Zhvlerësim i madh i valutave

Monedha e përbashkët ka shënuar një tjetër rënie të fortë gjatës ditës së djeshme, duke zbritur poshtë kuotës së 130 lekëve, për herë të parë që nga 4 gushti i vitit 2009, sipas serive kohore të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me 129.93 lekë, me një rënie ditore prej 0.93 lekë, pra, gati një lekë, një nënçmim ditor historik ky. Kjo është dita e 14 radhazi me rënie, ndërsa që nga fillimi i shkurtit, euro ka fituar pikë vetëm 4 ditë.
Edhe dollari ka shënuar rënie të fortë, me 0.87 lekë, duke zbritur në 105.5 lekë, niveli më i ulët në gati katër vjet. Pa përjashtim të gjitha valutat kanë shënuar rënie në raportet e këmbimit me lekun, me përjashtim të forintës hungareze.
Ekspertët e tregut valutor pohojnë se, arsyeja kryesore lidhet me ofertën e lartë për valutë dhe kërkesën e dobët për lekë. Sot është dita e fundit e pagimit të sigurimeve shoqërore dhe bizneset kanë nxituar të thyejnë valutë.

Ekspertët pohojnë se njerëzit, duke parë tendencën e kursit në rënie, po nxitojnë të këmbejnë kursimet në valutë dhe bëhet fjalë kryesisht për ata që e kanë valutën në shtëpi. Ekspertët këshillojnë që sidomos emigrantët, të mos nxitojnë që të kthejnë kursimet në lekë. Ekspertët pohojnë se në treg është krijuar një lloj frike nga rënia e vazhdueshme e monedhës së përbashkët.
Aktualisht rreth 50% e kursimeve të shqiptarëve në banka janë në euro, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë.
Ekspertët pohojnë se me këtë që po ndodh është e vështirë që të bëhen parashikime për të ardhmen.
Edhe bankierët kanë pohuar për Monitor se, arsyeja kryesore e kësaj situate lidhet me ofertën e lartë të euros në tregun vendas. Edhe pse Banka e Shqipërisë ka blerë euro së fundmi për nevojat e saj të rezervave valutore, kjo nuk ka ndikuar në frenimin e euros. Ata kanë pohuar se nuk ka tendencë të dukshme të konvertimit të depozitave nga euro në lekë. Sipas tyre, leku pritet vetëm të vlerësohet, përveçse ndodh ndonjë gjë e jashtëzakonshme. Disa transaksione të mëdha këmbimi nga euro në lekë pritet të ndikojnë kursin në vijim.
Nga ana tjetër, me afrimin e verës oferta për valutë pritet të rritet, nga prurjet e emigrantëve dhe turistëve, që këtë vit pritet të jenë më të shumtë në numër.

Artikulli paraprakBankat mos t’u shiten bizneseve pa përvojë bankare; “Janë paratë publike në lojë”
Artikulli tjetërVëzhguesit ndërkombëtarë kritikojnë Rusinë për zgjedhjet