Zguri: Sfidë transparenca e fondeve të partive politike

Transparenca e burimeve të financimeve të partive politike mbetet një nga sfidat kryesore për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kreu i këtij institucioni, Klement Zguri ka paraqitur në Komisionin parlamentar të Ligjeve raportin e tij për vitin 2017. Ai theksoi tendencën e përhershme të forcave politike për të fshehur burimet e financimit, të cilat sjellin nevojën e rritjes së ekspertizës së KQZ në këtë drejtim.
“Unë mendoj që KQZ-ja për financimin është sigurisht një element, është një çështje shumë e rëndësishme, mjaft sensitive. Nuk është e lehtë që të flasim krejt hapur. Partitë politike në një farë mënyre tentojnë për të fshehur, ndërkohë që institucioni do të kërkojë për transparencë dhe unë besoj se transparenca duhet të jetë kryefjala e kësaj. Do kemi punë në mënyrë absolute, do na duhet të harmonizojmë kuadrin ligjor, pasi ndryshimet e fundit sollën një zhbalancim, do të na duhet të harmonizojmë rregullat për këtë gjë.

Do duhet të nxjerrim akte nënligjore dhe udhëzime për të bërë të mundur kontrollin sa më efikas dhe na duhen trajnime të ekspertëve financiarë, të ekspertëve dhe financierëve të partive politike, por dhe të administratës, por që unë shpresoj shumë që ne do t’ia dalim dhe besoj se kjo gjë është në rrugë të mbarë”.
Deputetët e opozitës kërkuan informacion nga KQZ lidhur me një raport të OSBE, sipas të cilit rreth 20% e votave në zgjedhjet e vitit të 2017 u blenë me para në dorë.
“Që 20% e zgjedhësve thonë ‘Po, e kemi shitur votën, sepse na kanë ardhur para për këtë punë’, dhe janë para droge, para mafie. Ka një qëndrim KQZ-ja për këtë punë? Këto janë rekomandimet e BE-së”.
Zguri raportoi se marrëveshja politike e 18 majit krijoi disa vështirësi në zgjedhjet e qershorit, duke e detyruar KQZ të merrte vendime të diktuara nga afatet kohore.

Artikulli paraprakTenderi, 5.5 milionë euro për qira të printerëve dhe të fotokopjeve
Artikulli tjetërProblematikat e shqiptarëve në tregun e punës