Zidane e pranon!

Reali i Madridit po kalon një periudhë jo të mirë. Los Blancos në 4 javët e fundit të La Liga, kanë marrë vetëm barazime. Në shtëpinë e Realit, ka përfunduar në bankën e akuzës trajneri Zinedine Zidane, i cili surprizon me një deklaratë të tij ku shfaqet i dorëzuar para një pushimi të mundshëm nga ana e klubit.
“Nuk kam frikë se më pushojnë, edhe pse e di se herët a vonë do të ndodhë. Shijoj deri në fund momentin, kam patur një mundësi të jashtëzakonshme dhe jam i lumtur të bëj atë që jam duke bërë. Më pëlqen puna ime që nuk është gjithmonë e lehtë, por dua të mësoj dhe të përmirësohem. Të punoj me këta lojtarë më jep mundësinë për të kuptuar diçka çdo ditë, dhe unë jam krejtësisht i përqendruar”, u shpreh Zidane.
Zidane më pas u përpoq të zhdramatizojë situatën, duke vënë theksin te puna që bëhet me një premtim se do të zgjidhë shpejt problemet që po shfaq skuadra. “Ajo që ka më shumë rëndësi për mua janë stërvitjet, madje më shumë se ndeshjet. Kemi një grup të jashtëzakonshëm, si kur fitojmë ashtu dhe kur humbasim. Gjëja më e rëndësishme është të gjesh zgjidhjen e problemeve, dhe unë do t’i gjej. Nuk është një situatë katastrofike, edhe pse nuk duhet ta nënvlerësojmë. Nuk besoj se është një problem fizik, por ka të bëjë me aspektin psikologjik, me mënyrën si futemi në fushë”, përfundoi trajneri i Real Madridit.
Fabio Capello është një nga ata që nuk ja përton askujt, madje as Realit apo Cristiano Ronaldos. Duke folur para përballjes së Italisë me Spanjën, ish-trajneri i Los Blancos drejton gishtin për të gjetur problemin që po vuan skuadra e Zinedine Zidane, pa kursyer madje as Barcelonën.
“Problemi i Realit në këtë moment është Cristiano Ronaldo. Nuk është mirë fizikisht dhe bëhet fjalë për lojtarin më të mirë që ata kanë. Flitet shumë për kanterën apo akademitë e Barcelonës, por unë ngre një pyetje: Sa futbollistë të akademisë së tyre janë në gjendje që të luajnë dhe me skuadrën e parë?”, u shpreh Kapelo.
Capello rrëfen më pas se ju ofrua mundësia për t’u rikthyer në drejtimin e Italisë, por ai refuzoi, ndërkohë që rrëfen edhe një prapaskenë interesante se, përse u largua nga drejtimi i Anglisë. “Unë u ndava me ta, pasi Federata Angleze donte që t’i hiqja John Terryt shiritin e kapitenit, por unë gjithmonë kam thënë se kapitenin e zgjedh trajneri, pra unë dhe jo drejtuesit e Federatës”, përfundoi Kapelo.

Artikulli paraprakPelle përjashtohet për sfidën me Maqedoninë
Artikulli tjetërArgjentina stonon pa Leo Mesin