Vrasja e Çiços, Apeli lë në burg policin që fshehu armën e viktimës

Gjykata e Apelit lë në fuqi masën arrest me burg për Alban Trimin, ish-efektivi i policisë i akuzuar se ka kryer veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës në vrasjen e ndodhur te lokal “De Niro”, ku u ekzekutua Elton Çiço. Trimi sëbashku me mjekun, Redjan Rrahja kanë qenë në një tavolinë me viktimën në momentin kur ndodhi vrasja dhe kanë marrë armën e viktimës, telefonin e tij dhe sendet personale të tij.
Pamjet filmike të kamerave të sigurisë së lokalit kanë treguar se sapo është ekzekutuar 36-vjeçari, mjeku Redjan Rrahja ka marrë çantën e viktimës dhe ka nxjerrë pistoletën dhe celularin, të cilën e ka fshehur në ambjetet e lokalit ku kamera nuk regjistron.
Por pas disa minutash, pistoleta dhe celulari është marrë nga Alban Trimi, i cili e ka futur në brez dhe është larguar nga lokali. Këto veprime janë kryer menjëherë pas dërgimit të trupit të Çiços në drejtim të spitalit, ndërkohë që lokali ka qenë i zbrazët, pasi klientët janë larguar me shpejtësi pas dëgjimit të krismave.
Sipas Prokurorisë, menjëherë pas këqyrjes së pamjeve është nxjerrë urdhëri i ndalimit për efektivin, por ai është ekzekutuar nga policia vetëm dy ditë më pas me argumentin se nuk gjendej, ndërkohë sipas verifikimeve Trimi ka marrë pjesë në varrimin e viktimës Çiço në Tepelenë.
Grupi hetimor i Prokurorisë që po punon për zbardhjen e vrasjes së Elton Çiços, ka braktisur përfundimisht pistën që e lidh atentatin me konfliktin e grabitjes së banesës së prindërve të tij në Tepelenë. Një fakt i tillë është konfirmuar nga burime të grupit të hetimit. Sipas hetuesve, nga verifikimi i informacioneve, analizimi i të dhënave që kanë të bëjnë me lëvizjen e personave të dyshuar apo me alibitë e tyre si dhe nga fakte të tjera, është konfirmuar së paku deri më tani, se vrasja e Elton Çiços nuk është e lidhur me serialin e hakmarrjes për grabitjen e banesës së prindërve të tij në Tepelenë.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, pista kryesore e hetimit është ajo e konflikteve që lidhen me trafikun e drogës drejt Greqisë. Elton Çiço, 36 vjeç nga Tepelena, banues në Tiranë, u ekzekutua me pistoletë me mulli, mbrëmjen e 1 majit të këtij viti në ambientet e një lokali në zonën e ish-Bllokut në rrugën “Gjin Bue Shpata” në kryeqytet. Tri ditë pas vrasjes, policia arrestoi me urdhër të Prokurorisë, Redian Rrajën me profesion mjek, si dhe Alban Trimin, oficer i Komisariatit të Policisë Nr.5 në Kamëz, ish-shefi i Antidrogës në kryeqytet.

Artikulli paraprakShpresëvrarët dhe udhëtimi i vdekjes
Artikulli tjetërArmët, tritoli dhe tonelatat e drogës me bekimin e Tahirit