“Yjet” pa kontratë

Në fund të këtij sezoni shumë lojtarëve të njohur do t’u përfundojnë kontratat e tyre me klubet aktuale dhe janari është muaji ideal për shumë skuadra të interesuara për të hyrë në bisedime me këta futbollistë, që mbi të gjitha do të ishin një opsion i mirë në merkato, sepse do të afroheshin me parametër zero. Po ju njohim tani me 10 emrat më sugjestionues që janë në skadencë kontrate dhe të cilët në fund të janarit mund të jenë të lirë për të firmosur me klube të tjera. I pari në listë është Yaya Toure. Mesfushori nga Bregu i Fildishtë i Manchester City-it edhe pse është integruar sërish në skuadër nga Pep Guardiola, me shumë gjasa do të largohet nga Citiziens në fund të këtij sezoni edhe për faktin se, drejtuesit e klubit nga “Etihad Stadium” nuk i kanë ofruar rinovimin e kontratës. Mario Balotelli është një tjetër emër i rëndësishëm në këtë listë. Sulmuesi italian po kalon një moment shumë të mirë te Nice në Francë, por kontrata e tij me skuadrën nga Alianz Riviera skadon në përfundim të sezonit.
Te Reali i Madridit rinovuan me të gjithë lojtarët e rëndësishëm, por jashtë kësaj liste ka mbetur ende qendërmbrojtësi portugez, Pepe për të cilin ka oferta nga Kina dhe Premier League. Fernando Torres është një sulmues me eksperiencë që ofron tregu i lojtarëve të lirë dhe mund të jetë një opsion i mirë në verën e ardhshme për të gjitha ato skuadra që kanë nevojë për një bomber, pasi El Nino do të largohet nga Atletico. Axel Witsel dhe Santi Cazorla janë dy emra të tjerë me peshë. Për mesfushorin belg Juventusi po bën çmos ta transferojë që në merkaton e janarit, por për të interesohen edhe Evertoni e Barcelona. Është shumë pranë fundit cikli i Santi Cazorlas te Arsenali me 32-vjeçarin spanjoll që me shumë gjasa do të largohet në fund të këtij sezoni.
Lista e lojtarëve që mund të jenë të lirë në verë mbyllet me dy emra të mëdhenj, por gjasat janë që këta dy lojtarë të rinovojnë marrëveshjet aktuale me klubet e tyre respektive. Bëhet fjalë për Arjen Robben dhe Zlatan Ibrahimoviç. Robben, kontrata e të cilit skadon në 30 qershorin e ardhshëm me Bayern-in është shumë pranë rinovimit për 1 tjetër sezon me klubin bavarez, ndërsa në marrëveshjen e nënshkruar nga Ibrahimoviç verën e kaluar me Manchester United ekziston klauzola për ta zgjatur edhe me 1 vit tjetër bashkëpunimin, dhe gjasat janë që shtatlarti suedez të qëndrojë gjatë në “Old Trafford”.

Artikulli paraprakÇelsi vendos rekordin e ri
Artikulli tjetërMendes: James nuk largohet nga Reali