Vrasja e dy vëllezërve në Durrës për pazaret e drogës, arrestohet autorët

Policia bëri të ditur se ka arrestuar dy autorët e vrasjes së dy vëllezërve para pak ditëve në Durrës.

Altin Ndoci, i dënuar më parë për trafik droge është një prej të arrestuarve për vrasjen e vëllezërve Haxhia, por edhe të atentatit të 2 marsit në Durrës. Ai u shoqërua pasditen e djeshme në Tiranë për kundravajtje, teksa shoku i tij, 22- vjeçari K.A, ishte arrestuar dhe madje ka pranuar autorësinë.

Sipas Policisë së Shtetit, këta dy persona ekzekutuan me armë zjarri vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia në 27 prill dhe Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdia në datë 2 mars.

Pikërisht 22- vjeçari ka treguar edhe emrat e grupit të vrasësve që çoi dhe në arrestimin e Altin Ndocit.

Bëhet e ditur se vrasjet kane ardhur si pasojë e prishjes së pazareve të drogës me një grup kriminal.

Vetë vëllezërit Haxhia ishin trafikantë droge të brendshëm, por që sillnin edhe nga jashtë vendit dhe ishin bashkëpunetorë me Dorjan Shkozën dhe Anxhelo Avdian, që u vranë më 2 mars po nga këta persona.

Mësohet se ky grup kriminal nga Shkozeti ka qenë nën vëzhgim nga policia prej ditës së vrasjes dhe mjaftoi 22-vjeçari i arrestuar që të dilnin autorët.

Ndoci është vënë në pranga edhe në vitin 2015, si autor i një seri grabitjesh automjetesh në Tiranë. Ndoci, në bashkëpunim me Sazan Cibaku, 28 vjeç, banues në Tiranë, ishin kthyer në një tmerr për pronarët e mjeteve, pasi ua grabisnin ato.

Me anë të një marifeti të veçantë, dyshja Ndoci-Cibaku, ndiznin mjetet gjatë orëve të natës, kryesisht të tipit Mercedez Benz.

Gjatë arrestimit të tyre, në vitin 2015, atyre iu gjet dhe iu sekuestrua: Tre pistoleta m-54 një m-Franchi Llana, një revolver me mulli, maska të ndryshme me ngjyrë të zezë, doreza të ndryshme, dy radio dhënëse-marrëse me sinjale të komisariateve të policisë, jelek taktik multifunksional, një sërër çelësash automjetesh të ndryshme, tabelë dore me mbishkriminin “Ministria e Financave”, shkopinj metalik, një valixhe e zezë me vegla si dhe çanta sportive, telefona të ndryshme celularësh dhe karta telefoni.

Njoftimi i policisë

Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu njoftoi se dy persona janë arrestuar për vrasjen e dyfishtë në Durrës disa ditë më parë, ku vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia u ekzekutuan me armë zjarri. Ata janë Altin Ndoci 33 vjeç, i dënuar më parë për trafik droge dhe K.A., 22 vjeç.

“Siç jeni në djeni, më datë 27 Prill, në segmentin rrugor Shën Vlash-Nishtulla, ka ndodhur një ngjarje e rëndë kriminale, ku mbetën të vrarë me armë zjarri dy vëllezër. Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje menjëherë u ngrit një grup i posaçëm hetimor, me ekspertët më të mirë të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe të DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës. Si rezultat i punës profesionale të bërë nga grupi i posaçëm hetimor, u bë i mundur grubmbullimi i provave që çuan në identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e ngjarjes.

Për këtë, nga Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, RENEA, FNSH Tiranë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Durrës, mbi bazën e provave të grumbulluara nga puna hetimore, u finalizua operacioni policor i koduar “Shën Vlash ”, në kuadër të të cilit u bë zbulimi, identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasve: A.N. (Altin Ndoci), 33 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”; K. A., 22 vjeç, banues në Durrës”, tha Veliu.

Vrasja në Mars

Dy të arrestuarit dyshohet se janë autorë edhe të një vrasje tjetër të ndodhur në Durrës në Mars.

“Në vijim të veprimeve, në një kanal midis Shkozetit dhe Nishtullës, nga Forcat Speciale ‘Renea’ u bë e mundur gjetja e armëve të zjarrit të përdorura për të kryer krimin, ndërsa në Arapaj u gjet dhe automjeti i përdorur nga këta shtetas. Falë veprimeve profesionale dhe hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor u bë e mundur edhe zbardhja e ngjarjes së ndodhur më datë 02.03.2020, në lagjen nr.14, në rrugën ‘Vath Truja’, Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit Dorjan Shkoza, 35 vjeç dhe Anxhelo Avdia, 24 vjeç, ngjarje për të cilën dyshohet se autorë janë dy shtetasit e arrestuar”.

Artikulli paraprakShkon në 782 numri i të prekurve me Covid-19, 9 raste të reja. Kruja mbetet zona më e prekur
Artikulli tjetërGrabitja/ Vajza e familjes rrëfen tmerrin: Ai lart më ruante mua, i tha shokut poshtë: Vrite!