Young Boys para “Skënderbeut”

Nga Dynamo e Kiev-it te Young Boys, Skënderbeu po përgatitet për sfidën e dytë në fazën e grupeve të Europa League. Nga gjigantët ukrainas te skuadra që kryeson bindshëm kampionatin zviceran pas 9 javëve të para. Ishte pikërisht Young Boys që eliminoi Dynamon e Kievit në turin e tretë kualifikues të UEFA Champions League, me formacionin e trajnerit austriak Hutter që më pas u eliminua në play-offin e këtij kompeticioni për të marrë pjesë në grupet e Europa League. Young Boys e nisi me një barazim 1-1 ndaj Partizanit të Beogradit aventurën e saj në këtë kompeticion, por duke parë formën që po kalon skuadra zvicerane, Skënderbeu është i paralajmëruar për ndeshjen e kësaj të enjteje në “Elbasan Arena”.
Young Boys këtë të dielë triumfoi me rezultatin 1-0 në transfertë përballë Sionit të Paolo Tramezzanit ish-ndihmësit të De Biasit në kombëtaren shqiptare. Me tre shqiptarë në fushë, dy futbollistët e përfaqësues kuqezi, Burim Kukeli dhe Ermir Lenjani, por mesfushorit me tipare sulmuese që luan për Zvicrën, Pajtim Kasami, Sioni u dorëzua përballë formacionit nga Berna me Young Boys që falë golit të sulmuesit nga Bregu i Fildishtë, Assale fitoi 0-1. Kjo ishte fitorja e 3-të rradhazi për Young Boys, në kampionat me skuadrën e trajnerit Adi Hutter, që pas 9 javëve të para kryeson Superligën zvicerane me 5 pikë avantazh ndaj St Gallen dhe 6 pikë ndaj kampionëve në fuqi të Baselit. Verdhezinjtë nga Berna edhe pse në sfidat e fundit nuk kanë patur në dispozicion ish-sulmuesin e Paris Saint Germain, francezin Horoau, po kalojnë momentin e tyre më të mirë dhe për Skënderbeun misioni për të marrë pikët e para në grupin B të Europa League nuk do të jetë aspak i thjeshtë këtë të enjte.

Artikulli paraprakSekreti i Kancelares
Artikulli tjetërHolandezi Blom do të gjykojë Skënderbeun