“Zgjedhim të Ardhmen” është vendim shumë i madh, Basha: Të ndryshosh, do të thotë të përmirësosh

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në takimin me demokratët e degës 2, tha se slogani “Të Zgjedhim të Ardhmen”, është një vendim shumë i madh i cili erdhi në kapërcyell të 30-vjeçarit të Partisë Demokratike.

“Të Zgjedhim të Ardhmen. Ky është një vendim shumë i madh i cili erdhi në kapërcyell të 30-vjeçarit të partisë tonë, një 30-vjeçari të mbushur me sfida të jashtëzakonshme. Sfida të cilat na kanë përballur me zgjedhje jo të lehta, na kanë rezervuar shpeshherë fate të hidhura, na kanë vendosur përpara vendimeve të vështira, por sa herë kemi  ditur të zgjedhim interesat e Shqipërisë të parat, aq herë Shqipëria është përgjigjur duke na e kthyer atë me besim dhe me votë e duke na besuar drejtimin. Sigurisht e sotmja nuk një ditë përkujtimore dhe nuk është një ditë për t’u marrë gjatë me këto 30-vite sepse ato kanë brenda dritë, dritë që nuk mund ta sillte askush tjetër përveç demokratëve. Në çdo aspekt, që në rrëzimin e diktaturës edhe nga anëtarët e kësaj dege shumë prej familjarëve të të cilëve e kanë pësuar në qeli, me tortura deri kanë humbur anëtarë të familjeve të tyre në përballje me diktaturën dhe me reminishencat e diktaturës e deri tek zhvillimi ekonomik, anëtarësimi në NATO, heqja e vizave” – u shpreh Basha.

Kryedemokrati tha se edhe PD ka pasur gabimet e saja, të cilat janë përkthyer në kosto të mëdha para qytetarëve. Por, sipas tij, kjo është edhe arsyeja se pse të ndryshosh do të thotë të përmirësosh.

“Por kemi padiskutim edhe gabimet tona, një pjesë të përgjegjësive për ato premtime të pambajtura si fjala bie në raport me dy shtresa shumë të rëndësishme që nuk kanë ku të përplasen tjetër, nuk kanë shtëpi tjetër, janë pa shtëpi në qoftë se Partia Demokratike nuk është shtëpia dhe çatia e tyre, të përndjekurit dhe pronarët. Apo në raport edhe me çështje të tjera që i kemi marrë përsipër e nuk i kemi çuar në fund apo për të cilat kemi marrë kosto të madhe para qytetarëve, një pjesë e përgjegjësive dhe përgjegjësve qëndronin në radhët tona, jo vetëm në radhët tona se ne nuk i kemi pasur problem t’i kemi në radhët tona për sa kohë tregonin pendesë dhe për sa kohë që partia të bëhej mburojë para ligjit për ta. Në zonat informale ku na thonin “ku e keni legalizimin që na e premtuat?!”. Tek pronarët që na thonin “ku i keni pronat që na i premtuat?!” Tek të përndjekurit, tek sipërmarrja. E pra miqtë e mi, dy gjëra i dimë fare mirë: Të ndryshosh, do të thotë të përmirësosh” – tha Basha.

 

Artikulli paraprakBasha me demokratët e degës 2 në Tiranë: Kush mbështet Ramën, ka Berishën dhe Metën paketë
Artikulli tjetërEscobar e Lajçak në Kosovë, diskutime për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë