Zbulohet çfarë u kishte thënë Ronaldo lojtarëve në United para kalimit tek Reali

Cristiano Ronaldo nuk e kishte mbajtur aspak sekret dëshirën e tij për t’u larguar nga Manchester Unitedi në fund të sezonit 2008/09, sipas ish-bashkëlojtarit të tij në Old Trafford, Nanit.

Në fund të sezonit kur Manchester Unitedi e fitoi Ligën e Kampionëve dhe Premierligën, në vitin 2008, Sir Alex Fergusoni e bindi Ronaldon, i cili kishte kontribuar me 42 gola në atë sukses, të qëndrojë në Old Trafford.

Një vit më vonë, sulmuesi u transferua në Real Madrid për një shumë që atëherë ishte rekorde, 80 milionë funte. Nani tani ka zbuluar se ish-ylli i Sportingut nuk kishte ngurruar aspak t’u fliste bashkëlojtarëve të tij për largimin nga Djajtë e Kuq.

“Ne qëndronim në fund të seancave stërvitore për të luajtur pak dhe Andersoni dhe Ronaldo ishin shokët e mi. Të gjithë i kanë disa shokë në skuadër me të cilët ndihen më rehat dhe ata ishin shokët e mi më të mirë”, ka thënë Nani.

“Nganjëherë Ronaldo na thoshte neve haptazi: “Jam bërë gjashtë apo shtatë vjet që kur jam këtu, mendoj se kjo është e mjaftueshme për mua”. Na e kishte thënë këtë gjë dy apo tri herë”.

“Por, gjithmonë thoshte pastaj: “Do ta shohim, do ta shohim”. Por, ne nuk menduam kurrë që transferimi në Real Madrid do të ndodhte aq shpejt”.

Ronaldo e kishte pranuar publikisht në mars të vitit 2007 se ai dëshironte të luante në Spanjë në të ardhmen, mirëpo kishte insistuar se edhe ishte i lumtur në Manchester United.

Pas nëntë vjetëve që i kaloi në Santiago Bernabeu me Los Blancos, Ronaldo vendosi ta provojë një tjetër sfidë në karrierën e tij, duke u transferuar në Juventus.

Artikulli paraprakBllokohen në Itali 19 ton mbetje të rrezikshme që po vinin në Shqipëri
Artikulli tjetërRegjisori rrëfen orët e tmerrit: Më drejtuan automatikun në kokë, ishin të ushtrisë