Trafiku i 1.1 ton drogë, gjykata le në burg dy policët dhe doganierin

Dy efektivët e policisë, Vladimir Skraparliu e Blerim Mëhilli si dhe doganieri Ylli Rustemi, do të qëndrojnë në qeli me masën e sigurisë “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve. Ishte Gjykata e Krimeve të Rënda, ajo që nuk pranoi kërkesën e tre të dyshuarve për ndryshimin e masës së sigurisë, duke lënë në fuqi vendimin e dhënë ditën e arrestimit. Tre punonjësit e pikës së kalimit kufitar të Kakavijës, Skraparliu, Mëhilli dhe Rustemi nuk pranuan akuzën e trafikut të drogës në bashkëpunim, duke mohuar njohjen me shoferin e kamionit ku ishte ngarkuar 1.1 ton hashash. Ata i thanë gjykatës, se nuk e njihnin shoferin e shpallur në kërkim Qamil Muçaj dhe se veprimet e tyre ditën e kalimit të kamionit në Greqi, kanë qenë në zbatim të rregulloreve dhe ligjit. Për këtë fakt, tre të dyshuarit kërkuan lirimin nga burgu, kërkesë që u përsërit edhe nga avokati i tyre mbrojtës.
Kërkesat e të dyshuarve dhe avokatëve mbrojtës, i kundërshtoi prokurori i çështjes, i cili renditi në mënyrë kronologjike të gjitha mos veprimet e punonjësve të pikës së kalimit kufitar të Kakavijës. Mosveprime këto që për Prokurorinë, i kanë krijuar lehtësira shoferit të kamionit për të kaluar në territorin grek një sasi prej 1.1 ton hashash. Sipas akuzës, 3 të arrestuarit dhe dy të shpallurit në kërkim, doganieri Klemend Budo dhe shoferi kamionit Qemal Muçaj në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë kryer vepër penale të trafikut të drogës.
Tre të arrestuarit, u prangosen vetëm pak ditë më parë, pasi autoritetet greke sollën me anë të letër-porosisë materialet e kamionit të bllokuar në pikën e kalimit kufitar të tyre, me 1.1 ton hashash. Sasia e drogës ishte paketuar në 700 pako dhe ishte fshehur në pjesën ballore të kamionit, ku ishte improvizuar një dhomë për të fshehur drogën që u bllokua.

Artikulli paraprakNjë President si Haxhi Lleshi?
Artikulli tjetërVrasja e dyfishtë, Prokuroria: Dalipaj është ndihmuar nga policia