Zëri i Amerikës: Zhgënjim nga Prokurorja e Përkohshme e Përgjithshme

Në Shqipëri mungesa e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku në seancën dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ishte momenti që la shenjë, më shumë se sa përfundimet e procesit të rivlerësimit. Si drejtuesja e trupës gjykuese Genta Tafa Bungo ashtu dhe përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Teo Jakobs u shprehën “të zhgënjyer”, ndërsa avoktja e saj mbrojtëse Lirime Cukaj, interesimit të anëtarëve të KPK ju përgjigj se kryeprokurorja “pa të arsyeshme që të ishte e përfaqësuar”.
Por për drejtuesen e trupës së KPK-ës shmangia e përballjes me institucionin e rivlerësimit “është mungesë prestigji”. Nga ana e tij Jakobs e cilësoi “një shenjë jo të mirë”, mungesën e zonjës Marku, duke shtuar se “lidershipi nuk përbëhet vetëm nga autoriteti por dhe nga llogaridhënia”, u shpreh përfaqësuesi i ONM-ës, ndërsa tha më tej se do të kishte patur dëshirë të zhvillonte “nje debat profesional mbi disa çështje ligjore” me të.
Debati që zoti Jakobs kishte preferuar të zhvillonte me zonjën Marku lidhet me sa duket me një çështje që ajo kishte patur kur ka qenë prokurore e Shkodrës, dhe ka kërkuar mbajtjen në burg të një personi të ndaluar sepse kishte drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Një masë e cila është vlerësuar e tepruar nga zoti Jacobs e po ashtu e paarsyetuar, duke ju referuar dhe një vendimi të Kolegjit të Bashkuara të Gjykatës së Lartë sipas të cilit masa e arrestit urdhërohet kur vepra është e rrezikshme.

Kjo çështje por dhe diskutimi mbi mënyrën se si zonja Marku ka drejtuar Prokurorinë e Përgjithshme në këto afro 7 muaj në krye të saj, lanë në hije përfundimet pozitive mbi pasurinë dhe integritetin moral të saj. Kryeprokurorja e Përkohshme bëri disa lëvzje të drejtuesve të Prokurorive, të cilat provokuan dhe debate publike. Relatorja e KPK tha se Marku nuk kishte dhënë shpjegime të detajuara për komandimet e kryera prej saj, duke thënë vetëm se ishin realizuar në kuadër të riorganizimit të brendshëm, apo dhe nisur nga dosjet e mbuluara nga prokurorët, por sipas relatores ende nuk është miratuar asnjë procedurë lidhur me trasnferimet apo komandimet e prokurorëve.
Ndonëse Kryeprokurorja e Përkohshme me shumë gjasë do të rikonfirmohet nesër, komentet e anëtarëve të KPK dhe përfaqësuesit të ONM-ës, duket se lane një njollë mbi mënyrën e drejtimit nga ana e zonjës Marku.
Partia Demokratike, e cila kundërshtoi zgjedhjen e saj, duke e konsideruar të jashtëligjshme, u shpreh sot se zonja Marku “ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin, duke bërë emërime e komandime të paligjshme të prokurorëve, duke emëruar e shkarkuar drejtues prokurorie, edhe pse neni 160, pika 2 e ligjit për statusin e magjistratit, ia ndalojnë shprehimisht këtë”, deklaroi deputeti Enkelejd Alibeaj. Sipas tij, rasti i zonjës Marku dëshmon se rivlerësimi “është një proces i korruptuar politikisht. Arta Marku, e deleguara e Edi Ramës në Krye të organit të prokurorisë, pritet të konfirmohet në detyrë, jo sepse përmbush kriteret e vendosura nga ligji, por se kriteret e kualifikimit që po aplikohen kanë si kusht kryesor se cili gjyqtar apo prokuror i shërben më shumë Edi Ramës dhe Qeverisë së tij të korruptuar”.

Artikulli paraprak77 arkitektë bashkohen kundër shembjes së Teatrit: Vendimi i paligjshëm dhe absurd
Artikulli tjetërFaqja e pare