Argjentina stonon pa Leo Mesin

Argjentina është thjesht një skuadër normale pa Lionel Mesin. Me yllin e Barcelonës të dëmtuar, “albiceleste” u frenua në barazim 2-2 nga Peruja. Ramiro Funes Mori kaloi në avantazh argjentinasit, por pavarësisht se janë një skuadër jo e nivelit të lartë, peruanët barazuan me Paolo Guerrero.
Higuain kaloi sërish në epërsi të tijtë, me një rrjetë spektakolare, pas daljes së pastudiuar të portierit, por menjëherë më pas, Mascherano gaboi, duke i dhuruar topin Guerreros, me Perunë që në vazhdim të aksionit fitoi penallti. Christian Cueva nuk e shpërdoroi shansin dhe vulosi shifrat përfundimtare 2-2, duke bërë që Argjentina të rrëshqasë në vendin e pestë në grupin kualifikues të Botërorit 2018 për Amerikën Jugore.
Neymar i hapi rrugën fitores me goleadë 5-0 të Brazilit përballë Bolivisë. Golat e tjerë të “seleçaos” u realizuan nga Philippe Coutinho, Filipe Luis, Gabriel Jesus dhe Roberto Firmino. Fitorja e tretë radhazi për skuadrën braziliane, që mbetet në vendin e dytë me 18 pikë, vetëm një më pak se Uruguaji kryesues. Lajmi i keq për Brazilin ishte dëmtimi i Neymar, pas goditjes me bërryl nga Duk, me lojtarin që u largua i gjakosur nga fusha. Sulmuesi i Barcelonës do të humbasë sfidën e radhës ndaj Venezuelës, pasi është i pezulluar me kartonë.
Nicolas Lodeiro i hapi rrugës fitores 3-0 të Uruguajit në Montevideo përballë Venezuelës. Në takimin e dominuar plotësisht nga vendasit, protagonist ishte Edinson Cavani me dy gola të realizuar. Në Asuncion, Kolumbia regjistroi një fitore të vuajtur 1-0 përballë Paraguajit, falë rrjetës së Cardonas në kohën shtesë. Ndërkohë, Ekuadori fut në krizë Kilin, duke triumfuar 3-0 në Kuito me golat që mbajnë firmat e Luis Antono Valencia, Cristian Ramirez dhe Felice Caicedo.

Artikulli paraprakZidane e pranon!
Artikulli tjetërGreqi, paralajmërime nga FMN-ja dhe Eurozona