Zbulohen emrat e 4 “tradhtarëve”

Largimi i Claudio Ranierit ka ndezur një debat të ashpër në Angli dhe jo vetëm. Bota e futbollit është rreshtuar menjëherë në krah të trajnerit kampion që bëri historinë me Leicester City, ndërsa mediat publikojnë detajet e para të asaj çfarë ndodhi në klubin e “Dhelprave” ku presidenti preferoi të priste kokën e trajnerit italian. Heri i sezonit të shkuar, sulmuesi Jamie Vardy është mes njerëzve të akuzuar për “tradhtinë” ndaj trajnerit të tij. Sipas “The Times”, ishte pikërisht Vardy që shtyu drejtuesit e klubit të merrnin vendimin. Gjithsesi, pesha e fajit nuk rëndon vetëm te sulmuesi anglez sepse në sipërfaqe dalin edhe tri emra të tjerë të rëndësishëm dhe me shumë influencë në dhomat e zhveshjes. Bëhet fjalë për portierin danez Kasper Schmeichel dhe Wes Morgan e Marc Albrighton.
4 senatorët kanë takuar presidentin Vichai ku i kërkuan shkarkimin e trajnerit. Kjo konfirmohet edhe nga rrjetet sociale ku 4 lojtarët e sipërpërmendur publikuan në Twitter letra të hapura ku falënderuan lamtumirën e Ranierit, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës e hutuar nga largimi i tij nuk e bëri një gjë të tillë. Mediat e tjera shkojnë edhe më tej duke e drejtuar gishtin e akuzës ndaj pronarëve që mesa duket nuk janë më pak bashkëpunëtorë në këtë që tabloidet e cilësojnë “krim”. Gjithsesi, Ranieri ka në krahun e tij mbështetjen e botës së futbollit pasi në Angli pjesa më e madhe e trajnerëve dhe lojtarëve janë pozicionuar në favor të tij, duke nënvizuar njëzëri se shkarkimi i njeriut që bëri historinë në klubin e vogël të Leicesterit, është një padrejtësi e madhe.
Tekniku italian që udhëhoqi Leicester drejt një suksesi historik një vit më parë, u përshëndet me të gjithë ish-futbollistët e tij, në prani edhe të stafit drejtues, që një ditë më parë i kishte kërkuar të boshatiste zyrën.
Shumë i emocionuar Ranieri nuk i shmangu edhe deklaratat për mediat, në momentin e largimit: “Shpresoj shumë që të përsëritet ajo që realizuam një vit më parë, por do të jetë shumë e vështirë”. Ndërkohë tanimë janë bërë publike edhe termat financiarë me të cilët të dyja palët kanë nënshkruar marrëveshjen e ndarjes. Trajneri italian do të përfitojë 3.5 milionë euro nga prishja e kontratës ose më saktë pagën e 12 muajve të kontratës që ai rinovoi gjatë verës së shkuar, me vlefshmëri deri në vitin 2020.

Artikulli paraprakInter në merkato
Artikulli tjetërPortugalia, një objektiv i veçantë i investimeve kineze