Zgjedhje të rreme, qeveri e pakicës

Këto zgjedhje që u kryen mund të jenë të denja për vende si Uganda, apo në konflikt, por kurrsesi për një vend të NATO-s dhe që aspiron të integrohet në Bashkimin Evropian. Kjo sepse flasim për pjesëmarrje të ulët në zgjedhje në krahasim me vitet e mëparshme, por kjo nuk ka ndikuar në numrin e votave të partive qeveritare, përkundrazi kanë pësuar rritje deri në gati 50 për qind të rezultateve të mëparshme. Një sjellje e çuditshme dhe e pashpjegueshme për çdo analizë zgjedhjesh kudo në botë. Zakonisht pjesëmarrje e ulët është revoltë ndaj qeverisë, por dhe indiferentizëm ndaj politikave që ofron opozita, por ulja e votave shkon përgjithësisht në proporcion të drejtë që gjithsesi nxjerrin fituese partinë në pushtet. Ama numri i votave ulet në mënyrë të padiskutueshme. Trendi shkon drejt forcave të reja politike, që ofrojnë një politikë tjetër, si fjala vjen partia e Ben Blushit ka marrë votat e të pakënaqurve kryesisht të majtë në një shifër prej 19 mijë. Por pjesëmarrja e ulët, megjithëse nuk është në favor të opozitës, sërish nuk është në favor të pushtetit të paktën për sa i përket numrit total të votave. Atëherë çfarë ka ndodhur?

Pjesëmarrja

Pjesëmarrja në zgjedhjet e vitit 2017 mund të jetë nga më të ultat që janë regjistruar të paktën që prej vitit 2001, që nuk e kalon shifrën e 46.8%, çka do të thotë se Ramën në këto zgjedhje e kanë refuzuar apo braktisur gati 80% e shqiptarëve. Nga ky 47 për qind, Rama ka marrë më pak se 50% të votave, ose jo më shumë se 20% të të gjithë personave me të drejtë vote. Por ajo çka  është më e çuditshme në këtë histori, është fakti se thuajse të gjitha partitë e koalicionit kanë rritje të votuesve, ndërsa ajo që ka rënie është vetëm opozita. Kështu për shembull s’mund të interpretohet rritja me gati 50% të votave të PDIU, e cila nga 40 mijë që kishte në koalicionin me të djathtën, atëherë sot ka marrë 76 mijë vota. Në fakt, Idrizi duhet të shpjegojë tërë këtë dashuri të elektoratit për Aqif Rakipin, apo Reme Lalën në Dibër. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me PS-në, e cila deklaron pjesëmarrjen më të madhe në vitin 2013 me 713 mijë vota, por duhet të shpjegojë rritjen me 50 mijë vota në këtë ditë kiameti, ose gati pesë mandate. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me LSI, e cila është rritur me jo pak, por me 45 mijë vota në krahasim me vitin 2013, po ashtu dhe PSD me Tomë Doshin me 11 mijë vota, duke siguruar mandatin e Shkodrës.

Llogaritë

Llogaria nuk del, në rast se ulet pjesëmarrja në votime, atëherë matematikisht ulet dhe numri i votave që marrin të gjitha partitë, që natyrisht sërish i favorizon. Le të bëjmë një llogari të thjeshtë! Në vitin 2013, opozita si koalicion arriti të marrë 680 mijë vota si koalicion me partitë e tjera, nga të cilat 512 mijë i kishte marrë vetëm sigla e PD. Nga këto 52 mijë vota i ka marrë PR, e cila këtë herë konkurronte nën siglën e PD dhe mori një numër të papërfillshëm votash, 40 mijë vota PDIU 13 mijë vota PDK e kështu me radhë. Pra, duke ndjekur shifrat, pa PDIU opozita në zgjedhjet e atëhershme ka marrë rreth 640 mijë vota. Dukendjekur trendin në këto zgjedhje me pjesëmarrje gati 8 për qind më të ulët duhet të kishte së paku 590 mijë vota (dhe këtu nuk po shtojmë 200 mijë emra që i janë shtuar listave, pasi 8 përqindëshi mungesë korrespondon me shifrën e përafërt të 280 mijë votave). Partia Socialiste sërish do ishte fituese, sepse do kishte rreth 656 mijë vota, LSI duhet të kishte diku tek 144 mijë vota, ndërsa PDIU diku tek 37 mijë vota. Kur kurba e votuesit mund të luajë me shifra të përafërta, por jo që të mungojnë vetëm votat e një force politike. Sot Partia Socialiste me gjithë ndihmën që i dhanë dhe disa prej eksponentëve të opozitës smund të kishte kurrë më shumë se 64-66 deputetë, Partia Demokratike dhe koalicioni duhet të ishte në shifrat e 53-56 deputetëve, LSI në shifrat e 15 deputetëve, dhe PDIU jo më shumë se 3 mandate, në llogaritje të përafërta. Kjo gjithmonë në rast se zgjedhjet do të zhvilloheshin të rregullta dhe partitë të ruanin pozicionet e vitit 2013, kur zgjedhjet u njohën si të standardeve demokratike.

Kostoja

Ndoshta që këtu duhet të fillojë hetimi i këtyre zgjedhjeve, se përse kostoja e mospjesëmarrjes në zgjedhje ka rënduar vetëm tek Partia Demokratike. Duke hequr dhe problemet e brendshme të saj, veprimet e disa prej eksponentëve të pakënqur që bënë thirrje për të votuar kundër, ose punuan kundër, sërish llogaritë nuk dalin. Në fakt, opozita në zgjedhje reale duhet të ishte fituese, por marrim të mirëqenë faktin se ska lëvizur nga pozitat e 2013-ës, dhe shifrat favorizonin Partinë Socialiste, sërish në asnjë llogari smund të binte nën 53 mandate. Kjo tregon se, manipulimi dhe blerja e votës ka qenë në përmasa të frikshme. Në rastet e bojkotit masiv, minimumi që duhet të ndodhte do ishte ulja e votave për të gjitha palët që sërish favorizojnë pushtetin, ku natyrisht dhe opozita ka firot e veta. Favorizimi qëndron në faktin se, opozita duhet të ketë rritje me të paktën 10 për qind që të arrijë të marrë pushtetin, por votat që kanë marrë në zgjedhjet paraardhëse janë solide. Nuk ndodh që në shumë prej 640 mijë votash, opozita të humbasë 190 mijë prej tyre, ndërsa partitë e pushtetit të kenë rritje prej gati 100 mijë votash.

Zgjedhje nuk ka pasur

Këto rezultate  tregojnë se në këtë vend vetëm zgjedhje nuk ka pasur. Rama ka marrë garancitë, ka testuar shifrat dhe më pas ka vendosur të bëjë marrëveshje me opozitën. Në fakt, ai ishte përgatitur të hynte në zgjedhje pa opozitën, dhe në rast se do ndodhte një gjë e tillë, atij i duhej një pjesëmarrje që të justifikonte zgjedhjet. Që këtu ka filluar blerja e votës dhe hedhja e parasë së pisët në treg. Hyrja e opozitës thjeshtë do i legalizonte manipulimin e madh. Në fakt, opozita u detyrua të hynte në këto zgjedhje për hir të stabilitetit të vendit, që i duhet njohur si meritë, por edhe për shkak të presionit ndërkombëtar. Manipulimi shihet dhe tek mungesa e entuziazmit të Ramës dhe lakejve të tij në këto zgjedhje. OSBE i dha shenjat e para, por pritet raporti përfundimtar. Rama s’mund të gëzojë, duke ditur se çfarë pasojash mund të sjellë kjo situatë në qeverisjen e tij të ardhshme. Ai sërish ka një qeveri dhe një mazhorancë që është produkt i parave të drogës dhe koncesioneve, dhe kjo mund t’i kthehet në boomerang. Sjellja e ndërkombëtarëve pas daljes së raportit të OSBE/ODHIR s’mund të jetë më e njëjta dhe ai e di fort mirë këtë, pavarësisht akrobacive kur kërkon bashkëpunim dhe respektim të marrëveshjes për të shtyrë përpara qeverinë e tij. Atë marrëveshje ishte ai i pari që e prishi, ende pa filluar negociatat.

Rama, qeveri me vullnetin e 20% të votuesve

Arsyet e këtij bojkoti mund të jenë të shumta, por ajo që shihet fare qartë është revolta dhe mospajtimi me politikat e tij. Zgjedhjet e ulëta favorizojnë gjithmonë pushtetin, pasi në to dalin masivisht punonjësit e administratës dhe lakejtë e partisë-shtet. Në të gjitha zgjedhjet e kaluara, pjesëmarrja në votime ka qenë mbi 51% dhe është e habitshme se në të gjitha qarqet numri i votuesve nuk e ka kaluar shifrën e 50 për qind të votuesve. Madje në Vlorë, ku është vetë kandidat Edi Rama, përqindja është në nivele skandaloze. Deri në orën 19:30 KQZ raportonte vetëm 36 për qind pjesëmarrje në këtë qytet. KQZ shtyu me një orë procesin e votimit, e cila nuk ndryshoi asgjë në përqindjen elektorale. Aq e ulët ishte pjesëmarrja sa Ramën e zuri paniku se mos humbiste mandatin e tij në Vlorë. Kjo ishte arsyeja se përse në prag të mbylljes së procesit të votimit bënte thirrje herë pas here për të dalë në votim. Por çdo të thotë të qeverisësh me 22.5 për qind të votave në rang vendi. Do të thotë që pjesa tjetër, plot 78 për qind e tyre të jetë e papërfaqësuar. Pra, legjitimiteti i kësaj qeverie ka rënë. Të qeverisësh vetëm me 730 mijë votat, nga 3.4 milionë që kanë të drejtë vote do të thotë që 2.7 milionë të tjerë bashkë me familjet e tyre s’janë dakort me politikat e tua. Dhe s’kanë se si. Ata s’mund të jenë dakort me vazhdimësinë e drogës, me vazhdimësinë e krimit, me figura, të cilat janë përfolur për korrupsion kur kanë mbajtur detyra të larta shtetërore. Pra pakica, përzgjedh për të qeverisur vendin të njëjtët përgjegjës për të gjithë këtë katrahurë, sepse shumicë s’mund t’i thuash. Natyrisht, ky bojkot kërkon një analizë të thelluar nga të gjitha krahët e politikës, por ajo çka është më e rëndësishmja në këtë histori është fakti, se pjesa e shëndoshë e popullsisë e refuzoi këtë maskaradë. Se çfarë do të ndodhë më pas, kjo vlen për t’u parë… Por, Rama nuk ka marrë legjitimitet, ka marrë pushtetin, duke përdorur tek një masë e vogël njerëzish dredhitë elektorale. Por pjesa e shëndoshë mbeti larg politikës, dhe më së pari, larg Edi Ramës.

Pjesëmarrja e krahasuar me vitin 2013

Berati 47.77%  (në vitin 2013, 53.51%)
Dibër 54.9%  (në vitin 2013 59.75%)
Durrës 40.77%  (në vitin 2013 50.13%)
Elbasan 44.49%  (në vitin 2013 54.76%)
Fier 44.87%     ( në vitin 2013 54.94%)
Gjirokastër 46.5%   (në vitin 2013 49.34%)
Korçë 48.65%    (në vitin 2013, 54.28%)
Kukës  53.38%    (në vitin 2013, 61.55%)
Lezhë  44.7%    (në vitin 2013, 51.36%)
Shkodër  42.3%   (në vitin 2013, 49.33%)
Tiranë  49.14%    (në vitin 2013, 58.29%)
Vlorë 36.6%        (në vitin 2013, 41.91%

Armand MAHO

Artikulli paraprak“Urithi” i CIA-s i infiltruar në BND
Artikulli tjetërPatozi: Kandidoj për kreun e PD nëse përmbushen 6 pika për zgjedhjet