Zhduken fitimet e kompanive, vetëm 10 milionë lekë te Financat

Janari i këtij viti ka thelluar më tej trendin rënës të të ardhurave nga kompanitë shtetërore. Në janar të këtij viti kanë derdhur fitim në Ministrinë e Financave vetëm 2 kompani shtetërore, me një total prej 10 milionë lekësh.
Në këtë mënyrë vijon të thellohet rënia drastike e fitimeve që derdhin në shtet kompanitë shtetërore e shfaqur nga viti 2014, i cili ka arritur rekordin negativ vitin e shkuar.
Kështu zbardhen fitimet e derdhura në buxhet nga 9 kompanitë kryesore shtetërore, ku bëjnë pjesë portet, Operatori i Transmetimit të Energjisë, Zyrat e Regjistrimit të Pasurive, Enti Rregullator i Ujit apo Shtypshkronja e Letrave me Vlerë.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, deri në dhjetor 2016, kompanitë shtetërore kanë derdhur në total vetëm 84 milionë lekë fitime, afërisht 800 mijë dollarë.
Shifra është rreth 8 herë më e ulët se në fundin e vitit 2015, kur këto kompani kanë derdhur një fitim total prej 529 milionë lekësh, rreth 5 milionë dollarë. Ndërkohë që viti rekord ka qenë 2014-a kur kompanitë shtetërore kanë derdhur një fitim prej 1.3 miliard lekësh, afro 13 milionë dollarë. Nga të dhënat zyrtare, shifra prej 800 mijë dollarësh rezulton më e ulëta duke nisur nga viti 2008, kur kompanitë shtetërore kanë derdhur rreth 4 milionë dollarë fitime. Në janarin e këtij viti kanë derdhur fitime vetëm Qendra Tregtare për Zhvillim dhe Enti Rregullator i Ujit.

Artikulli paraprakNormat e interesit, BSH këshillon bankat për më shumë kujdes
Artikulli tjetërMë të diskriminuarit për tregun ajror