“Urithi” i CIA-s i infiltruar në BND

“LIMES”

“Nuk jemi më në kohën e Luftës së Ftohtë”. Me këtë pohim të fortë, duke iu drejtuar më 24 tetor 2014 Presidentit të atëhershëm amerikan Obama, Angela Merkel ka dashur të shënojë një kthesë në raportet strategjike midis Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara. Kancelarja po paraqiste ankesat e saj ndaj administratës amerikane pasi kishte zbuluar, falë zbulimeve të Edward Snowden, se celulari i saj ishte përgjuar nga National Security Agency (NSA) amerikane. Sipas historianit gjerman Josef Foschepoth, amerikanët, ashtu si britanikët dhe francezët, qenë ligjërisht të autorizuar për të vënë nën kontroll komunikimet postare dhe telefonike të Republikës Federale të Gjermanisë në bazë të marrëveshjeve sekrete shtesë të Traktatit të Përgjithshëm të vitit 1952 (i hyrë në fuqi më 1955) i nënshkruar nga 3 fuqitë perëndimore fituese të Luftës së Dytë Botërore me atë që në atë kohë quhej Gjermania Perëndimore. Traktati mundësoi riarmatimin e RFGJ-së dhe aderimin e saj në NATO, ama me kushtin e kufizimeve të forta të sovranitetit të saj. Sipas Foschepoth, këto marrëveshje kanë mbetur në fuqi edhe pas mbarimit të Luftës së Ftohtë dhe rënies së Murit të Berlinit. Bile, pikërisht për të favorizuar ribashkimin gjerman, Kancelari i atëhershëm Helmut Kohl e la qëllimisht pasdore çështjen. Kështu, NSA-ja do të ishte akoma sot legjitimisht e autorizuar që të spiunojë komunikimet gjermane. Por vitet e fundit gjërat ka mundësi të kenë ndryshuar. Në vijim të zbulimeve të Snowden, Merkel ka njoftuar anulimin e një marrëveshjeje përgjimi me Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar që i takonte kohës së Luftës të Ftohtë, pa ja specifikuar përmbajtjen. Nikolaos Gazeas, docent i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Këlnit, pasi ka kujtuar se një kontratë mund të prishet me një deklarim të palëve kontraktuese, mendon se kërkimfaljet formale të qeverisë amerikane ndaj asaj gjermane për përgjimet në rastin e Merkel përbëjnë një deklarim që i prish marrëveshjet sekrete. Gjithsesi, hija e gjatë e historisë së filluar me rënien e Rajhut të Tretë dhe e vazhduar me Luftën e Ftohtë vazhdon që t’i kushtëzojë marrëdhëniet midis inteligjencës gjermane dhe asaj amerikane.
Gjatë Luftës së Ftohtë, hapësira gjeopolitike gjermane, e nënkuptuar si një continuum që shkonte nga Republika Federale gjermane tek Republika Demokratike gjermane, bashkë me apendiksin austriak, ka qenë terreni tradicional i përplasjes midis spiunëve të Lindjes dhe të Perëndimit, e thjeshtëzuar në dhjetëra vepra letrare e kinematografike. Bashkë me Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën për palën perëndimore, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik për palën lindore kishin krijuar në truallin e Gjermanive respektive impiante të fuqishme ushtarake dhe spiunazhi, me rrjete spiunësh dhe bazash për përgjimet elektronike. Një impiant ushtarak që me rënien e Murit praktikisht është çinstaluar nga ana e të gjitha fuqive pushtuese, me përjashtim të inteligjencës amerikane që ruan akoma në truallin gjerman struktura të rëndësishme që janë kundëraltari në Europën kontinentale i nyjes së spiunazhit që Uashingtoni ruan në Mbretërinë e Bashkuar, e përqendruar në bazat Menwith Hill dhe Croughton. Të dyja Gjermanitë nuk qenë një terren i thjeshtë loje. Qenë nga ana e tyre gjymtyrët e një përplasjeje që do të mund të shënonte fatet e botës. Spiunët gjermanoperëndimorë dhe homologët e tyre lindorë sigurisht që qenë të kontrolluar nga aleatët respektivë referues, por kanë ditur që të gjejnë në vite hapësira autonomie. Gjermania aktuale e bashkuar me kryeqytet Berlinin ka trashëguar aparatin e spiunazhit të modeluar nga Boni pas 1949, viti i themelimit të RFGJ-së. Shërbimi i jashtëm i tij, Bundesnachrichtendienst (BND), i krijuar zyrtarisht më 1956, ka një histori të veçantë, që ka mundësi e kushtëzon akoma sot raportin me aleatin e bezdisshëm amerikan. Në fakt, BND-ja ka lindur nga Organizata Gehlen (OG), një shërbim klandestin i financuar nga Shtetet e Bashkuara, që ia detyron emrin Gjeneralit Reinhard Gehlen, që kishte qenë kreu i Fremde Heere Ost (FHO), njësia e inteligjencës e gruparmatave lindore të Vermahtit, teorikisht eksperti më i madh i forcave të armatosura sovjetike në ushtrinë e Rajhut të Tretë. Pasi është marrë në dorëzim nga inteligjenca e ushtrisë amerikane, Gehlen dorëzoi arkivin e FHO-së dhe arriti një marrëveshje në bazë të së cilës ai dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të tij krijuan një shërbim sekret të financuar fuqishëm nga Uashingtoni, i ngarkuar që të furnizojë me informacione për Bashkimin Sovjetik. Duke e vendosur selinë e saj qendrore në një pronë që i përkiste Rudolf Hess në Pullach, afër Mynihut, OG-ja nisi rekrutimin jo vetëm të ish-anëtarëve të Fremde Heere Ost, por edhe të ish-anëtarëve të SD-së (shërbimit sekret SS-ëve) dhe të Gestapos, policisë politike naziste. Për të fshehur inkorporimin e elementëve komprometues në organizatën e tij, Gehlen u imponoi njerëzve të vet adoptimin e identitetit të koperturës edhe në raportet midis bashkëluftëtarëve. Një lëvizje që nuk i shpëtoi të sapolindurës CIA, e cila nga viti 1949 mori kontrollin ekskluziv të OG-së, në vijim të presioneve të forta të ushtrisë që kërkonte të shpëtonte nga një raport potencialisht komprometues, duke qenë se ushtarakët nuk qenë të aftë ta kontrollonin OG-në. “Inteligjenca amerikane është si një pasanik i verbër që po përdor Abvehrin (shërbimin sekret të Vermahtit) si qen drejtues. Problem i vetëm është litari shumë i gjatë”, pohonte në atë kohë një funksionar amerikan. Nuk qenë skrupujt e karakterit moral ato që i preknin funksionarët e CIA-s, por preokupimi konkret se mos sovjetikët zbulonin rekrutimin e ish-nazistëve në OG dhe e shfrytëzonin situatën në avantazhin e tyre. Preokupim legjitim që nuk do t’i pengojë këta të fundit që t’u jepnin goditje të forta organizatave të spiunazhit të Bonit. Amerikanët nisën kështu që të spiunojnë OG-në.

Adenauer nuk donte varësi nga amerikanët

Por RFGJ-ja e sapolindur nën drejtimin e Adenauer nuk donte që të varej nga amerikanët për sa i përket sigurisë së saj. Kështu, më 1950 lindën shërbimi i kundërspiunazhit të brendshëm BfV (Bundesamt für Verfassungsschutz, Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës) dhe një shërbim inteligjence të jashtme, që ashtu si në rastin e Organizatës Gehlen, e merr emrin nga themeluesi dhe drejtuesi i tij Friedrich Wilhelm Heinz, një ish-anëtar i Komandove Brandenburg, forcave special të Abvehrit, por me një të kaluar nacionaliste dhe jo naziste. Bëhej fjalë për Friedrich Wilhelm Heinz Dienst (FWHD), të cilit Adenaueri i ndaloi mbajtjen e raporteve zyrtare me inteligjencat aleate. Natyrisht që menjëherë shpërtheu një rivalitet i fortë midis OG-së dhe FWHD-së. Më 1953 ky i fundit numëronte rreth 200 elementë, ndërsa OG-ja më 1954 dispononte një organikë prej 3500 vetash. Të dy organizatat operonin në të njëjtin teatër dhe nuk qenë të rralla rastet e rekrutimit e të njëjtëve informatorë që paguheshin kështu dy herë. Në fund Gehlen arriti ta detyrojë Adenauer që ta largojë Heinz. Organizata e tij u përfshi në shërbimin e inteligjencës të Bundesvehrit që sapo lindte. Për të hequr qafe Heinz, Gehlen nuk hezitoi që të bëhej aleat me një rival tjetër, Otto John, shefi i parë i BfV-së, i lidhur me shërbimet britanike, protagonist më 1954 i një dezertimi kontradiktor në Berlinin Lindor, gjatë të cilit akuzoi OG-në se kishte rekrutuar ish-nazistë. I rikthyer në RFGJ, John nuk i ka shpjeguar kurrë rrethanat e arratisjes së tij në Berlinin Lindor. Nuk mund të përjashtohet sigurisht një përfshirje e caktuar britanike, e prirur që ta vendosë në bela aleancën ekskluzive midis Gehlen dhe CIA-s. Veç kësaj, Gehlen bashkëpunoi me Lidhjen Demokratike, e përshkruar nga një dokument i hartuar prej Heinz si një nënorganizatë e agjencisë hebraike, në mënyrë që ta nxisë Adenauerin të shkarkojë ministrin e ri të Mbrojtjes, Theodor Blank i konsideruar një personalitet tepër i pavarur dhe në gjendje të krijojë një Bundesvehr tejet të fortë e modern për amerikanët dhe francezët. Vendi i tij u zu nga lideri i Demokracisë Kristiane bavareze, Franc Jozef Shtraus, që do të demonstrohet një mik i shkëlqyer i Izraelit. Këto manovra e kishin origjinën në ambicien personale të Gehlen, i cili donte të ishte “Mister Siguria” i RFGJ-së, por që gjithsesi është shtypur nga kumbarët e tij amerikanë.

Rivaliteti i shërbimeve sekrete

Në lojën e madhe të Luftës së Ftohtë, BND-ja është tejkaluar nga STASI e nga HVA-ja e Markus “Mischa” Wolf dhe nga KGB-ja, që kanë arritur të demaskojnë rrjetet e ndryshme të spiunazhit perëndimor në Lindje dhe të fusin “urithët” e tyre në organizatat kundërshtare. Penetrimi i shërbimeve kundërshtare në brendësi të BND-së nuk ka qenë pengesë për ndarjen nga ana amerikane e disa informacioneve me vlerë, sidomos në lëmin e imazheve satelitare. Në brendësi të ambasadës amerikane në Bon, BND-ja dispononte një zyrë të vetën në të cilën teknikët e saj shqyrtonin fotografitë e kapura nga satelitët amerikanë, i interpretonin dhe hartonin një raport që e dërgonin në Pullach. Në këtë mënyrë imazhet sekrete nuk e linin zyrtarisht truallin amerikan dhe nuk mund të vidheshin apo kopjoheshin nga “urithët” e depërtuar në shërbimet gjermane. Rrjetet gjermane që i referoheshin Gehlen kanë luajtur veç të tjerash një rol mbështetës për CIA-n në Lindje të Mesme. Për shembull, CIA ngarkoi 4 njerëz të OG-së që të organizojnë shërbimet egjiptiane pas grushtit të shtetit të vitit 1952 për të luftuar influencën sovjetike në Lindje të Mesme. E njëjta gjë ndodhi në Siri pas grushtit të shtetit të mbështetur nga agjencia. Gjatë viteve BND-ja i ka intensifikuar operacionet në zonë në favor të Gjermanisë, por gjithmonë duke pasur parasysh nevojat amerikane, edhe pse aferat e industrive gjermane me regjime si ai libian apo iraken kanë krijuar jo pak fërkime midis dy vendeve. BND-ja ruante raportet me trafikantët e armëve më të rëndësishëm gjermanë shumë aktivë në Lindje të Mesme, në Azi dhe Afrikë, të tillë si Gerhard Mertins, një ish-bashkëpunëtor i OG-së, kompania e të cilit, e quajtur Merex, do të bashkëpunojë me Interarms e Sam Cummings, nga ana e tij i lidhur me CIA-n. Por jo gjithmonë gjërat kanë ecur si në vaj. Për shembull, ka qenë BND-ja ajo që i ka kaluar inteligjencës amerikane burimin “Curveball”, një inxhinier i supozuar iraken që do të denonconte përdorimin nga ana e Sadam Huseinit të laboratorëve mobilë për prodhimin e armëve biologjike. Bëhej fjalë për një gënjeshtër totale, por që ka kontribuar për të justifikuar pushtimin e Irakut më 2003, gjatë të cilit forcat anglo–amerikane mundën të përfitonin prej informacioneve të mbledhura nga rrjeti i agjentëve që BND-ja kishte në vend, midis të cilave planet irakene për mbrojtjen e Bagdadit. Berlini, që zyrtarisht i ishte kundërvënë pushtimit, sigurisht që kishte ofruar fshehurazi një kontribut të rëndësishëm falë inteligjencës dhe ushtarakëve të tij që zëvendësuan ata amerikanë në mbrojtjen e bazave amerikane në Gjermani. Dy agjentë gjermanë operues në kryeqytet dhe oficeri ndërlidhës i BND-së pranë selisë qendrore në Katar të Gjeneralit Tommy Franks u dekoruan me American Meritorious Service Medal në shenjë mirënjohje për “informacionet kritike të ofruara Central Command në mbështetje të operacioneve luftarake në Irak”. BND-ja do të kishte më pas një rol në lokalizimin e vendstrehimit të Gedafit në Sirte, gjë që çoi në vrasjen e tij. Së fundi, falë kontakteve të tij në Lindje të Mesme, shërbimi gjerman ka luajtur një rol të rëndësishëm ndërmjetësimi midis Izraelit dhe Hezbollahut për lirimin e disa të burgosurve.

Në dokumentet e Snowden

Sipas dokumenteve të Snowden, në lëmin e inteligjencës elektronike marrëdhëniet midis NSA-së dhe degës përkatëse të BND-së i përkasin vitit 1962. Agjencia amerikane dispononte instalime të rëndësishme në RFGJ për përgjime përtej Perdes së Hekurt. Paradoksalisht HVA-ja, shërbimi sekret i jashtëm i Gjermanisë Lindore, kishte grumbulluar shumë më tepër informacione për aktivitetet e NSA-së në Gjermaninë Perëndimore nga sa ishte në dijeni BND-ja. Pas rënies së Murit, autoritetet gjermane i kanë ndihmuar ato amerikane që të rikuperojnë arkivat e HVA-së që kishin të bënin me NSA-në, duke zbuluar “urithin” në brendësi të agjencisë amerikane që informonte Gjermaninë Lindore. Materiali i grumbulluar është transferuar në Amerikë pa u shqyrtuar nga autoritetet gjermane (të paktën zyrtarisht), që do të mund të zbulonin sesa Shtetet e Bashkuara e kishin spiunuar Bonin përveçse Berlinin Lindor. Por ishte vigjilja e bashkimit dhe asgjë nuk duhej ta trazonte atë ngjarje historike. Veç të tjerash mbetet kontradiktore afera e rikuperimit nga ana e CIA-s e një pjese të arkivave të STASI-t, të dorëzuar Berlinit vetëm në kopje më 2003. Episodi përqendrohet në gjuetinë e dokumenteve të STASI-t dhe të HVA-së të inicuar nga shërbimet e mëdha perëndimore të nesërmen e rënies së Murit. Në qoftë se është e sigurtë se arkivat e shërbimeve të Lindjes janë ruajtur në kopje në Moskë dhe se njerëzit e STASI-t kanë proceduar me këmbëngulje në shkatërrimin e një pjese të rëndësishme të arkivave të tyre, është e vërtetë se sasi të mëdha të këtij dokumentacioni janë rikuperuar falë përpjekjeve të qytetarëve të Gjermanisë Lindore që kishin sulmuar selinë qendrore dhe ato periferike të shërbimit dhe tani ruhen nga një institut i posaçëm (Bundes beauftragte für die Stasi-Unterlage). Por CIA, MI6, BND-ja dhe ka mundësi edhe Mossadi, i kanë ndjekur funksionarët e nivelit të lartë në posedim të informacioneve sidomos lidhur me rrjetet e jashtme të HVA. Agjentët amerikanë kanë nisur një rekrutim në kuptimin e vërtetë të fjalës “derë më derë” ish-funksionarëve të STASI-t, në pikën që ndonjë është detyruar të njoftojë policinë që të mos ndiqet. CIA ka arritur të fusë në dorë dosjet, të përmbledhura në mikrofilma, të rreth 200000 spiunëve që nga 1950 më 1989 kishin punuar për STASI-n dhe për KGB-në. Sipas disa burimeve, dosjet u dorëzuan nga Koloneli Aleksandr Prinzipalov dhe nga Komandanti Sjubenko, dy adjutantë të shefit të kompleksit të madh të KGB-së në Karlshorst të Berlinit Lindor. Burime të tjera pohojnë se operacioni, me emrin e koduar “Rosewood” (Rosenholz në gjermanisht) në realitet do të ishte një koperturë për një histori tjetër shumë më të komplikuar. Mikrofilmat do të rikuperoheshin nga një agjent i CIA-s me qëndrim në Berlinin Perëndimor mbrëmjen e 9 nëntorit 1989 gjatë rënies së Murit. Amerikani duket të ketë shkuar në selinë e STASI-t në Normannenstrasse dhe pas pagimit të 75000 dollarëve ka marrë mikrofilmat, por që përmbanin vetëm emrat dhe korresponduesin e tyre në kod të agjentëve të infiltruar në Perëndim, ama jo detajet e aktiviteteve të tyre, këto informacione ndodheshin në mikrofilma të tjerë të rikuperuara nga BfV-ja. Për vite me radhë amerikanë e gjermanë duket se kanë bërë tratativa për të krahasuar dosjet respektive, por pa e arritur dot një marrëveshje.
BND-ja nuk duket ka integruar në radhët e saj ish-agjentë lindorë, edhe pse ekzistonte frika e bazuar se ata qenë akoma besnikë të Moskës apo se mund të ishin objekt shantazhi, përveçse për të mos prekur ndjeshmëritë e popullsisë gjermanolindore. Vetëm disa ekspertë kriptografie janë punësuar nga “Rohde & Schwarz”, një kompani furnizuese të sistemeve të shifrimit dhe radiofonike të kriptuara të përdorura nga qeveria gjermane dhe nga NATO. Përjashtimi i vetëm me rëndësi është mbrojtja e dhënë Alexander Schalck-Golodkowski, shefi i KoKo-së (Kommerzielle Koordinierung), agjencisë për tregtinë e jashtme të RDGJ-së, në praktikë krahu ekonomik i STASI-t dhe furnizues kryesor me valutë të huaj i Berlinit Lindor. Depozitar i sekreteve të trafikut të armëve perëndimore e lindore dhe të teknologjisë i Gjermanisë, por sidomos i aferave klandestine midis Bonit dhe Berlinit Lindor, disa të kontraktuar midis Shtrausit dhe vetë Schalck-Golodkowski, ky i fundit duhet të ketë marrë sigurinë nga Prokuroria gjermane, por edhe nga shërbimet e huaja. Bashkimi gjerman është shënuar nga dy vrasje të profilit të lartë, ajo e Alfred Herrhausen, Presidentit të “Deutsche Bank” dhe ajo e Detlev Rohwedder, kreu i “Treuhand”, holdingut publik të cilit i qenë dhuruar fabrikat e vjetra komuniste gjermanolindore. I pari u vra më 30 nëntor 1989 me një bombë të sofistikuar të fshehur në parakolpet e një biçiklete të parkuar në krah të rrugës dhe e aktivizuar nga një qelizë fotoelektrike. I dyti më 1 prill 1991, i centruar nga 3 goditje të qëlluara natën nga një snajper teksa ndodhej përballë dritares së shtëpisë. Dy vrasje profesionale të atribuara një RAF-i tashmë në grahmat e fundit, por të kryera me siguri nga një shërbim sekret i madh. Nga STASI në rrugën e çmobilizimit apo nga KGB-ja që e mbante bazën e saj në Karlshorst? Apo duhet shikuar nga kush nuk i shihte me sy të mirë planet e dy ekonomistëve që dëshironin ta bënin Gjermaninë e bashkuar motorin ekonomik të Europës? Në intervistën e tij të fundit përpara se të vdiste, dhënë “Wall Street Journal”, Herrhausen kishte pohuar se brenda 10 vjetëve donte ta bënte “Gjermaninë Lindore kompleksin teknologjikisht më të avancuar të Europës dhe trampolinën e lançimit ekonomik drejt Lindjes”, në mënyrë që “Polonia, Hungaria, Çekosllovakia, por edhe Bullgaria, do të kenë një rol thelbësor në zhvillimin europian”.

Brenda labirintit të spiunëve

Sfida ekonomike dallon raportet midis inteligjencës amerikane dhe asaj gjermane. Por kjo e fundit duhet të përballet me rrënjosjen e fortë të spiunëve amerikanë në territorin e saj. Me mbarimin e Luftës së Ftohtë, instalime të ndryshme të NSA-së në territorin gjerman janë mbyllur, kurse të tjera janë transferuar nën kontrollin e BND-së, midis të cilëve Aibling, një prej pikave të Echelon-it, sistemit të përgjimit të komunikimeve ndërkombëtare duke kaluar nëpër satelitët gjeostacionarë. Formalisht, Bad Aibling i është transferuar BND-së më 2004, por NSA-ja vazhdon që të ketë akses në informacionet e mbledhura nga struktura, deri në pikën sa ta përdorë për të spiunuar industri si EADS-i i atëhershëm, më pas i shndërruar në Airbus. Ai që rregullon shkëmbimin informativ midis NSA-së e BND-së dhe përdorimin e përbashkët e Bad Aibling është një memorandum i nënshkruar më 2002, të nesërmen e 11 shtatorit, me të cilin Gjermania synonte që të bënte pjesën e saj në të ashtuquajturën “luftë kundër terrorizmit” të lançuar nga George W. Bush. Dokumentet e zbuluara nga Snowden demonstrojnë se NSA-ja i kalonte BND-së lista objektivash për t’u spiunuar, përfshi institucionet dhe partnerët e Bashkimit Europian, por edhe subjekte gjermane. Përgjegjësit e shërbimit sekret kanë pohuar se u janë besuar lista të transmetuara nga homologët amerikanë, pa e kontrolluar se kujt objektivi i korrespondonte i “përzgjedhuri” (numër telefoni, adresa e-mail-i apo adresa IP e të tjera) për t’u vënë nën survejim. BND-ja do ta përfundonte programin më 2006, por në valën e zbulimeve të Snowden një komision i posaçëm parlamentar hetimor po kërkon që të hedhë dritë lidhur me aferën, edhe për të kuptuar se si dhe pse miliona metadata lidhur me komunikimet gjermane i janë transferuar NSA-së pikërisht nga agjencitë gjermane.
Nënshtrimi i BND-së ndaj NSA-së shpjegohet, të paktën pjesërisht, nga fakti që agjencia amerikane u jep në shkëmbim shërbimeve gjermane (jo vetëm BND-së, por edhe BfV-së) akses në disa prej teknologjive kryesore të saj, si puna e sistemit XKeyscore, i ashtuquajturi “Google i spiunëve” që mundëson të menaxhohen sasi gjithnjë e më të mëdha të dhënash të interceptuara. Më 2001, Parlamenti federal i kish dhënë BND-së pushtetin që të interceptonte 20% të komunikimeve ndërkombëtare që kalonin nëpër Gjermani. Një pushtet që është edhe zgjeruar me reformën e votuar më 2016. Ajo që u intereson amerikanëve dhe gjermanëve është nyja strategjike e Frankfurtit, De-Cix, Internet Exchange Point më i madh europian, ku kalojnë komunikime nga e gjithë bota, sidomos nga dhe për Europën Lindore. Aktivitetet e spiunazhit amerikan në Gjermani janë prej kohësh të strukturuara në 3 struktura ushtarake dhe në 2 seli diplomatike. Consolidated Intelligence Center (CIC) e ushtrisë amerikane në afërsi të Wiesbaden ka detyrën që t’i sigurojë mbështetje inteligjence për European Command dhe African Command, selia e përbashkët e të cilave ndodhet në Shtutgart. Kjo strukturë, kohët e fundit e fuqizuar, duhet të integrojë European Cryptologic Center (ECC), të ndodhur pranë Dagger Complex të ushtrisë amerikane pak larg nga Griesheim në afërsi të Darmstadtit. E menaxhuar nga komponenti ushtarak i NSA-së, ECC-ja punon në koncert me komponentin e Aviacionit dhe të Marinës të së njëjtës agjenci pranë bazës angleze Croughton, për llogari të dy komandave amerikane në Shtutgart.
Baza ajrore e Ramstein është nyja më e rëndësishme aeroportuale amerikane në Europë, e përdorur edhe për operacione klandestine të CIA-s, si puna e extraordinary renditions. Special Collection Service, shërbimi i përbashkët CIA–NSA që menaxhon stacionet e përgjimit të vendosura në selitë diplomatike amerikane, disponon në Gjermani dy antena: në ambasadën e Berlinit dhe në Konsullatën e Përgjithshme të Frakfurtit. Të dy ndërtesat survejohen nga helikopterë të BfV-së për të fotografuar antenat e instaluara në çati: lëvizje frikësuese pas zbulimit të interceptimeve ndaj Kancelares. Konsullata e Përgjithshme e Frankfurtit është nyja më e rëndësishme e CIA-s për Europën kontinentale. Mbi 900 njerëz punojnë në ndërtesën e pamatë, që dikur ishte spital ushtarak amerikan. Konsullata është një qendër logjistike e madhe jo vetëm për Departamentin e Shtetit, por sidomos për CIA-n dhe Pentagonin. Sipas zbulimeve të WikiLeaks, konsullata e Frankfurtit është pika kryesore e aktiviteteve të kundërspiunazhit të CIA në Europë e përtej, duke fshehur në brendësi të saj një laborator ku agregohen dhe riparohen disa aparatura spiunazhi të përdorur nga spiunët dixhitalë të agjencisë. Për këtë arsye, zona e Frankfurtit gëlon nga kompani koperturë të CIA-s dhe të agjencive të tjera amerikane.
Skandali i shkaktuar nga zbulimet e Snowden, pasuar nga zbulimi i një “urithi” të CIA-s i infiltruar në BND që i ka dhënë emrat e të gjithë agjentëve gjermanë jashtë vendit, ka çuar në përzënien e kreut të degës së agjencisë në Berlin dhe ka hapur debatin mbi marrëdhënien midis inteligjencave respektive. Elmar Brok, një europarlamentar besnik i Merkel, ka kritikuar funksionarët e shumtë të BND-së që kanë një “besnikëri të verbër” ndaj partnerëve amerikanë, duke akuzuar NSA-në se spiunon institucionet europiane dhe “shërbimet idiote të inteligjencës gjermane, që e kuptojnë gjithnjë shumë vonë”. Andre Hahn, kreu i Komisionit parlamentar për Kontrollin e Shërbimeve, akuzon NSA-në se ka shkelur “sistematikisht” marrëveshjen e 2002. Por nuk janë vetëm shërbimet që demonstrojnë një nënshtrim të fuqishëm ndaj Uashingtonit, të paktën deri në kohërat e vonshme. Më 2011 CIA u ankua se kish zbuluar që një funksionar i lartë i kancelarisë kishte kontakte jo të autorizuara me shtypin. Një fakt i zbuluar duke spiunuar kancelarinë, por qeveria gjermane e ka pranuar pa u tronditur për spiunazhin amerikan. Afera e Markus R., funksionarit të BND-së që nga 2012 më 2014 i ka kaluar të paktën 218 dokumente CIA-s, tregon se edhe Gjermania nga ana e saj i spiunon Shtetet e Bashkuara. Midis dokumenteve të dhëna agjencisë do të ishte në fakt transkriptimi i një bisede telefonike të interceptuar nga gjermanët midis sekretares së atëhershme të Shtetit, Hillary Clinton dhe ish-sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan. “Der Spiegel” ka treguar kohët e fundit se BND-ja spiunon zyrat e Interpolit në vende të ndryshme, përfshi Shtetet e Bashkuara, si edhe përfaqësi të ndryshme të akredituara pranë Pallatit të Xhamtë në Nju Jork. Maturia gjermane është demonstruar nga fuqizimi i BND-së parashikuar nga ligji i votuar në tetor në Bundestag dhe nga krijimi i një Cybercommand të pajisur me 14000 njësi. Prania amerikane në Gjermani do të vazhdojë të kushtëzojë hapësirat e manovrës të Berlinit. Si mundet një fuqi të veprojë lirisht nëse në territorin e saj mirëpret një kompleks kaq të fortë ushtarak dhe spiunazhi të aleatit/konkurrentit kryesor të saj?

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakBallkani, mes të ardhmes dhe fantazmave të kaluara
Artikulli tjetërZgjedhje të rreme, qeveri e pakicës