Zbulime tronditëse për luftën e Irakut

“Washington Post”

Publikimi i shumëpritur i raportit Chilcot, zbulimet e një hetimi shtatë vjeçar për përfshirjen e Britanisë në pushtimin e Irakut të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2003, bëri të shpërthente një valë e nxehtë lajmesh në këtë periudhë shkëputjeje nga Bashkimi Europian. Me më shumë se 2.6 milionë fjalë, pesë herë më i gjatë se libri “Lufta dhe Paqja”, raporti i njohur fillimisht si “Hetimi i Irakut” gjeti probleme serioze si në vendimmarrjen për të hyrë në luftë, ashtu edhe në pushtimin, planifikimi i të cilit është vlerësuar tepër i papërshtatshëm.
Dokumenti, siç shkruan Griff Witte, kreu i Byrosë së “Washington Post” në Londër, jep një miratim zyrtar të qëndrimit më të egër të kritikëve më të ashpër të luftës së Irakut, duke përshkruar me një gjuhë aspak të përmbajtur aspektet e konceptimit, planifikimit dhe ekzekutimit të konfliktit. Ky nuk është aspak ngushëllim për familjet e një numri të pafund të irakenëve që janë vrarë gjatë dekadës së fundit, si edhe të shumë ushtarëve britanikë që kanë luftuar në këtë konfikt.
“Kemi arritur në konkluzionin se Mbretëria e Bashkuar vendosi të bashkëpunojë në pushtimin e Irakut përpara se të ekzekutohen opsionet e tjera paqësore”, shkruhet në raport. “Ndërhyrja ushtarake në atë kohë nuk ishte e vetmja zgjidhje”.
Raporti kritikon ashpër arkitektët e luftës, pasi kanë hiperbolizuar kërcënimin e armëve të shkatërrimit në masë që pretendohej se kishte në dorë Iraku, një argument thelbësor i përdorur për të thënë se regjimi i Saddam Husseinit kishte arsenal të fshehtë që kërcënonte aleatët e Lindjes së Mesme. Vetë Hussein nuk përbënte aspak kërcënim, thuhet në raport.
“WorldViews” gjithashtu ka theksuar se është zbuluar një memo e vitit 2002 e Kryeministrit të atëhershëm, Tony Blair drejtuar Presidentit amerikan, George W. Bush ku e siguronte se homologu i tij britanik “Do të qëndronte përkrah tij me çdo kusht”. Në Britani, implikimet janë veçanërisht të ashpra për Blair, i cili drejtoi valën frenetike të luftës në Britani dhe është kritikuar gjatë brenda vendit për futjen e shtetit në konflikt. Blair tani mund të hasë edhe beteja ligjore.
Jeremy Corbyn, kreu i Partisë Laburiste dikur të drejtuar nga Blair dhe një politikan antiluftë i betuar, mirëpriti zbulimet e raportit dhe deklaroi se pushtimi i vitit 2003 ka qenë “gabimi më i rëndë i politikës së jashtme britanike të 60 viteve të fundit”, një gabim që ushqeu sektarianizmin vdekjeprurës që po e përndjek Irakun edhe në ditët e sotme. “Ishte një akt agresioni ushtarak i nisur me arsyetime të rreme, si tregojnë edhe hetimet dhe prej shumë kohësh është konsideruar si i jashtëligjshëm nga opinioni i përgjithshëm i drejtësisë ndërkombëtare”, tha Corbyn.
Blair ndërkohë u përball me akuzat dhe u përpoq të përgjigjej përpara kritikëve në një konferencë për shtyp që zgjati 2 orë ditën e mërkurë. Ai e përshkroi vendimin për të pushtuar Irakun si “agonizues” dhe pamja e trazuar e Irakut gjatë viteve të fundit i ngjallte më shumë pendim, dhembje dhe dëshpërim nga ç’mund të shprehte. Ishte një apologji e vërtetë. Blair këmbënguli duke thënë, si në shumë intervista të tjera të mëparshme, se bota është një vend më i sigurt që kur Saddam Husseini u hoq nga pushteti. “Unë nuk e kam mashtruar këtë vend. E kam marrë vendimin me shpresë të mirë dhe besoj se është më mirë që e morën këtë vendim”, tha ai. “I pranoj gabimet dhe përgjegjësinë time për to”.
Blair vazhdon të kritikohet ashpër nga kundërshtarët e luftës për vetë faktin se qëkur ka zbritur nga pushteti ka vazhduar të jetë i përzjerë në çështjet e Lindjes së Mesme. Megjithatë, trashëgimia që ka lënë pas lufta e Irakut nuk ka të bëjë me vetëm një politikan. Një ditë përpara zbulimeve të hetimit, Donald Trump dënoi rrëzimin e Saddam Husseinit nga pushteti, i cili sipas tij ishte “një personazh i keq, por që vriste terroristët”. Tani, Trump ankohet duke thënë se lufta e Irakut ka qenë Harvardi i terrorizmit. “Nëse do të bëhesh terrorist, shko në Irak”, tha ai.
Linja e argumentimit se Husseini luftonte terroristët, edhe pse ka merita të dyshimta historike për këtë, do të përdoret pa dyshim nga Trumpi si një kartë fituese politike kundër rivales demokrate, Hillary Clinton, e cila votoi pro luftës kundër Irakut dhe drejtoi ndërhyrjen e NATO-s në vitin 2011 në Libi kur ishte sekretare Shteti.
Kanë ndodhur shumë gjëra që kur Bush dhe Blair vendosën të hynin në luftë në vitin 2003, diçka që e bën akoma më të mundur nisjen e një hetimi të tillë edhe në Amerikë. Shumë nga ata që e kanë shtyrë Amerikën në luftën e Irakut, në vend që të tërhiqen nga jeta publike dhe të ngrenë duart për të kërkuar falje, vazhdojnë të bëjnë thirrje për angazhim të mëtejshëm ushatarak përtej detit.
Ndërkohë, vetë Iraku po përpiqet të mbijetojë së bashku me pasojat e një dekade luftë, mosfunksionimi politik dhe gjakderdhjeje sektariane. Ditët e fundit Shteti Islamik ekzekutoi bombardimin më të madh në Irak që pas vitit 2003 me një shpërthim që shkrumboi një distrikt të Bagdadit.
“Dua që amerikanët dhe britanikët, veçanërisht amerikanët, të kuptojnë se çfarë kanë shkaktuar gjatë këtyre viteve”, thotë një 54-vjeçar iraken, i cili ka humbur djalin e tij ditën e dielë. “Ata e filluan këtë katrahurë dhe u larguan pa i qetësuar gjakrat. Ata ia kanë falur këtë vend një tufe hajdutësh injorantë dhe ky është rezultati”.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakBizneset e turizmit: Çmimi i energjisë në Shqipëri mbi 30% më shumë se në rajon
Artikulli tjetërPërse e shpëtoi FBI-ja Hillarin?