, ndaj Barcelona do të përpiqet ta fitojë ndeshjen e kthimit, duke mos bazuar në avantazhin e golit larg fushe. Unë jam i sigurt se katalanasit do të duan të jenë të sigurtë me fitoren. Nëse Chelsea do të mbrohet më së miri, atëherë mund ta përdorë kundërsulmin, që di ta bëjë me të vërtetë mirë”.

Barcelona dhe Chelsea do të përballen mbrëmjen e së mërkurës në “Camp Nou” për të siguruar një vend në çerekfinalet e Champions League. Takimi i parë, i luajtur tri javë më parë në “Stamford Bridge”, është mbyllur në barazim 1-1, një rezultat që mban në lojë të dy skuadrat. Barcelona ka arritur në këtë fazë të Champions-it pa shumë vështirësi duke zënë vendin e parë në një grup ku përfshiheshin Juventus, Sporting dhe Olympiakos. Gerard Pique me shokë kanë pësuar vetëm një gol në gjashtë ndeshjet e luajtura në fazën e grupeve. Katalanasit kryesojnë në La Liga me një avantazh prej tetë pikësh ndaj Atletico Madrid dhe kanë siguruar një vend në finalen e Kupës së Mbretit. Kështu, Barça është në garë për të fituar gjithçka në këtë sezon. Gijgantët e futbollit spanjoll janë një nga ekipet favorite për të triumfuar në Europë, por të mëkurën do të kenë një pengesë të vështirë për të kaluar. Ata arritën të marrin një barazim në ndeshjen e parë dhe ajo që është edhe më e rëndësishme, shënuan një gol në transfertë, që mund të rezultojë vendimtar në fund. Skuadra e Antonio Conte nuk po kalon një moment të mirë në kampionat pas dy humbjeve të njëpasnjëshme të pësuara kundër dy ekipeve të Mançesterit. Gjithsesi, në javën e fundit të kampionatit ata kanë marrë një fitore 2-1 në shtëpi kundër Crystal Palace. Aktualisht, londinezët janë jashtë zonës Champion në Premier League, katër pikë larg vendit të katërt që mbahet nga Liverpool. Ecuria e tyre në Europë ka qenë pozitive deri në këtë moment, por për të siguruar një vend mes tetë më të mirave të Europës ata duhet të shënojnë në “Camp Nou”, një gjë aspak e lehtë për t’u realizuar.

Artikulli paraprakPerez gati kontratën, Ronaldo futbollisti më i paguar i historisë
Artikulli tjetërEmery: Neymar nuk do të largohet nga PSG