Vrasja e të rinjve për një ‘fjalë goje’/ “Ishte radha e Aureljos”, gazetarja Anila Hoxha publikon statistikat: Ç’po ndodh me fëmijët në konflikt me Ligjin?!

Nga Anila Hoxha

Aureljo, i moshës 18 vjeç u vra nga dora e një fëmije tjetër, me shpejtësi sikur të ishin duke kopjuar një pasazh të mirë menduar krimi, ku të dyja palët gjaknxehta ndalojnë mjetet në një rrethrrotullim. Këtë herë sulmi, përplasja ndodh në një rrugë të Tiranës. Herë të tjera grindjet me thika duarve, pistoleta, leva e gurë kane ndodhur jo shumë larg shkollës, pranë shtëpisë, në lagje, në një bar a restorant. Edhe në spital madje.

Të ndezura nga jeta virtuale, marrin flakë shpesh nga një follow, një emoji, një kompliment ndaj një fotografie, një sharje, një lidhje e pa aprovuar, një ndarje e papranuar. Bullizëm, persistencë për tu shfaqur superior ndaj bashkëmoshatarëve, gjasme më i rritur, gjasme më i fortë, gjasme më i zgjuar. Ose më keq akoma grinden për territore , ku çdonjëri përpiqet të konfirmohet se po bëhet një burrë, se është mjaftueshëm I zoti të mposhtë. Por është vetëm një fëmijë

Më shumë fëmijë sesa adoleshentë, zbresin të mllefosur nga mjetet, njëri me makinë më të mirë se tjetri.

Ky i dyti që do vdesë pas pak, quhet Aureljo. I pari një 16-vjeçar që shoqërohet nga shokët , ardhur nga Kalaja e Dodës jeton në zonën e Farkës , në shtëpi private dhe duhet thënë ekonomikisht nuk i ka munguar asgjë. Megjithatë kjo nuk i ka dhënë aq siguri saqë të jetë i bindur se konfliktet sqarohen me diskutim, ose nuk sqarohen fare.

Jo, ai është më i sigurt me një thike te fshehur në trup. Disa moshatarë të tij konstatohen shpesh rrugëve nga postblloqet herë më shkopinj bejsbolli, thika, pistoleta, doreza grushti.

Në një rast njëri prej tyre u justifikua para gjyqtarit se e mbante shkopin e bejsbollit mbasi ishte pjesë e një skuadre. Por kur gjyqtari G.H i kërkoi një provë të vetme, një fotografi që vërtetonte angazhimin si sportist, adoleshenti u dorëzua dhe tregoi të vërtetën. I duhej për situata të tilla sulmesh ku fëmijë e adoleshentë, nuk përmbahen , por grupe grupe lëndojnë e viktimizojnë.

Ndryshe nga 16-vjeçari dhe shokët e tij, njëri me prindër që zotërojnë një furrë buke, tjetri i përkëdhelur nga gjyshërit, Aureljo, djalë i vetëm është njëfarësoj supi për ekonominë e familjes, dhe  familja supi i tij. Ka nisur të mbështesë punën e të atit si elektricist, pak mbasi rrumbullakosi 18 vjeç dhe ka kuptuar me shumë mundësi diferencat.

Ka fatin e keq që mbasi të sulmohet fryma do ta lërë aty në atë rrethrrotullim të mallkuar.

Ndryshe nga dy vëllezër të tjerë që u sulmuan barbarisht me thika pak kohë më parë , vetëm e vetëm pse njëri ndër ta kishte krijuar raport me ish partneren e njërit prej agresorëve.

Por për shkak të ligjit tha komisariati numër 2 ato ditë, keqbërësit nuk mund të arrestoheshin mbasi nuk kishin mbushur moshën 14 vjeç. Nëna e djemve mu lut publikisht,  që së paku autoritetet të gjenin një zgjidhje dhe ti penalizonin autorët, mbasi gruaja po ndeshej me vështirësinë tjetër. ‘ Tani që djemtë shpëtuan, dhe po shohin në rrjetet sociale palën tjetër që po i provokon, do veprojnë djemtë njësoj si ata” tha.

Në të vërtetë Kodi i Drejtësisë për të Mitur, duke synuar të mos i përballë fëmijë në konflikt me ligjin me sistemin penitenciar, policët, prokurorët, synon të përqaset miqësisht me ta. Pra në formë edukuese, të bëjë atë që familja, shkolla dhe shoqëria dështuan ta bëjë.

Por sidoqoftë pavarësisht synimit dhe dëshirës së mirë, kjo vijon të mbetet teori, përsa kohë vendimet e gjykatave mbeten të pazbatueshme dhe përderisa nuk janë ngritur institucionet përkatëse. Një ndër to shkolla e riedukimit, planifikuar të ndërtohet në zonën e Mëzesit, ku fëmija në konflikt me ligjin, qoftë hajdut, shpërndarës droge, sulmues, kanosës, armëmbajtës i nënshtrohet programeve derisa ta kuptojë se çfarë ka bërë.

Praktikisht kemi qindra fëmijë që në emër të drejtësisë miqësore, gjykatat janë te detyruara tu qasen deri diku “na falni që po të pyet xhaxhi gjyqtar” . Dhe këta fëmijë as që e kuptojnë se kanë kryer një krim, kundravajtje apo kanë shkelur ligjin.

Për të folur me shifra , për vitin 2023 janë evindentuar 2600 fëmijë si autorë ngjarjesh kriminale. Fare pak prej tyre janë arrestuar, mbasi ndaj tyre aplikohet instituti i shmangies, që do ishte perfekt nëse do të kryhej i mbikëqyrur, me platforma shkollore dhe mësimnxenese apo shkollim i  detyruar, dhe masa te tjera kufizuese – edukuese.

Që nuk ndodh, arsyet i thamë më sipër.

1449 të mitur janë dëmtuar gjatë 2023, prej tyre pesë fëmijë janë vrarë, katër janë tentuar të vriten. 46 janë kanosur. 24 fëmijë janë plagosur rëndë. 122 plagosur lehtë me dashje. 139 dëmtime me dashje. 13 të mitur janë vjedhur me dhunë. 514 janë dëmtuar në aksidente si pasojë e shkeljes së rregullave të qarkullimit. 85 janë keqtrajtuar. 33 janë braktisur nga prindërit. 72 janë dëmtuar nga krimet seksuale. Si një drejtoreshë për pareandalimin e krimeve tek fëmijës, Klaudia Hasanllari bën të pamundurën ta ndajë shqetësimin me mua për Aureljon qe nuk jeton me. Për dhjetëra fëmijë të tjerë që ndikohen nga jeta online, dhe nga modele pa model, si ai i 16 vjecarit me tre shoke qe janë arrestuar , por me gjase për shkak të moshës ata dalin për pune orësh

‘ Parandalohet me edukim- më thotë në telefon Klaudia. Në familje, në shkollë, në masmedia. Duhet larguar trendi i pakuptueshëm “bad boy”, “I pronarit”. Po ushqejmë instiktet e gabuara, rritjen para kohe, konkurrencën e pamëshirshme. Më shumë se sa çështje e zbatimit të ligjit, është çështje e edukimit , e parandalimit” këmbëngul zyrtarja.

E dëgjoj. Dhe mendoj, ishte radha e Aureljos për të vdekur. A kishin folur prindërit me ta?

Top Channel

Artikulli paraprakSekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken: Ukraina ‘do të bëhet anëtare e NATO-s’
Artikulli tjetërDeputetë lexoni historinë e Shqipërisë