Zidan kërkon Pogba

Real Madridi ka rikthyer në ekip në këtë vit spanjollin Alvaro Morata, ndërsa ka shfaqur interes edhe për mesfushorin francez të Juventusit, Paul Pogba. Nga Montreali, trajneri Zidane ka folur për dy futbollistët, duke thënë se i pëlqen shumë të ketë në ekip mesfushorin francez, por në këto momente ai është pjesë e Juventusit. Për sa i përket Moratës, Zidane ka thënë se sulmuesi e ka forcuar shumë ekipin. “Ai është në skuadër, është rikthyer dhe jam i lumtur për këtë. Ai është në shtëpi, e di se çfarë është të luash këtu dhe jam i lumtur që e kemi kthyer. Alvaro ka forcuar ekipin tonë”, ka shtuar Zidane.
Reali në orët e fundit i ka kërkuar kohë menaxherit të tij Mino Raiola, në mënyrë që të përgatisë ofertën e duhur për mesfushorin francez. Siç bën të ditur në edicionin e kësaj të hëne e përditshmja madrilene “AS”, Pogba është ende në shënjestër të Los Blancos që po kërkojnë të mbledhin fondin e nevojshëm për t’i paraqitur Juventusit një ofertë zyrtare prej 120 milionë eurosh. Çelësi për këtë operacion është me siguri James Rodriguez, fantazisti kolumbian duket se ka dalë jashtë planeve të Zidane që nga ana e tij është duke i ushtruar presion klubit për Pogba, pasi e dëshiron me çdo kusht në skuadër, kështu në këtë mënyrë James mund të përfundojë në Premier League ku i pëlqen Manchester United, por edhe klubeve të tjera.
Reali dëshiron ta shesë James për një shifër rreth 80 milionë euro, një mënyrë kjo për të arkëtuar dhe për të tentuar sulmin përfundimtar në drejtim të Pogba që siç saktëson “AS”, ende nuk ka pranuar ofertën e Manchester United, ashtu si edhe nga ana tjetër nuk ka rinovuar as kontratën që e lidh me Juventusin.
Merkato e Juventusit duket se më në fund po merr një zgjidhje, të paktën sa i takon dy emrave më të rëndësishëm që pritet të lëvizin në shtëpinë bardhezi këtë verë. Pas deklaratave të presidentit të Napolit De Laurentis, se Juventus duhet të paguajë klauzolën e Higuainit nëse dëshiron shërbimet e argjentinasit, duket se drejtuesit e klubit torinez janë gati të bëjnë lëvizjen e madhe dhe si pasojë e një oferte zyrtare që ka ardhur në selinë e bardhezinjve nga Manchester United për Paul Pogba-në. Djajtë e kuq i kanë ofruar Juventusit 125 milionë euro për shërbimet e francezit dhe gjatë ditës madje menaxheri i futbollistit Mino Raiola i është drejtuar Anglisë për të nisur marrëveshjen për kalimin e klientit të tij në “Old Trafford” nën urdhrat e Mourinho-s.
Shitja e Pogba-së, që në këtë rast mund të konsiderohet si mjaft e vlefshme për Juventusin duke parë shifrat që po qarkullojnë i krijon mundësinë Juventusit që të paguajë klauzolën e Higuainit, e cila është 94.7 milionë euro. Gjithsesi objektivi i Juventusit është që në marrëveshjen me Napolin për të ulur paksa çmimin të përfshijë në shkëmbim dhe ndonjë lojtar, por duhet parë se sa i gatshëm do të jetë Napoli për një marrëveshje të tillë. Sigurisht që të dyja lëvizjet janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe për të arritur te Higuain është e sigurtë se Juventus më parë duhet të shesë Pogba-në, që duke parë ofertën e United dhe udhëtimin e Raiolas duhet të jetë çështje ditësh.

Artikulli paraprak4100 arrestime për bastet e paligjshme në Euro 2016
Artikulli tjetërS’bëj krahasime mes Ançelotit e Guardiolës