Zëri i Amerikës: Ambasada e SHBA: PD-LSI nuk mund të injorohen, përfaqësojnë një pjesë domethënëse të elektoratit

Në Shqipëri ambasada amerikane deklaroi sot se pavarësisht se parlamenti i vendit ka kompetencën për të miratuar legjislacionin, opozita jashtëparlamentare përfaqëson një pjesë domethënëse të elektoratit shqiptar dhe nuk mund të injorohet. Komentet e ambasadës i paraprijnë seancës së nesërme të parlamentit ku parashikohet të miratohen ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë listave të hapura dhe shmangin koalicionet parazgjedhore në mënyrën se si ato janë organizuar deri më tani. Një vendim i tillë është kundërshtuar me forcë nga opozita jashtëparlamentare

Ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe ambasadori i Delegacionit të Bashkimit europian Luigi Soreca, ndërmjetësuan disa javë më parë Marrëveshjen e 5 Qershorit mes socialistëve dhe opozitës jashtëparlamentare. Por atyre ju desh të angazhohen sërish në takime mes palëve, pasi socialistët u deklaruan në favor të ndryshimeve Kushtetuese, të cilat prekin elementë të rëndësishëm të sistemit zgjedhor. Nga njëra anë listat e kandidatëve do të duhet të jenë të hapura, dhe nga ana tjetër, koalicionet, nuk mund të organizohen si deri më tani, ku secila parti përbërëse ka listën e saj.

Ambasada amerikane bëri të ditur sot se zonja Kim ka patur biseda të shumta rreth kësaj çështjeje, me presidentin Meta, kryeministrin Rama dhe kryetarin demokrat Lulzim Basha. Sipas njoftimit, ambasadorja Kim ka nënvizuar tre pika. E para lidhet me Marrëveshjen e 5 Qershorit “e cila u arrit nëpërmjet një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, dhe duhet respektuar ashtu si u ra dakord për të”. Së dyti, ambasadorja amerikanë ka njohur faktin se “Parlamenti ka kompetencat dhe përgjegjësinë për të marrë në shqyrtim dhe miratuar legjislacionin”, por duke nënvizuar si pikë të tretë, se “edhe pse ata të cilët “dogjën mandatet e tyre”, kanë djegur pretendimet që mund të kishin për kompetenca dhe përgjegjësi në Parlament, nuk mund të injorohet fakti se ata, gjithsesi, përfaqësojnë një pjesë domethënëse të votuesve shqiptarë”, thekson deklarata.

Sipas ambasadës amerikane “gjithëpërfshirja dhe transparenca me të cilat partitë arritën Marrëveshjen e 5 qershorit duhet të jenë norma në marrjen e veprimeve të rëndësishme kombëtare”.

Ndonëse palët janë riulur disa herë në tryezën e Këshillit Politik, dallimet duket se mbeten të forta. Opozita jashtëparlamentare javën e shkuar u shpreh në favor të hapjes 100 përqind të listave, por pa prekur formulën e koalicioneve, duke u pozicionuar prerazi kundër “çdo ndryshimi të njëanshëm të Kushtetutës”.

Kryeministri Edi Rama nga ana e tij ka qenë po kaq i prerë, dhe qëndrimin e tij e ripërsëriti edhe dje në sallën e parlamentit: “Në 30 korrik, ne do votojmë, a më shumë e as më pak, atë për të cilën kemi rënë dakort. Listat do të hapen dhe koalicionet do të ndërtohen si kudo në Europën ku duam të integrohemi”.

Sipas tij, ndryshimet e propozuara, nuk e përjashtojnë mundësinë që listat të jenë 100 për qind të hapura dhe se dicka e tillë do të përcaktohet në ndërhyrjet e mëpasshme në Kodin Zgjedhor.

Në deklaratën e saj ambasada amerikane thekson se “drejtuesit politik kanë deklaruar se çdo veprim i Parlamentit nesër nuk i mbyll negociatat e nisura në Këshillin Politik rreth listave të hapura dhe koalicioneve. Ne do të shohim nëse drejtuesit do ta mbajnë fjalën e tyre”, theksohet në tekst.

Ambasadori i BE-së Soreca, në një intervistë për gazetën Panorama duket se ishte më i drejtpërdrejtë kur kujtoi se “marrëveshja thoshte qartë që çdo nismë e mëtejshme duhet të diskutohet midis të gjitha palëve me të njëjtën frymë bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirjeje si marrëveshja e 5 qershorit”.

Opozita jashtëparlamentare shprehet se po vihet përballë faktit të kryer dhe ka kërkuar të punohet për hartimin e një amendamenti të përbashkët që mundëson hapjen e listave, pa asnjë ndryshim tjetër shtesë. Ajo ka thirrur një tjetër mbledhje të Këshillit politik sot pasdite./VOA

Artikulli paraprakMustafaj paralajmëron një vjeshtë të vështirë politike: Ka pak gjëra për të bërë, përveçse të fillojë një lëvizje mbarëpopullore…
Artikulli tjetërZbulohet skandali! Ja si ka fshehur pasurinë Taulant Balla (Dokumenti)