Ze Maria: “Ne jemi Tirana”!

Tirana e ka fituar pastër, 2-0, ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Bardheblutë kanë bërë një hakmarrje të bukur ndaj Vllaznisë, e cila në një “finale” direkte në fund të kampionatit të shkuar, i shtyu kryeqytetasit drejt Kategorisë së Parë, ku luajnë për herë të parë në historinë e tyre këtë edicion. Trajneri Ze Maria nuk është përmbajtur pas këtij suksesi, duke nënvizuar: “Kishim përballë Vllazninë, një skuadër që luan në Superiore, por fituam. Ne jemi Tirana dhe do të luajmë gjithmonë për të fituar.
Treguam një shpirt të lartë gare dhe arritëm të fitojmë 2-0, që besoj se është një rezultat i favorshëm për t’u kualifikuar më tej, por edhe në Shkodër do të shkojmë për të fituar. Kapiteni? Të gjithë në skuadër e dinë se kush është kapiteni dhe zëvendëskapiteni, ndërsa në mungesë të tyre, shiritin mund ta marrë kushdo. Unë drejtoj disa profesionistë, që e kuptojnë mjaft mirë zgjedhjen time dhe nuk ka aspak vend për xhelozi. Të gjithë e kishin të qartë pse zgjodha Sentamu kapiten në ndeshjen ndaj Shënkollit dhe nuk pati aspak probleme në dhomat e zhveshjes”, tha Ze Maria.
Çfarë fiton Tirana dhe çfarë humbet Vllaznia nga ndeshja e parë e raundit të tretë të Kupës së Shqipërisë. Përveç rezultatit që nuk ka nevojë për koment, sinjalet që dha ndeshja e “Selman Stermasit” shkojnë në kahe të kundërta për trajnerët e dy skuadrave që sezonin e shkuar ndanë çështjen e mbijetesës. Muajt kanë kaluar dhe në 29 Nëntor, derbi i Shqipërisë, si për ironi të fatit, i vendosi sërish përballë, këtë herë për një ndeshje që edhe pse nuk ka rëndësinë e mbijetesës, tregoi qartësisht se diferenca mes skuadrave nuk ka, madje hendeku mund të jetë ngushtuar më shumë edhe pse shkodranët luajnë mes më të mirëve të futbollit shqiptar, ndërsa bardheblutë janë të detyruar të bëjnë zborin 1-vjeçar mes skuadrave të Kategorisë së Parë.
Në 5 muaj, trajneri Ze Maria u përfaqësua denjësisht në Europa League përballë një kundërshtari aspak të lehtë si Maccabi Tel Aviv dhe për më tepër ndërtoi një grup interesant. Largimet e verës të disa prej emrave më të rëndësishëm të grupit nuk e demoralizuan aspak numrin 1 të stolit që gjeti mjetet për të bindur edhe ata pak futbollistë cilësorë për të ëndërruar me projektin e tij. Ecuria në kampionat është pozitive, sepse Tirana ka një marsh më shumë se rivalët më të afërt por ajo që të impresionon nga kjo skuadër është aftësia për të dhuruar futboll të bukur dhe efikas edhe kur bëhet fjalë për ndeshje të vështira si ajo ndaj Vllaznisë. Më shumë se rezultati 2-0 ajo që bindi edhe tifozët më skeptikë të Tiranës është loja.
Aksione të shpejta, kontroll të mesfushës dhe vertikalizime fatale apo teknikë e lartë nga futbollistët bardheblu. Për 90 minuta të vetme në fushë Tirana bëri skuadrën e Kategorisë Superiore, ndërsa Vllaznia atë të të Parës edhe pse duhet pranuar që kuqeblutë zbritën në fushë me mendjen te sfida e radhës në kampionat, ku kanë nevojë ende për oksigjen pas startit asfiksues që i nguli për shumë javë rresht në zonën e ftohtë. Me një pjesë të madhe të titullarëve edhe në ndeshjen e Kupës, Ernest Gjoka ndoshta e konsideroi këtë sfidë si një test për të përballuar sa më mirë sfidën me Laçin, por nëse kjo është Vllaznia e vërtetë, atëherë trajneri kryeqytetas mund të jetë në telashe të vërteta.

Artikulli paraprakAlegri “dorëzohet”
Artikulli tjetërUlet niveli arsimor në vend, rritet numri i personave me arsim 8/9-vjeçar