Vrasja e dyfishtë, Prokuroria: Dalipaj është ndihmuar nga policia

Ish-zyrtari i lartë i Policisë së Shtetit, Ervin Dalipaj, i vrarë në Sukth para pesë ditësh, fshihej në Durrës, edhe pse ishte shpallur në kërkim. Hetimet e Prokurorisë së Durrësit zbardhin faktin se gjatë gjithë kohës që ishte në kërkim, ish-shefi i Krimeve, Ervin Dalipaj ka qëndruar në zonën e Durrësit. Sipas burimeve nga organi i akuzës, Dalipaj është ndihmuar nga punonjës policie që të mos përfundonte në pranga ndonëse ishte shpallur në kërkim.
Ish-shefi i Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës u shpall në kërkim në vitin 2016, me akuzën e pjesëmarrjes në rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut, së bashku me tre persona të tjerë. Dyshohet se ish-zyrtari i Policisë “është ndihmuar” apo “ka pasur më shumë besim” te strukturat e Policisë në qytetin e Durrësit, ku lëvizte lirisht dhe me armë me vete, edhe pse ishte në kërkim.
“Nga hetimet e kryera dhe dëshmitë e marra pas vrasjes së dy personave, rezulton se Ervin Dalipaj në shumicën e kohës ka qenë në Durrës, ku lëvizte me automjete të ndryshme jo në emër të tij”, pohon grupi i hetimit.
Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA kanë zhvilluar dje një aksion në zonën e Sukthit dhe Shijakut, për të rënë në gjurmët e autorëve të dyshuar për vrasjen e dyfishtë të Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dauti, që ndodhi disa ditë më parë në këtë zonë. Bëhet e ditur se, gjatë kontrollit të ushtruar janë shoqëruar disa persona, por ende nuk ka asnjë të arrestuar për vrasjen e dyfishtë.
Burime nga organi i akuzës bënë të ditur se, personat që kryen atentatin kanë vepruar për 60 sekonda. Sipas hetuesve të çështjes, makina tip “Audi S8” me targa AA 111 OI u qëllua me 32 plumba kallashnikovi nga dy automjete, një “Audi A3” dhe një “BMË X5” me ngjyrë të zezë. Fakti që autorët e krimit kanë qenë me dy makina është zbuluar pas këqyrjes së pamjeve filmike të kamerave të sigurisë, që iu sekuestruan bizneseve që ndodhen në autostradën Durrës-Tiranë, afër vendit të ngjarjes.
Sipas burimeve nga organi i akuzës, dy viktimat fillimisht kanë qëndruar në autoservisin, i cili është jo më shumë se 300 m larg prej vendit të atentatit, me një fushëpamje absolute. Në autoservis, 38-vjeçari Ervin Dalipaj dhe 27-vjeçari Juxhin Dautaj janë takuar me dy vajza, të cilat kishin mbërritur aty me një automjet “Smart”. Më pas, sapo kanë dalë nga dera e autoservisit, i cili mbikëqyret me 4 kamera filmike e rezolucion të lartë, dy viktimat janë ndeshur me një makinë “BMË X5”, jo më shumë se 15 m distancë në anë të rrugës. Këtu rruga ka fushëpamje absolute edhe nga pjesa e kodrës ku gjenden shtëpitë e banorëve të zonës. Dyshohet që rreth 30 m distancë, për nga kthesa në drejtim të Shijakut, makinën e viktimave e priste një automjet tip “Audi A3” ngjyrë gri.

Artikulli paraprakTrafiku i 1.1 ton drogë, gjykata le në burg dy policët dhe doganierin
Artikulli tjetërI shembin dyqanin, pronari kërcënon se do të vetëvritet