Vulin: Beogradi duhet të kërkojë ndarjen e Kosovës

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, tha të martën se, Serbia duhet të kërkojë ndarjen e Kosovës, ndërsa hodhi idenë që Beogradi të bisedojë me Tiranën dhe jo me Prishtinën.
Ai i bëri këto komente në një tryezë diskutimesh në kuadër të dialogut të brendshëm serb për çështjen e Kosovës, të cilin e ka hapur Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.
“Ndarja afatgjatë dhe e fortë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve duhet të ndodhë në Kosovë”, tha ai.
Ministri serb, nuk sqaroi se si do të mund të dukej ndarja e Kosovës, por idetë e tilla zakonisht kanë përfshirë Veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku vazhdon kundërshtimi i shtrirjes së sovranitetit të Prishtinës.
Ideja e tillë ishte hedhur edhe më herët nga ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, por i cili kishte theksuar se kjo nuk është politikë e qeverisë së tij.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka theksuar disa herë se duhet të gjendet një zgjidhje për Kosovën, e cila nuk do të ishte e kënaqshme për asnjërën palë, por pa saktësuar se për çfarë zgjidhje bëhet fjalë. Ai hapi verën e kaluar një proces të dialogut të brendshëm për këtë çështje në Serbi, e cila aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por kusht themelor është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.
Më ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia ishin marrë vesh për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që parasheh më shumë autonomi për veriun. Marrëveshja kishte nxitur shumë kundërshtime në Kosovë.
Beogradi vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, që është shpallur dhjetë vjet më parë, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

Artikulli paraprakShqetësim pas rënies së madhe të aksioneve
Artikulli tjetërOKB heton raportet për sulmet kimike në Siri