Zbulohen mijëra bimë kanabis në Vlorë, policia: Mbinë vetë!

Mijëra bimë kanabis sativa janë gjetur në fshatrat e Vlorës, Treblovë dhe Kotë, ndërsa policia deklaron se droga ka mbirë vetë! Në një njoftim për mediat thuhet se, efektivët e policisë e gjetën lëndën narkotike pranë vendit të quajtur “Përroi i Madh” në Treblovë. Janë plot 4 parcela, në tokë publike, ku sipas policisë kanë mbirë 3 404 bimë narkotike të llojit kanabis sativa, me gjatësi nga 30 deri në 100 cm.
Policia ka edhe një argument, thotë se, “ato kanë mbirë vetë për shkak se vitin e kaluar janë asgjësuar bimë të ngjashme të mbjella në të njëjtin vend dhe që mendohet të jenë favorizuar nga kushtet klimaterike”. E njëjta gjë ndodh edhe në fshatin Kotë, pranë një përroi, janë gjetur të mbjella në pronë publike 5 bimë narkotike.
Në njoftimin e policisë thuhet se, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, vijon planin e masave për kontrollet e territoreve në shkallë qarku me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike si dhe parandalimin dhe goditjen e prodhimit apo shitjes së lëndës narkotike. “Në vijim të këtyre kontrolleve të kryera, ka rezultuar se gjatë kontrollit të ushtruar përreth një banese të banueshme në fshatin Kallarat, janë gjetur të kultivuara 106 bimë narkotike të llojit kanabis sativa.
Gjithashtu, ngjitur me banesën janë gjetur 2 thasë me thurje, brenda të cilëve përmbanin lëndë narkotike me peshë prej 19.7 kilogramë, e dyshuar si kanabis sativa. Për këtë ngjarje, policia ka arrestuar në flagrancë pronarin e banesës, shtetasin Resul Ismailaj, 63 vjeç, si autorin e dyshuar në lidhje me këtë vepër penale. Gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Treblovë, pranë vendit të quajtur “Përroi i Madh”, janë gjetur 4 parcela toke publike e papunuar me 3404 bimë narkotike të llojit kanabis sativa, me gjatësi 30-100 cm”, thuhet në njoftim.
Dyshohet se këto bimë narkotike kanë mbirë vetë për shkak, se vitin e kaluar janë asgjësuar bimë të ngjashme të mbjella në të njëjtin vend dhe që mendohet të jenë favorizuar nga kushtet klimaterike.
Gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Kotë, pranë një përroi, janë gjetur të mbjella në pronë publike 5 bimë narkotike të dyshuara si kanabis sativa.

Artikulli paraprakPaguan kamatën e energjisë, OSHEE nuk ia heq emrin nga sistemi
Artikulli tjetërMotori përplas 15-vjeçaren në vijat e bardha